Masakrimi i 82-vjeçares, 15 mijë usd shpërblim për kapjen e shqiptarit
SHBA - Një i ri shqiptar që ishte emigrant në SHBA është shpallur në kërkim pasi akuzohet për vrasjen e një 82-vjeçareje. Sipas policisë Uasterberryt, është lëshuar një fletë-arresti për shtetasin shqiptar Ervis Meçollari, 22- vjeç i cili dyshohet të jetë përfshirë në vrasjen e një shtetase amerikane. Vrasja e 82- vjeçares Laura Orsos ka ndodhur në dhjetor të vitit 2008. Viktima u gjet e masakruar në mënyrë çnjerëzore, ku iu gjetën 37 thika të ngulura nëpër pjesë të ndryshme të trupit. Dyshohet që në këtë masakër të ketë marrë pjesë edhe 22-vjeçari shqiptar. Sipas burimeve zyrtare të policisë të Uasterberryt viktima ka qenë fqinje e emigrantit shqipëtar. Burimet policore bëjnë të ditur se Meçollari është zhdukur që pas vrasjes së Laura Orsos, që prej dhjetorit të vitit 2008. Gjithashtu, është vënë në dijeni të këtij krimi dhe policia shqiptare. Burimet policore vendase thonë se po kërkojnë shtetasin Ervis Meçollari, 22 vjeçarit. Forcat policore të të dyja vendeve në bashkëpunim me njëra-tjetrën janë vënë në kërkim të shtetasit Ervis Meçollari. Autoritetet policore të Uasterberryt kanë vënë një shpërblim prej 15,000 $ për personat që japin informacion për vendndodhjen e tij.
Arrestohet polici, vodhi pjesë të makinës së bllokuar
SHKODËR – Një punonjës policie është prangosur pasi një shtetas ka bërë denoncim ndaj tij për vjedhje të pjesëve të makinës që ishte bllokuar në komisariatin e qytetit të Shkodrës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 15.30, Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër, bënë prangosjen e shtetasit Çlirim Shimaj, 41 vjeç, lindur e banues në qytetin verior, me detyrë efektiv i Komisariatit të Policisë së Shkodrës. Ai ishte i punësuar në trupën e shërbimit. Arrestimi i tij u bë për arsye se Gjykata e Shkodrës ka vendosur për Çlirim Shimajn masën e sigurisë "arrest me burg", për veprën penale të "Vjedhjes, duke shpërdoruar detyrën". Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Çlirim Shimaj, ka vjedhur pjesë të një makine, ( konkretisht, një pasqyrë dhe fshirësen e xhamave), e cila ishte e bllokuar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër. Prangosja e tij edhe pas verifikimeve që bëri Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm.
26 Nentor 2009