E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diktatura e re



Nga Artan Mullaj

Krijimi, stimulimi, madje dhe fuqizimi i monopoleve në tregun e karburanteve nuk është aq një fantazi dinake liderësh sa duket, sesa një frymëzim i pazakontë elitarësh e pushtetarësh shqiptarë për fitime të mëdha dhe nuk është gabim të supozosh se kjo po ndodh në një moment të bekuar ndërkombëtar për ata. Kjo sepse jetojmë në epokën e monopolit të arit të zi. E parë globalisht, dihet që “e zeza” e arit të zi është natyrisht ndjesia e pasigurisë që ajo shpërndan në planet. Ngaqë është e tillë, masive, e mjegullt dhe e pushtetshme, shpesh kjo ndjesi shndërrohet në frikë. Të merremi vesh: frikë jo vetëm për mbarimin e rezervave të naftës, sepse ne e dimë që më shumë se shterja e lëngut të zi duhet të tmerrohemi për mallkimin ekologjik të babëzisë së zhvillimit, i cili edhe pse e kërcënon seriozisht jetën tonë, nga pakkush merret seriozisht. Para së gjithash, kjo frikë ka të bëjë me diçka tjetër, me një “instinktim komunitar vetëmbrojtjeje” ndaj një pushteti të ri, të rrezikshëm në planet. Është fjala për pushtetin e monopolit energjetik dhe krizën botërore që ai ka prodhuar. Ky pushtet sillet sot si një diktaturë e re nëpër kontinente, ndërsa të gjitha nyjat e zhvillimeve e, për pasojë, jeta njerëzore varen drejtpërdrejt nga ai... Në kohën tonë ekonomitë e zhvilluara janë tërësisht të varura nga gazi rus dhe nafta arabe, dhe kjo varësi, që është humbje e një cope të madhe lirie, është gjithashtu shkaku që Perëndimi ka një lloj ngutje investimentare dhe nervozizmi në sjellje dhe në kërkimin dhe sigurimin e burimeve alternative të energjisë. (Në vijim të kësaj strategjie, Silvio Berluskoni vizitoi Shqipërinë me synime të qarta investimesh rendimentale në interes të vendit të tij dhe kjo gjë, me gjithë kundërshtitë dhe dyshimet për të thënat dhe të pathënat, me gjithë planet poshtë tavoline, nëse ato ekzistojnë, meriton, pse jo, përshëndetje. Kavalieri Silvio, ndërsa ikën me ca “PO” të mëdha të Berishës në xhep, e di fare mirë se duke synuar më të mirën për Italinë, nuk është detyra e tij të mbrojë interesat e shqiptarëve, pasi këtë detyrë e ka tjetër kush. Por ndërkaq, të gjithë e dimë se si “shkumëzon” ditë për ditë prej luftës dhe dhimbjes pushteti i Berishës për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë, të Shqipërisë 1 euro”). Në fakt kjo krizë energjie nuk do të ishte në këto nivele, madje mund të mos qasej fare si e tillë nëse ekonomitë nuk do të ndodheshin vazhdimisht nën presioni i monopolit. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se pavarësisht nga gjeografia e shpërndarjes, burimet e energjisë janë ende në ato nivele që mund të përjashtojnë kontradiktën midis nevojës njerëzore për energji dhe rezervës së energjisë në planet. Kriza ekziston, sepse ekziston monopoli. Si një diktaturë e re, pra, në planet, monopoli i energjisë (i përqendruar tani si një fuqi potenciale në Rusi dhe në Lindjen e Mesme), ka shtrirë ndikimin e vet në pothuaj shumicën e vendeve të botës. Nuk është i rastit liberalizimi i marrëdhënieve të Perëndimit dhe Amerikës me këto vende dhe as ndikimi i fuqishëm i çmimit të naftës dhe gazit në politikat e këtyre vendeve dhe në bursat e tyre. Por le të analizojmë fytyrën e kësaj diktature në terrenin e dëshpëruar shqiptar. Ekspertët thonë se çmimi i naftës nuk duhej ta kalonte vlerën 105 lekë, ndërsa në treg ajo shitet mbi 120 lekë. Diferenca mund të jetë pezmatuese për njerëzit e qindarkave, që vijnë erë varfëri në këtë vend. Një histori llogarie e thjeshtë mund të ndriçojë për ne dozën e dyfishtë të vjedhjes dhe të mashtrimit që bëhet. Të ndëshkuara nga kjo diferencë, sot, mbi 400 mijë automjete qarkullojnë në Shqipëri me një konsum ditor prej disa litrash naftë, duke dhuruar kështu milionat e vjedhura në xhepat e fatlumëve