E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia përcakton mënyrën e sigurimit të banesave sociale për të pastrehët



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka përcaktuar disa mënyra për ndërtimin e banesave sociale dhe strehimin e familjeve në nevojë. Ky institucion ka vendosur që për strehimin e familjeve në nevojë të ndërtojë ndërtesa të posaçme, si dhe të shfrytëzojë një sërë asetesh. Një tjetër faktor që është shfrytëzuar për t’u përdorur për strehim janë edhe banesat e pa privatizuara. Këto banesa mund të jenë shfrytëzuar para viteve ’90 për aktivitete të ndryshme, të cilat kanë mbetur të pashfrytëzuara. Këto mund të vihen në funksion të Bashkisë për strehimin e familjarëve që kanë aplikuar për banesë me qira apo për marrjen e banesës me kredi.
Programi
Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Bashkive italiane (ANCI), Bashkinë e Romës dhe Cresme Ricerche, (duke paraqitur eksperiencat më të mira të strehimit), ka hartuar programin 10-vjeçar të strehimit social për qytetin e Tiranës. Në kuadrin e këtij Programi, Bashkia e Tiranës, përveç ndërtimit të banesave të reja, konsideron si prioritet të sajin kthimin e një baze asetesh në banesa sociale që do të jepen me qira ose shiten me kosto të ulët për qytetarët e pastrehë. Kjo do të mundësohet nëpërmjet identifikimit dhe studimit të plotë të ndërtesave, banesave të cilat rezultojnë të paprivatizuara, pjesë e listës së inventarit të pronave të paluajtshme e që do të përshtaten në banesa sociale në ndërthurje me planet e veprimit trevjeçare dhe studimet urbanistike pjesore. Seleksionimi do të bëhet për çdo trevjeçar, ku disa objekte me destinacion tjetër do të kthehen, komplet ose pjesërisht, në banesa duke zbatuar projektet e duhura për transformimin e objekteve të sipërpërmendura, të cilat mund të jenë ndërtesa të vogla, të pajisura me kritere kursimi energjetik dhe kosto të ulët mirëmbajtjeje. Trevjeçari i parë (2007 – 2009) i programit do të përbëjë bazën nga e cila do të mund të arrihen objektivat e parë konkretë dhe do të projektohen objektivat afat mesëm (2010 – 2012) dhe afat gjatë (2013 – 2017).
Banesat
Bashkia e Tiranës në kuadër të programit “Për Integrimin e të Pastrehëve”, ka caktuar disa lokalizime në qytet, të cilat janë asete të saj, ku do të ndërtohen banesa sociale. Qëllimi i ndërtimit të banesave sociale është strehimi i personave dhe familjeve të pastreha, si dhe integrimi i tyre në shoqëri. Për këtë arsye, objekte të këtij programi janë disa hapësira të ndodhura në zona të ndryshme të qytetit e sidomos brenda Unazës ekzistuese, të pleksura në zona banimi. Përveç kërkesave për strehim, këto hapësira do të përmbushin pjesërisht edhe kërkesat për parkim, pasi sipërfaqja e nëntokës së tyre do të përdoret si parkim publik.

