Elis Mataj, “Fundi i lojës”, kur e vërteta sjell dhimbje
Izaura Ndoj
“Fundi i lojës”, një prej kryeveprave të dramaturgut irlandez Samuel Becket është shfaqja që vijoi mbrëmë Festivalin Teatror të Rinjve. Gjatë provave u citua një frazë e autorit Samuel Beckett, ku thotë: “Fundi është në fillim dhe ne akoma vazhdojmë. Kohë s’ka patur dhe koha mbaroi”. Është pikërisht regjisori i ri Elis Mataj, që ka sjellë për publikun shqiptar këtë pjesë që i takon teatrit absurd. “Teatri absurd ka një lloj të shprehuri shumë ndryshe nga realisti, çdo fjalë që thuhet është esenca e veprës” pohoi Mataj gjatë intervistës. Në këtë vepër para publikut janë aktorët Florad Veizi me rolin e Hamm, Edmoind Hafizademi me Clov, Sulejman Lokaj me Nagg dhe Xhulieta Veizi me rolin e Nell. Gjashtë regjisorë të rinj janë shfaqur për publikun me veprat e tyre, mbrëm mbylli konkurimin “Fundi i Lojës” nën regjin e Elis Mataj. Në këto projekte ashtu si edhe vitin e kaluar mbizotëron dramaturgjia e huaj, e cila është përzgjedhur nga autorë të njohur botërorë.
Sa e vështirë është sot për një regjisor të ri të vendos një vepër në skenën shqiptare?
Vështirësia është shumë e madhe për regjisorët e rinj që duan të vendosin shfaqje në skenën shqiptare gjë që nuk është e përcaktuar në kinema apo teatër. Kushti i parë qëndron tek sponsorizimet që i janë të pamundura ose të ralla. Për mua ka qenë shumë e vështirë sepse kam dashur të bëj një shfaqje para disa kohësh e nisur si iniciativë thjesht nga unë dhe disa aktorë të tjerë që ishin të gatshëm të punonin për një shfaqje dhe pa mundësi financiare, por dështoi për vetë faktin se pa sponsorizim nuk do të bëhej dot as reklama, dhe as skenografia dhe nuk u bë si shfaqje, kjo është vështirësia e madhe.
A mendoni se duhet të ketë më shumë projekte për të rinjtë nga Ministria e Kulturës?
Sigurisht si në çdo vend tjetër të botës rinia sado e aftë apo mundësit që kanë është e privilegjuar sepse mundëson për të gjetur talente të reja për të zhvilluar artin në vazhdimësi, për ta rinovuar atë edhe nga ana artistike që kanë regjisorët, aktorët, skenografët, por mendoj se duhet të bëhet më shumë për artin në përgjithësi.
Sipas teje kush është kulti i aktorit dhe regjisorit në shqipëri?
Duhet futur dhe pjesa e re e frymës artistike. Aktorët dhe regjisorët tanë në moshë të mëdhenj që kanë kohë që ekzekutojnë profesionin e tyre janë në një moment që njihen se kush janë, por do ishte më mirë që për të rinjtë të kishte hapësira të kishte njohje. Profesioni ynë është një profesion që vetëm nga fakti duket.
Çfarë ka sjell Teatri i të Rinjve tek Elisi?
Për mua ka sjell një prevojë profesionale individuale, sepse që nga momenti i mbylljes së shkollës jeta ime profesionale ka qenë pothuajse e vdekur. Nuk kam patur mundësi që unë ta ushtroj profesionin tim dhe të vë një shfaqje. Teatri i të Rinjëve më dha një mundësi shumë të madhe për të parë aftësitë e mija, dhe së dyti të kem një prevojë manaxheriale në tërësi përveçse regjisoriale. Dhe janë gjëra pozitive për një aktor apo regjisor në fillim të karrierës së tij.
Si u prit shfaqja “Fundi i lojës” që konkurron në Teatrin e të rinjve?
Të them të vërtetën kritika në tërësi nuk kam patur dhe më ka demoralizuar pasi unë mendoj se shfaqja në tërësi ka pasur disa probleme sidomos natën e parë ku për arsye teknike aktorët nuk u dëgjuan. Mendoj se shfaqja nga ana regjisoriale e ka arritur qëllimin e vet pasi nga publiku normal më kanë thënë që është kuptuar. Kjo për mua është një arritje shumë e madhe pasi kjo vepër është pak e vështirë, por është kuptuar arsyeja, është kuptuar qëllimi, janë kuptuar katër personazhet dhe kjo ka qenë gjëja e parë që unë kam dashur të bëj në regji.
Pse pikërisht veprën e Becket, “Fundi i Lojës”?
Kjo nuk ishte një zgjedhje, të them të vërtetën ka shumë autorë të mirë, por në momentin që unë jam përballur me Becketin sidomos me këtë vepër se ai ka shumë vepra të tjera, kam parë një lloj ideje apo arsyen që e ka shkruajtur autori. Becketi me këtë vepër tregon një fund të pashmangshëm të njerëzimit dhe sado që ne mundohemi me rutinën me gjërat e tepërta që ka jeta përsëri ai prapë do të vij, nuk mund ta largojmë. Pastaj ajo që më ka shtyrë më shumë është dhe mënyra e personazheve, aktorëve që janë në lojë dhe specifika e tyre. Teatri absurd ka një lloj të shprehuri shumë ndryshe nga realisti, çdo fjalë që thuhet është esenca e veprës.
Si e shikojmë Elisin në një të ardhme?
Është fillimi dhe jam i etur për të bërë vepra dhe për të vënë shfaqje, shpresoj që të kem mundësin që ato vepra të dalin në mënyrën profesionale dhe artistike.
26 Nentor 2009