Bashkia përcakton përfituesit e parë për apartamentet që do të ndërtohen
Emanuela Sako
Familjet që jetojnë në ndërtesën e ish-Uzinës së Autotraktorëve do të jenë të parët që do të përfitojnë strehim nga projekti i Bashkisë për të pastrehët në kryeqytet. Premtimi ka ardhur nga Bashkia e Tiranës, e cila ka siguruar se të gjithë banorët që jetojnë në kushte tejet të vështira në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të përfitojnë një banesë nga Bashkia e Tiranës. Kështu, të gjitha familjet që jetojnë në këtë ndërtesë, që është jashtë kushteve minimale të jetesës, do të strehohen në një nga 350 apartamentet që pritet të fillojnë të ndërtohen. Asnjë prej tyre nuk do të dalë në rrugë të madhe, siç ka ndodhur me banorët e zonës së Maternitetit të Ri, të cilëve iu shkatërruan shtëpitë. Numri i përfituesve të banesave sociale nga projektet e bashkisë për strehimin do të jetë 1297 familje.
Zona
Në këtë ndërtesë janë mjaft familje që kanë ardhur nga zonat e largëta të vendit dhe prej disa vitesh janë vendosur në këtë ndërtesë. Ata jetojnë në kushte tepër të vështira dhe nuk kanë mundësi tjetër strehimi. Këtë herë Bashkia ka vendosur që ata të bëhen pronarë të objekteve që kanë zënë, por duke iu nënshtruar të gjitha procedurave të aplikimit. Në të kundërt, ata nuk do të bëhen pjesë e skemës së përfitimit dhe përzgjedhjes që do të bëhet nga Drejtoria e Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës. Zyrtarisht, këta banorë njihen si të jashtëligjshëm dhe në këto banesa, pasi ndërtesa është pronë shtetërore dhe projekti parashikon ndërtimin e 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Në Drejtorinë e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës deri tani janë dorëzuar rreth 3372 formularë, mes të cilëve do të bëhet përzgjedhja në bazë të kritereve të përcaktuara.
Projekti
Projekti për banesat sociale është në fazën e miratimit të tij dhe mendohet që në fund të nëntorit të kryhet tenderi i zbatimit. Pas përfundimit të procedurave të tenderimit pritet që të fillojnë punimet për zbatimin e menjëhershëm të projektit brenda afateve të përcaktuara. Aplikimi për përfitimin e banesave me kosto të ulët kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të Drejtorisë.
29 Tetor 2008