që kontrollojnë tregtinë fatlume. Këta njerëz, që zhvaten deri në pikën e fundit të naftës që konsumojnë, janë po ata që përplasen çdo ditë me problemet që prodhon fati i keq, vendi i keq dhe qeverisja e keqe dhe përpiqen më kot gjithashtu të ngushëllohen së brendshmi në ndërgjegjen e tyre. Duke iu trazuar deri edhe rruazat e kuqe të gjakut, një dorë, një fuqi, një mister ua gërvisht ashpër jetën e vështirë… Është vetë lavdia dhe fuqia që ata i kanë dhuruar pushtetit… Ndaj pezmi ndodhet aty! Zemërimi i trishtë! Ndonjëherë edhe urrejtja e verbër për verbërinë e gjithçkaje. Lajmet e mërzitshme të botës në krizë dhe ankthi i pasigurisë me nuanca krizash e frike të jetës interferojnë me muzgun e zhgënjimeve të brendshme të tyre; ndërgjegjet nuk do të ishin kaq të çmeritura, nëse mallkimet nuk do qenë kaq të mëdha. Këta njerëz kanë falur pushtet, por vidhen përditë; njëlloj vidhen edhe gënjehen fëmijët e tyre, që do të jenë si prindërit e tyre, plot pezmë edhe hije. Edhe ata njëlloj do ti shpërdorojnë! Do t’i vjedhin përsëri, në muzg dhe në agim. Edhe sikur djersa e pastër e punës së thjeshtë mos të shndërrohej në naftë të vjedhur, siç ndodh sot, do të shpërdorohet patjetër me qindra mënyra. Sepse poshtërimi do të ekzistojë në ciklime të tjera, sa kohë në humbjen e sigurt të shpresës të sillen të gjithë kokulur e spektatorë. Ekspertët thonë se shqiptarët po paguajnë shtrenjtë lavdinë e atyre që dinë t’i vjedhin në ditën me diell. A është ky një perceptim i drejtë, apo i gabuar? A vidhen shqiptarët nga monopolet e përfolura të kompanive shqiptare të naftës dhe a vjedh njëlloj qeveria pjesën e saj po nga kjo vjedhje spektakolare, e cila përligj, por edhe përnxin heshtjen e saj? Tej refleksioneve, përgjigjet e këtyre pyetjeve duhen kërkuar te fshirja e imponuar e konkurrencës në tregun e energjisë, pse jo, edhe te mbështetja shtetërore ndaj monopoleve që lulëzojnë me të vjedhur. Përse nuk ulet çmimi i naftës në Shqipëri, si është ulur kudo nëpër botë? Shpjegimi duhet kërkuar te aferat e dyshuara mes shtetit dhe monopolit dhe te mosmarrja e masave për rregullimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Por ndërkaq, kjo diktaturë e re, e konvertuar kësisoj edhe në Shqipëri, ka fytyrën e një megamonopoli të përbindshëm, pasi ai ndikon drejtpërdrejt dhe pa mëshirë në varfërimin dhe në lirinë e shqiptarëve. E thënë më thjesht, monopoli i energjisë në vendin tonë është shfaqur në ekonominë tonë në formën e “mbajtjes me çdo kusht të çmimeve të larta të karburanteve”, çka, si u përmend më lart, dëshmon mungesën e stisur të konkurrencës dhe e bën të pashembullt. Fakti që çmimet e naftës janë më të lartat në rajon dhe e përsëris, fakti, sidomos që asnjë presion nuk mund të çojë në logjikimin e tyre (pra uljen), e vërteton më së miri këtë gjë. E publikuar më kot shumë herë në media dhe nga shoqëria civile, kriza e çmimit të energjisë që ka sjelle kjo "diktaturë e re" është mbishtresuar si një krizë besimi. Shqiptarët shohin njëri-tjetrin në sy, ndërsa futin duart thellë e më thellë në xhepat e tyre… Ky është një vend ku gjithçka konstatohet, vetëm konstatohet, por asgjë nuk ndryshon. Pezmi, zemërimi, zhgënjimi, çjerrjet dhe përplasjet e këmbëve të shqiptarëve për këtë persekutim kombëtar (nëse nuk është persekutim vjedhja masive, çfarë është?), nuk çojnë asgjëkund. Asgjë nuk ndodh! Vjedhja vazhdon. Spektakli vazhdon. Vazhdon poshtërimi buzagaz ditë për ditë. Cinizmi! Veç problemeve të tjera pa fund, njerëzit kanë përballë fudullëkun e monopolit që mbështetet nga shteti. Ky është ndryshimi ynë me të tjerët. Ne nuk kemi problem aq energjinë, sa kemi pleksjen e shtetit në të. Kjo pleksje e dyfishon robërinë e të varurve nga njëra anë, aq sa shton eufori të rrezikshme dhe fitime të rrezikshme, në anën tjetër.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›