Letrat me vlerë, privatizimet rrisin çmimin për bonot e privatizimit
Ervin Koçi
Vendimi i Këshillit të Ministrave për nxjerrjen në shitje të të gjitha aksioneve ku pronar është shteti, ka bërë që vlera e bonove të privatizimit në tregun e lirë të valutës të rritet. Dje në sheshin përpara Bankës së Shqipërisë tregtarët i kanë shitur bonot me 5 për qind të vlerës, ndërkohë që para vendimit të qeverisë vlera e tyre nuk ishte më shumë se 2 për qind. Kështu, një bono privatizimi me vlerë 100 mijë lekë blihet për 5 mijë lekë. Pak ditë më parë kryeministri Sali Berisha shpalli vullnetin e qeverisë për të privatizuar të gjitha aksionet e shtetit në ndërmarrjet tashmë të privatizuara. Mundësia për përdorimin e tyre mbetet në aksionet e disa ndërmarrjeve, që janë ende të pronësi të shtetit. Sipas ligjit, pjesëmarrja e letrave me vlerë në privatizimin e ndërmarrjeve dhe shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë, përcaktohen në formulën e privatizimit, por në çdo rast ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të kontabilizuar. Mënyra e përfaqësimit të mbajtësve të aksioneve dhe të drejtat që rrjedhin prej tyre, përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
Ku mund të përdoren
Pavarësisht vlerës që kanë marrë në treg ditët e fundit letrat me vlerë, përdorimi real i tyre në privatizimin e pronës publike mbetet i kufizuar për shkak se ende nuk ka marrë formë të qartë. Qeveria premtoi në fund të vitit 2005 se do të hartonte një platformë të posaçme për mënyrën e përdorimit të bonove të privatizimit, të sanksionuar me ligj të veçantë. Përfshirja e publikut në privatizime do të varet krejtësisht nga gjendja e ndërmarrjeve dhe hidrocentraleve që do të përfshihen në këtë proces. Në rast se, ndërmarrja që do privatizohet ka një gjendje të rënduar ekonomike dhe kërkon shumë financime, futja në punë e bonove të privatizimit do të jetë e pamundur, shpjegojnë ekspertë në Ministrinë e Ekonomisë.
Afati i përdorimit
Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010. Në vitin 2005, Parlamenti ka shtyrë afatin e përdorimit të tyre. Mirëpo që nga koha kur u shty afati i përdorimit të tyre, ende nuk ka aktivizim real të bonove në privatizimin e pronës publike. Megjithatë, aktivizimi i bonove në procesin e privatizimeve nuk është aq i thjeshtë, pasi kërkon gjithashtu edhe licencimin e fondeve të investimeve nga Komisioni i Letrave me Vlerë. Deri tani, nuk ka asnjë fond të tillë të licencuar, për të investuar letrat me vlerë. Fondi i vetëm "Anglo-Adriatika" në këtë fushë, humbi të drejtën për t'u aktivizuar në privatizime nëpërmjet bonove për shkak se leja e aktivitetit skadoi në vitin 2000, ndërkohë që qeveritë e mëparshme nuk i dhanë të drejtë blerjeve të pronës publike me bono.
Pak histori, pse nuk u vlerësuan asnjëherë letrat me vlerë
Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces ndenji pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Nga socialistët më pas u bënë premtime, por asgjë konkrete. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbetën në dorë qytetarëve kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, është parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Po sipas këtij ligji, lidhur me mënyrën dhe masën e përdorimit të letrave me vlerë apo bonove, afati i bonove dhe lekëve të privatizimit duhej të ishte deri më 31.12.2005. Programi është përcaktuar me vendim të qeverisë, i cila nuk e ka anashkaluar problemin e bonove të privatizimit. Ministria e Ekonomisë, si përfaqësuese e së drejtës së pronësisë shtetërore, në mbështetje të legjislacionit në fuqi, ndër të tjera është e ngarkuar të realizojë transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare shtetërore dhe privatizimin e tyre. Në gjithë kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit është parashikuar edhe pjesëmarrja e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Por deri tani një gjë e tillë nuk është vënë asnjëherë në zbatim. Sipas interpretimeve të ministrit të Ekonomisë, Ruli, edhe sot kjo interpretohet si ligjërisht dhe tërësisht e mundshme.
Gjendja e bonove të privatizimit:
Të shpërndara 51.229.000.000, ose 68,3%
Të pashpërndara 23.748.000.000, ose 31,7%
Totali 74.977.000.000, ose 100%
Të përdorura në privatizim 10.935.193.000, ose 14,6%
Të papërdorura 64.041.807.000, ose 85,4%
29 Tetor 2008