E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i strategjikëve, kompanitë dhe aksionet që do të shesë qeveria



Ervin Koçi

Shteti shqiptar ka vendosur që të “humbasë” pronësinë e tij nga çdo pronë apo sektor ku ai është pronar i pjesshëm në aksione. Por shitja e të gjitha aksioneve shtetërore në kompanitë dhe sektorët strategjikë, e për më tepër në prag të zgjedhjeve elektorale, konsiderohet si një veprim i gabuar nga ekspertët e ekonomisë. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave, drejtuar nga kryeministri Berisha, ka shpallur “sfidën” e radhës të qeverisë: “Shitjen e të gjitha aksioneve që shteti i zotëron në kompani të ndryshme”. Për ta konkretizuar sfidën e radhës, qeveria miratoi që në fillim nisjen e procedurave për shitjen e aksioneve të mbetura te kompania celulare “AMC”, ndërsa të tjera vendime priten të merren deri në përfundim të procesit. Plani i qeverisë për t‘i shitur të gjitha asetet e saj në kompani të ndryshme nuk përputhet me një periudhë të përshtatshme, kjo e lidhur me disa shkaqe. Për Selim Belortanë, ekspert i ekonomisë për fushën e investimeve dhe tregtinë me jashtë, qeveria ka zgjedhur kohën më të papërshtatshme për shitjen e të gjitha aksioneve, jo vetëm të atyre në minorancë, por edhe i kompanive të mëdha si OSSH apo "Albpetrol". Deklarata e kryeministrit, se "brenda periudhës 1-vjeçare do të hiqet dorë plotësisht nga zotërimi i aksioneve në kompani dhe ndërmarrje të ndryshme", shikohet me mjaft dyshim nga ekspertë të fushës. Belortaja, drejtor Ekzekutiv i ACIT, thotë për gazetën se, procesi i privatizimit për të gjitha kompanitë është i vonuar dhe se efektet në buxhet do të jenë tepër të vogla, kjo për faktin se interesi i investitorëve të huaj ka rënë për shkak të krizës globale.

Shitja e aksioneve

Privatizimi i aksioneve të mbetura të ARMO-s, AMC-së, Albtelekomit, OSSH-së etj., është një proces i mbetur nga privatizimet e mëparshme, ku aksionet e shtetit aty janë të pjesshme ose aksione në minorancë. Qeveria aktualisht ka në dorë procesin e privatizimit të INSIG-ut dhe kolaudimin e automjeteve, ndërsa sapo ka mbyllur ARMO-n (85 për qind) dhe OSSH-në (76 për qind), blerësit e të cilëve u shpallën disa investitorë strategjikë. Sipas kreut të qeverisë, Berisha, "privatizimet kanë qenë plotësisht të suksesshme dhe kanë tejkaluar parashikimet në suksesin e tyre. Shpresojmë që edhe INSIG-u, për të cilin është hapur tenderi ndërkombëtar dhe kanë treguar interes të veçantë 8-12 kompani, do të privatizohet brenda vitit dhe po kështu aksionet e AMC-së, më pas aksionet e Albtelekomit, të ARMO-s”. Sipas tij, “qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere. Ajo ka mision e detyra të tjera. Në këtë kontekst, ne realizojmë me sukses të plotë një prej premtimeve më madhore në fushën ekonomike, premtimin e privatizimit transparent të sipërmarrjeve publike".

Privatizimet

Rikthimi i ligjit të privatizimeve ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e opinionit drejt sektorëve strategjikë pas një bllokimi relativisht të gjatë. Ky proces u bllokua si pasojë e përplasjeve që kishte me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi ky ligj ndalonte privatizimin e objekteve shtetërore, ndërkohë që procesi ka vazhduar. Tashmë me riaktivizimin e tij të parët që do të përfitojnë do jenë ish-pronarët e truallit, pasi ligji u jep atyre të drejtën e parablerjes. Aktualisht në proces është vetëm kompania “Albtelekom”, ndërsa pritet që të fillojnë edhe sektorët e tjerë strategjikë. Deri tani janë privatizuar pothuaj 100 për qind e sektorëve të industrisë ushqimore, bujqësia, industria joushqimore duke përfshirë minierat, ndërmarrjet e tekstilit dhe të këpucëve, të prodhimit të artikujve industrialë, të duhanit, të transportit të brendshëm të udhëtarëve etj. Privatizimi ka përfshirë edhe Aeroportin e Rinasit, ndonëse si hap të parë me dhënie koncesionare, si dhe ndërmarrje të ujësjellësve dhe të energjisë elektrike, sektorë të veçantë të të cilëve do të privatizohen 100 për qind në të ardhmen.

