E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Policia të zbatojë ligjin, larg tendencave politike”

Autori i Lajmit: red.
“Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje, me profesionalizëm dhe përkushtim, jashtë çdo lloj tendence politike, ju do të përmbushni detyrimet tuaja në interesin më të mirë të vendit.”, deklaroi dje shefi i ekzekutivit Berisha. Kryeministri i bëri këto deklarata gjatë ceremonisë së përurimit të godinës së re të komisariatit të policisë në Kamzë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 104 milion lekë, se rezultatet në luftën kundër krimit janë impresionuese, por në asnjë moment nuk duhet ulur vëmendja ndaj tij. “Krimin duhet ta luftojmë me vendosmëri të madhe. Nuk mund të mendohet se ai do të zhduket, por është e rëndësishme që krimi të jetë nën një presion të vazhdueshëm dhe konstant se do të marrë përgjigje ligjore”, tha ai. Duke e konsideruar të rëndësishme ngritjen e një infrastrukture moderne në punën e policisë, Berisha u shpreh se Policia e Shtetit me rezultatet e saj në luftën kundër krimit u bë një kontributor i rëndësishëm në procesin e integrimit në NATO. Berisha tha se Shqipëria ka treguesin e kriminalitetit nën mesataren e vendeve të BE-së, por duhet të përcaktohen objektiva edhe më ambicioze, duke arritur treguesit e kriminalitetit në nivelin e ulët të vendeve të BE-së. Në takimin me efektivat e policisë së këtij komisariati, Kryeministri u ndal edhe në zgjedhjet e 28 qershorit dhe shprehu bindjen se Policia e Shtetit do të përmbushë me profesionalizëm dhe përkushtim të gjitha detyrimet e saj. “Ju keni krijuar një traditë të shkëlqyer të qëndrimit ligjor në procesin zgjedhor, procesi më i rëndësishëm që vendi ka çdo 4 vjet. Unë jam i bindur se ju do t i qëndroni traditës suaj shumë të mirë. Forcat politike bëjnë garën, ju bëni ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është kërkesa e kësaj qeverie. Në zgjedhjet e fundit keni kryer një detyrë shumë delikate, por e keni kryer me përgjegjësinë më të lartë dhe është meritë e organeve të rendit, ndaj të cilave nuk ka pasur asnjë ankesë nga asnjë forcë politike. Ju keni bërë me përgjegjësi të madhe transportin dhe të gjitha detyrat tuaja. Jam i bindur se edhe në këto zgjedhje, me profesionalizëm dhe përkushtim, jashtë çdo lloj tendence politike, ju do të përmbushni detyrimet tuaja në interesin më të mirë të vendit. Në këto zgjedhje, prozhektorët e të gjithë botës së qytetëruar janë drejtuar tek ne, sepse ne bëhemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi një detyrim e përgjegjësi shumë më të madhe si ndaj zgjedhësve tanë, ashtu edhe ndaj aleatëve, ndaj atyre që na dhanë një besim të paprecedent në historinë e kombit tonë për anëtarësimin në NATO. Unë jam shumë i bindur për përkushtimin e organeve të policisë që do të japin të gjithë kontributin e tyre për një fushatë zgjedhore pa konflikte, për një fushatë zgjedhore në të gjitha rregullat ligjore dhe ditën e zgjedhjeve, sikundër e theksoj edhe një herë kemi krijuar një traditë jashtëzakonisht pozitive, kjo traditë do të konsolidohet më tej. Në polici ne kërkojmë ndershmëri dhe profesionalizëm. Në këtë sektor dhe sektorë të tjerë, ne duam që të jenë tërësisht në kuadrin e ligjit, profesionalizmit dhe përkushtimit dhe ky është kontributi më i madh që ata japin për vendin, për forcat politike dhe për të gjithë”, përfundoi kreu i mazhorancës Berisha.
Ky lajm është publikuar: 01/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›