E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentojnë të grabisin pikën e këmbimit valutor, prangosen nga policia



TIRANË - Tre persona janë arrestuar ditën e djeshme pasi janë përpjekur të vjedhin një dyqan të shkëmbimit valutor. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Xhorxh Bush”, në Tiranë, ku 3 shtetasit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë janë përpjekur të hapin murin e pikës së këmbimit valutor, por nuk kanë arritur ta vjedhin atë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se personat e arrestuar janë shtetasit: Elton Beluli, 21-vjeç, Elmaz Alimadhi, 26-vjeç dhe Ilir Kotorri, 32-vjeç, që të tre lindur dhe banues në Korçë. Sipas tyre, këta persona kanë kryer edhe vjedhje të tjera më parë. Sipas burimeve policore të komisariatit Nr.1 në Tiranë, në datën 17 nëntor të këtij viti tre korçarët kanë vjedhur dy pasqyra të një mjeti tip-Benz, me targë CT 057 MD në rrugën “Fadil Rada”, në kryeqytet. Arrestimi i shtetasve korçarë u bë në banesën e tyre. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një varëse sermi, një thikë, katër aparate telefoni celularë, një shumë e konsiderueshme parash, një sqepar dhe dy leva hekuri. Sqepari dhe levat janë përdorur për prishjen e murit të dyqanit valutor. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “vjedhjes”e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, dhe “prodhim dhe mbajtje e armëve të ftohta”.

Agjësohet banda e vjedhjes së motoçikletave në Fier

FIER - Tre persona janë arrestuar pasi akuzoheshin për grabitjen e motoçikletave të fshatarëve. Banda e vjedhjes së motoçikletave është shkatërruar dy ditë më parë gjatë një operacioni policor që ndërmorën efektivat e komisariateve të Fierit dhe të Lushnjes. Sipas burimeve zyrtare, të prangosuri janë shtetasit Besnik Tafa 46-vjeç, Rrapush Manja 34-vjeç dhe Ledion Saraçi 24-vjeç, të cilët dyshohet se në bashkëpunim edhe me 47-vjeçarin Agron Tafa, i shpallur në kërkim, kanë realizuar vjedhjen e motoçikletave në fshatra të ndryshëm të Lushnjës. Dy banorët e fshatit Krutje, me inicialet E. Zh. dhe S.Sh. kanë denoncuar humbjen e mjeteve të tyre. Edhe në fshatrat Pirre dhe Çukaj ishin bërë kallëzime të ngjashme për humbjen e motoçikletave. Nga veprimet hetimore, nga kontrolli në banesën e 46-vjeçarit Besnik Tafa, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një motor i markës Honda, një armë zjarri automatike model 56, një armë zjarri artizanale si dhe 30 copë fishekë model 56. Po kështu në banesat e tre autorëve të të tjerë janë gjetur të vjedhur tre motorë të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Personat e prangosur akuzohen për veprën penale të “vjedhjes së kryer në bashkëpunim.

“Furtuna” çon në pranga dy adoleshentë për pesë vjedhje

FIER – Një operacion policor i koduar me emrin “Furtuna” ka çuar në asgjësimin e një bande të rinjsh që grabisnin pikat e tregtimit të mallrave dhe njësi të tjera biznesi.
Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasit V.H, dhe R.M., të moshës 16-vjeç u arrestuan ditën e martë në sajë të operacionit të koduar “Furtuna”, i organizuar nga policia e Fierit. Këta adoleshentë në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer vjedhur disa grabitje. Më datë 24.11.2009, në lagjen “ Kastrioti” kanë vjedhur kioskën e qytetares me inicialet L.S, në të cilën kanë marrë disa materiale të ndryshme kinkalerie dhe ushqimore. Gjithashtu, të rinjtë kanë tentuar të vjedhin në lagjen “Konferenca e Pezës” kioskën e 37-vjeçarit me inicialet A.B., si dhe 30.000 lekë të reja dhe 500 paketa me cigare të markave të ndryshme në kioskën e 45-vjeçarit A.M, ngjarje kjo e ndodhur më datë 06.11.2009. Dyshohet se dy adoleshentët janë autorë të vjedhjes së 330.000 lekëve të reja në pikën e loto-sportit “Eurobest” në lagjen “Konferenca e Pezës” në pronësi të A.B, vjedhje kjo e ndodhur më datë 3 nëntor. Burimet policore bëjnë të ditur se ata dyshohet të jenë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera.

Loja me kallashin i rrezikon jetën

MALËSI E MADHE - Një 19-vjeçar është vetëplagosur me armë zjarri nga pakujdesia gjatë kohës që ai po pastronte automatikun të cilin e mbante pa leje. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut Shkodër bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dy ditë më parë në vendin e quajtur fshati Stol Zagorë, në Malësinë e Madhe. Aktualisht i dëmtuari ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Shkodrës, jashtë rrezikut për jetën. Ndaj tij u kryen të gjitha veprimet proceduriale e hetimore, ndërsa materialet në ngarkim iu kaluan prokurorisë së Shkodrës, e cila po e ndjek shtetasin e plagosur në gjendje të lirë për veprat penale të “Vetëplagosjes së rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

26 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›