“Janar ‘91”, varrmihësi i sindikalizmave plastelinë
Luftim Ahmetaj*
Para disa muajsh, i shtyrë nga një shkrim i goditur i gazetarit Fiqiri Sejdia, unë në një analizë modeste u mundova të sqaroja gjendjen e sindikalizmit shqiptar në këto momente, degjenerimin e tij në shtojcë të pushteteve dhe, përfundimisht, kapitullimin para korrupsionit galopant në vjedhjen dhe transformimin e pasurive të ish-Bashkimeve Profesionale, ku janë përfshirë, diku shumë, e diku më pak se shumë, të gjithë drejtuesit e sindikatave, me këtë pasuri të të gjithë popullit, të dhuruar nga ish-Presidenti Berisha, sikur të gjitha këto asete të ishin një mall pa zot. Nuk e di çfarë ka bërë Kontrolli i Shtetit apo Prokuroria për këto afera korruptive, por kam besimin se dikur gjithkush do të përgjigjet për zullumet e veta.
Nejse, në këtë shkrim do të mundohem të shpjegoj lindjen e një sindikalizmi të ri me emrin “Janar ‘91”, përsëri nga minatorët, por që realisht mund dhe do të bëhet varrmihësi i sindikalizmave të tipit plastelinë që kanë dalë deri tani.
Shikoni fqinjët tanë grekë, (sigurisht me një histori të lavdishme si popull), shikoni si luftojnë “an block”, me të gjitha llojet e sindikatave, në mbrojtje të të drejtave të tyre. Duhet të kuptoni se për ta nuk ka rëndësi se kush është në pushtet - të djathtët, të majtët, centristët apo kolaboracionistët - për ta e rëndësishme është jetesa e tyre; pra puna, pagat, shërbimet sociale dhe familja. Para këtyre fakteve, çdo lloj partie që qeveris apo që është në opozitë, nga mënyra se si reagon karshi kërkesave të tyre, shikohet o si aleate, o si kundërshtare. Madje, mund të thuhet se nga ndryshimi i kërkesave mund të ndryshohen dhe balanca në bërjen e aleancave të reja: i rëndësishëm është vetëm fakti i ruajtjes së pavarësisë dhe ndikimeve politike të sindikatës.
Të tilla janë të gjitha sindikatat moderne, kudo në botë. Motoja e tyre është e thjeshtë: për partitë politike mendohet vetëm një herë në katër vjet, vetëm për zgjedhje, ndërsa për veten tënde duhet të mendosh dhe të luftosh çdo ditë, ndryshe nuk fiton kurrë dhe ndoshta mund të humbasësh dhe ato që kanë fituar brezat e mëparshëm sindikalistë. E thënë më troç, jeta është luftë; nëse harron apo neglizhon të përpiqesh për vete, atëherë ke mbaruar, do të shkelesh me këmbë, do të jesh një njeri i skllavëruar.
Po ty more populli ynë ç’të ka gjetur? Flitet se ke qenë trim dhe se nuk e paske duruar padrejtësinë (po të na falen disa momente në diktaturë), po tani në demokraci pse nuk e flak tutje frikën? Pse nuk flak tutje sindikatat tradhtare dhe hajdute? Pse e ke më të lehtë të emigrosh me gomone për të pastruar rrugët e botës sesa të protestosh në rrugët e vendit tënd? Ti kërkon vetëm të drejtat e tua; ti kërkon punë; ti do paga dhe pensione sa për të mbajtur frymën gjallë; ti nuk kërkon luks (mbase edhe për këtë ke të drejtë se je në Europë); ti kërkon një të drejtë sublime, atë të mbijetesës tënde dhe fëmijëve të tu. Por këto, more mik, harroji; nuk t’i fal askush; duhet të përpiqesh dhe të luftosh vetë; duhet t’i thuash frikës tutje lanete se unë pa fituar e kam vendin vetëm në rrugë, në aksion sindikalist. O ti populli ynë! Tani ti ke fat, bre burrë, mbasi në pjacë ka dalë një sindikatë e re “Janar ‘91”, e rikrijuar nga minatorët (ata që bënë histori në vitin 1991) dhe që përbën një kuptim të ri sindikalist. Në krye të saj ka disa burra që pa asnjë lloj interesi, duke edhe sakrifikuar shumë nga vetja e tyre, duke shpenzuar çdo gjë për ty (test ky mjaft domethënës për udhëheqës të vërtetë sindikalistë dhe i paparë në këta 18 vjet, ku cilësia kryesore e shumicës së shqiptarëve që kapin ndonjë copë pushteti është vetëm makutëria për të vjedhur sa më shumë) kënaqen vetëm që ti të rigjesh veten dhe të lëvizësh në mënyrë drejtvizore në gjirin e ngrohtë të Europës.
