E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, ngrihet qendra kombëtare për trajtimin e viktimave

612 femra kanë kërkuar mbrojtje për dhunën në familje gjatë këtij viti. Ministria e Punës organizon Konferencën Kombëtare për dhunën në familje

Jonida Tashi

Ministria e Punës ka vendosur një godinë të posaçme për rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje. Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Punës, Anastas Duro, i cili sqaron se kjo godinë është ngritur për të parandaluar këtë fenomen. “Pikërisht për të realizuar këtë të fundit këto ditë kemi përcaktuar edhe godinën që do të shërbejë për krijimin e strehëzave për gratë e dhunuara, nëpërmjet rikonstruksionit që do të bëhet me ndihmën e PNUD-it. Kështu, viktimat e dhunës do të mund të trajtohen në këto qendra deri në rehabilitimin e tyre”, - sqaron Duro. Gjatë këtij viti 612 femra kanë kërkuar mbrojtje për dhunën në familje në polici.
Konferenca
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet PNUD-it, organizuan dje Konferencën Kombëtare “Për një familje dhe shoqëri të barabartë dhe pa dhunë”. Në konferencë morën pjesë dhe përshëndetën kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ministri i Punës, Anastas Duro, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett, përfaqësues të shoqërisë civile, të aktorëve dhe faktorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e luftës ndaj fenomenit të dhunës në familje.
Në fjalën e tij, ministri Duro, duke u ndalur te procesi i hartimit, miratimit dhe zbatimit të strategjisë kombëtare kundër dhunës në familje dhe ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, u shpreh se qëllimi i tyre është të parandalojë dhe luftojë dhunën në familje dhe të ofrojë mbështetje ndaj viktimave të këtij fenomeni. Hartimi dhe zbatimi i “Strategjisë kombëtare kundër dhunës në familje” dhe ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” janë dy dokumentet kryesorë që mundësojnë koordinimin dhe bashkërendimin e strategjive dhe përpjekjeve të të gjitha departamenteve dhe institucioneve shtetërore dhe organizatave joqeveritare për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje. Qëllimi i strategjisë dhe i ligjit është të parandalojë dhe luftojë dhunën në familje dhe të ofrojë mbështetje ndaj viktimave të këtij fenomeni.
Përfundimet
Gjatë punimeve të Konferencës të gjithë referuesit pranuan se shoqëria shqiptare po përjeton një periudhë në të cilën vihet re një rritje e fenomenit të dhunës, duke u ndalur edhe në format e saj: dhunë emocionale, forma më e hasur e dhunës në familje; dhunë ekonomike, që ndeshet më shumë në zonat urbane; dhunë fizike, që ndeshet më shumë në zonat rurale; si dhe dhunë seksuale, që rezulton më pak e raportuar. Përfaqësuesit e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe të strategjisë pranuan se një koordinim më i mirë i të gjitha institucioneve qeveritare dhe joqeveritare është çelësi për sukses në parandalimin dhe luftën ndaj dhunës në familje. Konferenca e djeshme është aktiviteti i radhës që mbledh në një tryezë nivelin më të lartë të institucioneve qeveritare. Në nëntor të këtij viti u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi midis pesë ministrive përgjegjëse për zbatimin e ligjit që do t’u shërbejë rezultateve konkrete në luftën kundër dhunës në familje nëpërmjet marrjes së përgjegjësive nga të gjithë aktorët dhe faktorët. Po ashtu, gjatë vitit në vazhdim, Ministria e Punës, në bashkëpunim me PNUD-in, ka zhvilluar një fushatë sensibilizimi e ndërgjegjësimi rreth ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” në të gjithë vendin. Në 12 prefektura janë zhvilluar tryeza të rrumbullakëta me qëllim njohjen e ligjit nga aktorët e pushtetit lokal dhe krijimin e një rrjeti të koordinimit të punës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës në familje. Gjatë këtij viti janë trajnuar rreth 400 punonjës të Shëndetësisë (mjekë, infermierë, mami); mbi 350 punonjës të Policisë; 110 gjyqtarë e prokurorë etj. Vitin e ardhshëm do të vazhdohet me trajnimin e psikologëve, strukturave që administrohen nga Shërbimi Social Shtetëror, mjekë ligjorë etj.

10 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›