Koncesionet

Paralelisht me procesin e privatizimeve ka përfunduar edhe ligji i koncesioneve. Miratimi i këtij ligji ka ndryshuar rrënjësisht procedurat e dhënies me koncesion të shumë prej HEC-eve dhe TEC-eve, si dhe një pjesë të rrugëve kryesore të vendit. Ndërkohë që pritet që me ligjin e ri të jepen me koncesion edhe ndërtimi i linjave hekurudhore dhe përmirësimi përfundimtar i këtij shërbimi. Aktualisht janë dhënë me koncesion 54 HEC-e vendore, si dhe TEC-i në Fier, ndërkohë po shikohet mundësia edhe për një sërë objektesh në infrastrukturën rrugore.

Selami Xhepa: “Nuk ka vendim për shitje në bllok”

Këshilltari i kryeministrit Berisha për çështjet ekonomike, Selami Xhepa, qartëson disi situatën e krijuar pas vendimit të qeverisë. "Nuk ka asnjë vendim të qeverisë që lejon privatizimin e të gjitha aseteve në bllok të vetëm. Është marrë vendimi vetëm për shitjen e aksioneve të AMC-së", - sqaron për mediat Xhepa. Në fakt, vendimi për shitjen e aksioneve të AMC-së u mor pas deklaratës publike të Kryeministrit Berisha për të hequr dorë nga çdo aksion i shtetit në kompani të ndryshme dhe se brenda vitit do të përfundojë i gjithë procesi. "Kjo është deklaratë politike dhe se qëndrimi i Kryeministrit duhet marrë si çështje parimore. Pra, në parim, qeveria do të heqë dorë nga asetet e saj, por vendim për këtë nuk është marrë ende".

Privatizimet e aksioneve shtetërore në vendet e rajonit

1. Kosovë
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sapo është ngritur, ndërkaq pritet privatizimi i Korporatës Elektrike të Kosovës dhe PTK-së, ku përfshihet edhe operatori "Vala", dy prej kandidatëve më të fortë për t‘u shitur.

2. Bosnja
Republika Serbe, një nga dy gjysmat e Bosnjës, ka privatizuar të gjitha asetet, ndërsa privatizimi në federatën kroate-myslimane ka ngecur për shkak të grindjeve politike. Në proces "Aluminij Mostar" dhe "BH Telekom".

3. Kroaci
Qeveria kroate zotëron aksione në rreth 1100 kompani, por shumica prej tyre janë të zhytura në borxhe, me përjashtim të disa hoteleve në Adriatik. Pesë nga portet në gjendje të keqe do të shiten vitin e ardhshëm.

4. Mali i Zi
Qeveria ka shitur rreth 95% të aksioneve në të gjitha sektorët, ndërsa ka mbetur pa shitur kompania e energjisë elektrike "Elektroprivreda" (e vlerësuar 300 milionë euro), kompania "Montenegro Airlines" etj.

5. Serbia
"Telekom Srbija", procesi i privatizimit mund të shtyhet si pasojë e krizës financiare globale, ndërsa nuk ka asnjë plan për monopolin e energjisë elektrike, EPS. Në fondin e privatizimit të shtetit ka rreth 300 kompani.

Shuma në përqindje e aksioneve të shtetit në kompanitë strategjike

Nr. Emri i kompanisë Aksionet shtetërore në posedim
1. ARMO 15%
2. Albpetrol 100%
3. OSSH 24%
4. AMC 12.5%
5. Albtelekom 24%
6. KESH 49%
7. INSIG 61%
8. Ujësjellës Sh.a. 100%
9. Hidrocentralet 100%
10. Ndërmarrje dhe ish-fabrika shtetërore Vlera të ndryshme

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›