Qendra e Konsultave, rreth 150 pacientë në radhë për vizita
Emanuela Sako
Mjekët nuk zbatojnë oraret e vizitave të përcaktuara nga Drejtoria e QSUT-së. Çdo ditë, në Qendrën e Konsultave në QSUT, presin në radhë rreth 150 pacientë të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Qytetarët deklarojnë se kërkojnë të kryejnë një vizitë te specialistët përkatës dhe janë të detyruar të presin në radhë që prej orës 08. 30 të mëngjesit, por specialistët nuk ndodhen në dhomat e vizitave. Ata deklarojnë se nga infermierët u është thënë se mjekët vijnë nga ora 12.00 e mesditës dhe të gjithë duhet të ruajnë radhët e tyre para dhomës së konsultave, sepse radha e pacientëve shtohet në çdo kohë. Burime nga Drejtoria e QSUT-së shpjeguan rregulloren e përcaktuar për oraret e mjekëve dhe punën që kryhet në Qendrën e Konsultave. Pacientët denoncojnë rastet, duke u shprehur se kjo gjë është bërë e përditshme nga ana e mjekëve.
Rregullorja
Mjekëve u është përcaktuar një rregullore fikse për kryerjen e vizitave të pacientëve. Kështu, Qendra e Konsultave është i vetmi vend ku lejohet kryerja e vizitave për të shmangur radhët e gjata dhe kaosin që mund të krijohej në pavijone në rast se do të lejoheshin vizitat. Ndërsa në pavijone nuk lejohet të kryhet asnjë vizitë dhe mjekët që punojnë aty kanë të përcaktuar me rregullore se secili prej tyre duhet të kryejë vizita në Qendrën e Konsultave një ditë në javë. Në këtë qendër ofrohen të gjitha shërbimet përkatëse dhe çdo specialist duhet të gjendet në këtë qendër nga ora 08.00 deri në orën 16.00. Duke qenë se mjekët shkojnë për pritjen e pacientëve në oraret që dëshirojnë, radhët e gjata bëhen të pashmangshme.
Ankesa
Burime nga Drejtoria e QSUT-së shprehen se për një situatë të tillë ka pasur ankesa nga pacientët, sidomos të atyre që vijnë nga rrethet. Mjekët vazhdojnë të bëjnë të njëjtin itinerar pasi ndaj tyre nuk është marrë asnjë masë disiplinore dhe në shumicën e rasteve gjejnë ndonjë justifikim. Kështu, justifikimi që ata përdorin rëndom është se kanë pasur punë në pavijon me pacientët që duhet të ndjekin apo se nuk ka pasur pacientë në momentin që kanë shkuar për vizitë. Zyra e Ankesave në QSUT pret çdo ditë që në dyert e saj të shkojnë pacientë për të zyrtarizuar ankesat e tyre, pasi në pavijone nuk lejohet të kryhen vizita. Mjekët abuzojnë rëndom duke kryer vizita në dhomat e pavijoneve.
Bashkia e Tiranës merr Çmimin e Nderit në konkursin ndërkombëtar për arkitekturën
Bashkia e Tiranës vlerësohet në Bruksel me Çmimin e Nderit në konkursin ndërkombëtar “Çmimi Europian i Arkitekturës 2008”, për arkitekturën më të mirë. Në garën e zhvilluar, kanë marrë pjesë 88 qytete europiane, përfaqësuesit e të cilave kanë ekspozuar projektet e tyre urbanistike. Tirana u përfaqësua në këtë aktivitet me projektin për rehabilitimin e shtratit të Lanës, që është një arritje në vlefshmërinë publike. Këto kanë qenë arsyet, të cilat bënë që juria të vlerësojë stafin e Bashkisë së Tiranës me “Çmimin e Nderit”, duke e cilësuar rehabilitimin e Lanës si një “operacion të shkëlqyer urban dhe publik”. “Çmimi Europian i Arkitekturës”, fillimet e tij i ka në vitin 1982, kjo periudhë ka qenë e ngarkuar me projekte bashkëkohore, të cilat ndoqën kryesisht vazhdimësinë e traditës europiane të konceptimit të qyteteve. Ndër qytetet e tjera të cilat kanë marrë çmim në këtë konkurs ishin Drezden në Gjermani, Palermo dhe Aleksandria në Itali, Sudsvall në Suedi dhe Bruksel në Belgjikë.
Më tej një ekspozitë shëtitëse e organizuar nga fondacioni i arkitekturës “Philippe Rothier”, do të promovojë projektet fituese, të përzgjedhura nga juria ndërkombëtare. Vizioni për Europën do të përcillet edhe në “Trienalen e pestë”, që do të zhvillohet në Bolonja të Italisë, me pjesëmarrjen e projekteve të këtij edicioni.
29 Tetor 2008