Kushtetuesja pezullon draftin për gjyqtarët
Kryetarët e gjykatave të të gjitha niveleve në vend dhe gjyqtarët do të kenë të drejtë të lëvizin me automjete shtetërore deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka pezulluar dje veprimin e ligjit të qeverisë, e cila përjashton zyrtarët e lartë nga përdorimi i automjeteve shtetërore. Në një seancë të posaçme, Kushtetuesja vendosi që kategoria e gjyqtarëve dhe krerëve të të gjitha niveleve të Gjyqësorit të përjashtohet nga ky kufizim deri në një vendim përfundimtar. Unioni i Gjyqtarëve kishte ankimuar disa dispozita të ligjit në fjalë si antikushtetuese. Vendimi për përjashtimin e zyrtarëve nga e drejta e përdorimit të automjeteve zyrtare u morr në fillim të tetorit nga qeveria dhe u miratua më pas në Kuvend.
Nga e drejta e përdorimit të makinave përfshihen deputetët dhe nivelet e dyta dhe të treta të qeverisjes, të Presidencës, të institucioneve kushtetuese dhe të tjera. Njëherazi ligji parashikon dhe kufizim lëvizjeje për Presidentin, kryeparlamentaren, kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, që duan të lëvizin në fundjavë, me makinën e shtetit, pa paguar 50 mijë lekë në vit. Deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, të cilët kishin në dispozicion makina me shofer për transportin e tyre, tashmë duhet ta sigurojnë vetë atë. Në lidhje me deputetët dhe kryetarët e bashkive të tjera të mëdha të vendit, ligji parashikon dhënien e një bonusi prej 45 mijë lekësh në muaj, në mënyrë që ata të përballojnë vetë shpenzimet për transportin e tyre. Nga ana tjetër, sipas draftit, bonuse do t'u jepen edhe zyrtarëve të tjerë, në sasi më të ulëta, qeveria pretendon se me këtë ligj buxheti i shtetit kursen së paku 30 milionë dollarë në vit.
Pretenca
Gjashtë vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë për administratorin
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi gjashtë vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë për Hamzeh Abu Rayyan, administratorin e biznesmenit jordanez Yasim Kadisë. Pavarësish deklarimeve të këtij të fundit se shteti ynë me pa të drejtë kishte vënë në sekuestrim pasuritë e tij sërish për institucionin e akuzës administratori ka kryer vepër penale dhe këtë duhej të ndëshkohej sipas ligjeve shqiptare. Pritet që në seancën e ardhshme, avokati i Rayyan të japë versionin përfundimtar për klientin e tij pavarësish se gjatë gjithë kohës ka kërkuar pafajësi duke mos pranuar kështu akuzat e ngritura prej tij. Prokuroria fillimisht ndaj të pandehurit Rayyan ngriti akuzat për veprat penale të Financimit të terrorizmit dhe atë të fshehjes së fondeve të pasurive të tjera që financojnë terrorizmin të parashikuara përkatësisht në nenet 230a, 230b i Kodit Penal. Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave më 10 gusht të vitit 2006 bërë kallëzim në ngarkim të shoqërisë “Lloxhall” sh.p.k me administrator jordanez Hamzeh Abu Rayyan. Pronari i kësaj shoqërie ka rezultuar të jetë një emër jo pak i njohur për Drejtësinë shqiptare, ai i Yassin Kadisë, i cili ndodhet që nga data 17 tetor të vitit 2001 në listën e OKB-së si i dyshuar për financim terrorizmi. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, edhe pse shteti shqiptar ka urdhëruar sekuestrimin e aseteve të Yasim Kadisë, kjo shoqëri ka vazhduar aktivitetin e saj. Me mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur ta pushojë akuzën për financim terrorizmi duke lënë vetëm atë të “fshehjes së fondeve dhe pasurive ndaj të cilave zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit. Aktualisht dosja ka vetëm pak ditë që ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe pritet dhe deri më tani procesi është zhvilluar në dy seanca gjyqësore.
26 Nentor 2009