Zonat ku janë përcaktuar ndërtimet e para të banesave sociale

Aktualisht janë përzgjedhur 3 zona që do të shfrytëzohen për ndërtimin e banesave sociale. Specialistët kanë përcaktuar që si banesa për strehimin e familjeve në nevojë të ketë në ish-Uzinën e Autotraktorëve në Shkozë, Pranë rrugës “Mine Peza”, si dhe kanë përfunduar projektin tjetër për një bllok banimi në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”. Për projektin e ndërtimit të objekteve të banimit për të pastrehët, pranë rrugës “Mine Peza”, janë përfunduar detajimet e para. Sipas projektit të Bashkisë në objektet e banimit pritet të strehohen rreth 140-150 persona. Specialistët kanë përcaktuar detajet teknike se si do të jenë blloqet e banimit për të gjithë të pastrehët. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar koha e ndërtimit të banesave dhe hyrja e familjeve të para. Të gjithë të interesuarit kanë të drejtë të aplikojnë në bazë të kushteve të përcaktuara nga specialistët dhe të dorëzojnë dokumentet përkatëse. Aplikantët do të përzgjidhen nga Drejtoria e Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës. Aktualisht ka nisur puna për ndërtimin e banesave të para pranë ish- Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë. Ndërsa pritet fillimi për ndërtimin e një blloku banimi në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës. Bashkia ka përcaktuar se aplikimi i familjeve që do të aplikojnë për këto banesa është i njëjtë, si për banesat e para që po ndërtohen në Shkozë. Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të domosdoshmërisë që kanë dhe plotësimit të kritereve për strehim. Mendohet se kategoritë më emergjente do të strehohen në blloqet e banimit që do të përfundojnë të parat. Në këtë mënyrë do të shmangen pakënaqësitë që mund të kenë familjarët për marrjen banesave në periferi të Tiranës, siç është blloku i banimit në Shkozë apo më afër qendrës si blloku i banimit të rrugën “Vëllezërit Manastirliu”.
Projektet e Bashkisë për strehimin zënë një hapësirë të gjerë dhe pjesa më e madhe e tyre do të jenë ndërtime brenda Unazës ekzistuese. I tillë është rasti i ndërtimeve në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, pranë Bllokut të Ambasadave, të cilat janë në një nga zonat më të preferuara të Tiranës. Lartësia e banesave që do të ndërtohen në këtë zonë, por edhe në zonat tashmë të përcaktuara, do të jenë 6-katëshe. Ndërtimet 6- katëshe janë përshtatur me urbanistikën që kanë të gjitha ndërtesat përreth, për të mos krijuar thyerje të ndërtesave të zonës. Nëntoka e kësaj hapësire do të ketë 2 kate parkim, i cili do të administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe do t’u shërbejë jo vetëm banorëve të objektit por edhe qytetarëve të zonës përreth. Në këtë hapësirë, do të ketë kopshte, çerdhe, shkolla, dyqane etj. Banesa sociale parashikon të ofrojë strehë për familje me shumë persona apo dhe me pak persona. Për këtë arsye, brenda saj janë planifikuar apartamente të tipit garsoniere, 1+1, dhoma 2+1, si edhe 3+1.

Projektet e reja, mënyrat e shfrytëzimit nga banorët

Specialistët e Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të Projektit (PIU), bëjnë të ditur se katet e para të ndërtesave do të jenë në funksion total të qytetarëve që do të strehohen. Të gjithë familjarëve që janë të papunë do të mund t’u sigurohet punësim në bizneset apo shërbimet që do të jenë në katet e para të ndërtesave të pallateve. Kështu, Bashkia do të mund t’u sigurojë punësime me një pagë të konsiderueshme familjeve në nevojë dhe pa të ardhura mujore, të cilat do të shërbejnë për të paguar kredinë apo për të mundësuar sigurinë e jetesës për nevojat e familjes. Edhe në rastin e punësimit, familjarët do të përzgjidhen nga Bashkia e Tiranës. Nga ana tjetër, banorëve u është vendosur një kufi i limituar qëndrimi në banesa, i cili do të detajohet më vonë nga specialistët. Programi i strehimit është 10-vjeçar, ndërsa të gjitha familjet që do të strehohen kanë të drejtë të rrinë deri në 10 vjet. Më pas do të jetë Bashkia ajo që do të vendosë nëse këto banesa do të kalojnë në pronësi të familjarëve, apo do të jepen sërish me qira. Qiraja që do të paguajnë qytetarët do të jetë e ulët, por ajo do të vendoset më pas në bazë të deklarimit të kushteve të jetesës dhe punësimit që do të bëjnë qytetarët gjatë aplikimit. Kategoritë që do të përfitojnë janë të gjitha shtresat në nevojë, që do të seleksionohen nga Drejtoria e Strehimit Social dhe më pas nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Pagesa mujore që do të bëjnë qytetarët nuk është përcaktuar ende. Por, të gjithë banorët që do të strehohen nëpërmjet këtij projekti kanë mundësi të bëjnë përzgjedhjen e banesës në bazë të pjesëtarëve të familjes dhe hapësirës që duan të kenë. Ndërsa pjesa tjetër i takon Drejtorisë së Strehimit, e cila, përveç kërkesës së banorëve, do të bëjë seleksionimin, duke u dhënë hapësirë banimi më të madhe familjeve të mëdha dhe anasjelltas.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›