E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bashkia po rrit taksat për makinat që hyjnë në Tiranë”

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Financave i kundërpërgjigjet deklaratës së kreut të Partisë Socialiste, njëkohësisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, lidhur me rritjen e taksave nga Qeveria. Zëvendësministri i Financave, Florian Mima, tha se nuk qëndron akuza e Ramës se bizneset e vogla penalizohen nga prezantimi i taksës së sheshtë prej 10 për qind që ato do të duhet të paguajnë në fund të tremujorit të parë për vitin 2009 për aktivitetin e vitit 2008. “Kjo është totalisht e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për asnjë taksë të re. Kemi thënë dhe sqaruar disa herë më parë se kjo është thjesht një metodë rakordimi për të kaluar nga taksimi i paragjykuar në taksimin real. Bizneset e vogla, të cilat paguajnë kuotat fikse në Bashkinë e Tiranës dhe bashkitë e tjera të vendit, në përfundim të vitit do të duhet të bëjnë rakordimet me pushtetin qendror duke dorëzuar një deklaratë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe ne presim që në fund të këtij procesi shumica e bizneseve jo vetëm që nuk duhet të paguajnë takse shtesë, por në të kundërt pjesa më e madhe e tyre do të rimbursohen për tatimin e paguar tepër në komuna dhe bashki”, - tha ai. Për sa i përket rimbursimit, Mima sqaroi se ai do të përballohet totalisht nga fondet e pushtetit qendror dhe, nëse do të ketë të ardhura shtesë, ato do të transferohen pranë pushtetit vendor. “Kryetari i Bashkisë së Tiranës duhet të shikojë taksat dhe tarifat vendore, të cilat vetëm nga viti 2007 në vitin 2008 janë rritur me një ritëm nga 25 – 40 %. Të tilla janë si taksa e gjelbër e cila si një taksë e përkohshme është miratuar vetëm nga Këshilli Bashkiak, pra pa autorizim ligjor specifik; tarifa e pastrimit; taksa e pasurisë; dhe më e keqja akoma, një taksë te re e cila po ashtu është prezantuar gjatë këtij viti me vendim të njëanshëm të Këshillit Bashkiak dhe që ka të bëjë me të gjitha kamionçinat, kamionët, mikrobusët, autobusët etj., me targa jo të Tiranës, por që hyjnë për furnizime a transport në Tiranë dhe që për çdo prekje të tyre në territorin e Tiranës ato do të duhet të paguajnë 1 mijë lekë taksë, një çmenduri e vërtetë kjo”, - sqaroi ai.

Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›