E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filologjiku, rezultatet e Masterave dalin të premten për tre programe



Jonida Tashi

Emrat e kandidatëve fitues, që do të ndjekin studimet e ciklit të dytë (masterin 2-vjeçar), në Fakultetin e Histori-Filologjisë, do të shpallen ditën e premte. Lajmi bëhet i ditur nga zëvendësdekania e këtij fakulteti, Valentina Duka, e cila sqaron se ditën e premte do të shpallen rezultatet e fituesve vetëm në tre programe studimi të ciklit të dytë. Përkatësisht do të shpallen fituesit që do të ndjekin masterin 2-vjeçar në Gazetari, Gjuhësi dhe Histori. Mosdërgimi i vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat ka bërë që shpallja e rezultateve për programet e tjera të ciklit të dytë që ofron ky fakultet dhe për masterat e mësuesisë për të gjitha degët të mos realizohet brenda afateve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit. Për këtë, Duka shprehet: “Rezultatet për studimet “Master” pritet të shpallen në dy faza. Sipas vendimit të qeverisë, neve na mungojnë kuotat e Letërsisë dhe të Gjeografisë si dhe kuotat për masterat e mësuesisë për të gjitha degët e fakultetit”. Në udhëzimin e MASH-it është përcaktuar që regjistrimi i aplikantëve në programet e studimit të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, të zhvillohej nga data 23 deri në datën 27 tetor, prej orës 08.00 deri në orën 18.00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore. Kurse regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit, ku janë shpallur fitues, të zhvillohet nga data 29 deri në datën 31 tetor, prej orës 08.00 deri në orën 18.00 pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë.
Problemi
Por, tepër problematike në Fakultetin Filologjik paraqitet nisja e studimeve në dy degë të ciklit të dytë e më konkretisht në Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore. Madje, ky fakt konfirmohet edhe nga zëvendësdekania e Filologjikut, e cila thekson se shkak për rrezikimin e nisjes së studimeve në këto dy profile është bërë tarifa e studimit që ka miratuar qeveria. Sipas Dukës, kjo tarifë e lartë studimi, përkatësisht 720 mijë lekë një vit akademik për secilën degë, ka bërë që kërkesat për nisjen e studimeve 2-vjeçare në Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore të jenë tepër të ulëta. “Tarifa e miratuar është shumë e lartë dhe nuk na morën parasysh. Kjo taksë e lartë ka bërë që të rrezikohet hapja e studimeve në këto dy degë, madje dhe kërkesat janë të ulëta”, - pohon Valentina Duka. Më tej, ajo sqaron se më vonë drejtuesit e Fakultetit Histori-Filologji do t’i kërkojnë qeverisë ulje të tarifës së studimit për Arkeologjinë dhe Trashëgiminë Kulturore. Krahasuar me degët e tjera të ciklit të dytë që ofron Fakulteti Filologjik, tarifat e studimit të miratuara nga qeveria për degët Arkeologji dhe Trashëgimi kulturore janë pothuajse dyfish më të larta.
Afatet
Data 10 nëntor është afati i vendosur nga Ministria e Arsimit për nisjen e studimeve “Master i nivelit të dytë”, me kohë të plotë. Të gjendur përballë këtij afati drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës po punojnë që studimet të nisin në kohën e duhur. Por, në pjesën më të madhe të tyre vërehet se ky afat është i vështirë të respektohet, pasi vendimet e qeverisë për kuotat dhe tarifat e studimit janë marrë me vonesë. Kjo ka bërë që në fakultete të pengohet puna për nisjen e aplikimeve. Rasti konkret që vërteton këtë është mosnisja e aplikimeve për masterin 2-vjeçar për Letërsi dhe Gjeografi si dhe për masterin 1-vjeçar në mësuesi në Fakultetin Histori-Filologji. Ndërkohë sipas udhëzimit të MASH-it, studimet në masterat 1-vjeçar për mësuesi në të gjitha universitetet e vendit duhet të nisnin në datën 20 tetor. Po në datën 20 tetor, sipas MASH-it, duhet të fillonte viti akademik 2008-2009, në programet e studimit të ciklit të dytë, diploma të nivelit të dytë.
Kuotat
Qeveria ka miratuar 320 kuota pranimi për masterin 1-vjeçar në mësuesi, për arsimin e mesëm për Fakultetin Filologjik. Kuotat janë ndarë në tri degë, ku për lëndën Gjuhë-Letërsi janë përcaktuar 120 kuota, për Historinë 100 dhe për Gjeografinë po 100 kuota pranimi. Por megjithëse qeveria ka bërë miratimin dhe botimin e tyre në Fletoren Zyrtare, drejtuesit e Filologjikut nuk janë njohur ende me to. Madje, qeveria pak kohë më parë ka miratuar edhe tarifat e studimit për masterin 1 dhe 2-vjeçar. Kështu, masteri 1-vjeçar në mësuesi, për arsimin e mesëm, në fakultetet e Universitetit të Tiranës do të kushtojë 36 mijë lekë. Masteri 1-vjeçar në mësuesi, për arsimin e mesëm mund të ndiqet vetëm në tre fakultete të Universitetit të Tiranës. 970 kuota janë vënë në dispozicion për studimet master në mësuesi, për arsimin e mesëm, në UT të cilat janë shpërndarë në tre fakultete të këtij universiteti. Përkatësisht, masteri në mësuesi, për arsimin e mesëm në Universitetin e Tiranës mund të ndiqet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin Histori-Filologji. Programet e studimeve master i nivelit të parë në mësuesi, për arsimin e mesëm, realizohen me 60 kredite dhe zgjatja normale e tij është një vit.

Kuotat për “Master të nivelit të parë” në mësuesi
Në Fakultetin Histori-Filologji:
Në lëndën Gjuhë-Letërsi 120
Në lëndën Histori 100
Në lëndën Gjeografi 100

Tarifa
Masteri njëvjeçar në mësuesi, për arsimin e mesëm, në Universitetin e Tiranës do të kushtojë 36 mijë lekë.

Kuotat për programet e ciklit të dytë
Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor dhe turistik 100
Përkthim letrar dhe interpretim 80
Gjuhësi 100
Histori 100
Arkeologji 20
Trashëgimi kulturore 20
Marrëdhënie ndërkombëtare 30
Gazetari 150
Letërsi nuk dihet ende
Gjeografi nuk dihet ende

Tarifat
Arkeologji 72 000 lekë
Trashëgimi kulturore 72 000 lekë
Të gjitha programet e tjera 48 000 lekë

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›