O ti populli ynë! Nuk e kupton, bre burrë, që cilado qeveri e ardhur në pushtet këta 18 vjet ka interes të ketë sa më shumë sindikata, sa më shumë OJQ; madje dhe sa më shumë parti politike, pra sa më shumë injorantë, hajdutë dhe zarbo në krye të tyre.
O populli ynë! Ti e di që nga përpjekja dhe humbja e jetës së shumë punëtorëve të Çikagos, më 1 Maj, u forcuan dhe u kalitën sindikatat; ti e di që nga lufta dhe martirizimi i Martin Luter Kingut zezakët fituan të gjitha të drejtat njerëzore në SHBA derisa sivjet fituan edhe presidentin e vendit më të fuqishëm të botës. Atëherë, ti mos fli! Mos u frigo! Mbasi ka ardhur koha, madje është vonë, që të kuptosh se asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush, i cili lufton për të drejtat e tij, për ekzistencën e vet dhe të familjes së tij tejskajshmërisht të varfër, të ngelë pa fituar gjë.
O populli ynë! Sot unë denoncoj këtë gjendje të sindikalizmit jo se kam dëshirë apo etje që të burgosen 15-20 mafiozë sindikalistë; unë denoncoj se në sindikatat shqiptare të mbas vitit 1992, mbas dekretit famëkeq presidencial të pronave, ekziston korrupsioni dhe tradhtia më e madhe që mund ti’ jetë bërë këtij vendi. Unë denoncoj se Gërdeci, Fazlliçi, rruga e Kukësit, madje dhe licencat e mjaft universiteteve private (apo universiteteve auto-shkollë), tenderët e blerjes së energjive etj., janë një muzikë dhome shumë e këndshme para korrupsionit të sindikatave dhe dëmit që i kanë shkaktuar ato këtij vendi. Aty (te sindikatat e vjetra) nuk janë vjedhur vetëm pronat e ish-Bashkimeve Profesionale, aty nuk është se çdo gjë është shkatërruar; aty nuk është se janë falsifikuar e shitur vetëm me qindra vërtetime të të qenit minator; aty është ndërtuar një institucion kokëposhtë, mafioz dhe totalisht i paaftë saqë ka eliminuar çdo lloj ndjenje dhe dëshire sindikaliste në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve. Aty është vjedhur dhe përdhunuar ajo që ishte më e bukura e Dhjetorit 1990: “Dashuria për lirinë, të drejtën dhe aksionin”.
Unë denoncoj, pasi kjo gjendje duhet të marrë fund. Do apo nuk do z. Berisha apo dhe të tjerë, ne në rrugë e sheshe do të jemi derisa të fitojmë statusin tonë: statusin e minatorëve; derisa të çrrënjosim pislliko-sindikalizmin nga froni dhe të ndërtojmë sindikalizmin e vërtetë. “Janar ‘91” u krijua për këtë qëllim dhe jo për t’i krehur bishtin cilitdo që vjen në pushtet.
Miq të nderuar minatorë, por dhe punonjës të tjerë! Vetëm përpjekjet dhe lufta jonë e përbashkët mund të na garantojë fitoren. Kjo nuk është një thirrje kot; kjo nuk është një lojë, ku disa janë aktorë, e të tjerët tifozë; kjo është një thirrje nga shpirti për të shpëtuar atë që ka mbetur nga sindikatat plastelinë dhe një garanci për të ardhmen. Vetëm të bashkuar ne mund të fitojmë atë që kërkojmë. Ne jemi përsëri këtu. Tashmë më të fortë dhe, sigurisht, shumë më të zgjuar.
-----------
*Autori i shkrimit është drejtues i lëvizjes sindikaliste të minatorëve “Janar ‘91”
10 Dhjetor 2008