E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaranika, rreziku i Elbasanit lë jashtë legalizimit 100 objekte

08/04/2010 Prefekti Shefqet Deliallisi takim me Genc Rulin për investimin e digës, projekti 200 milionë lekë

ELBASAN- Mbi 100 banesa janë përjashtuar nga procesi i legalizimit pasi ndodhen në shtratin e përroit të Zaranikës dhe janë në rrezik të përhershëm përmbytjeje. Nisur nga ky shqetësim, por edhe nga dëmtimi i kanalit që mbledh ujin e përroit, prefekti Deliallisi ka zhvilluar një takim me ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, për këtë problem. Në takim është kërkuar ndërhyrja në digën kryesore që është tejmbushur dhe ka dalë jashtë funksionit. Ndërtimi i një dige të re do të kërkonte një investim të madh të papërballueshëm në nivel vendor nga Bashkia Elbasan.

Projekti

Prefekti deklaroi se ministrit i është dërguar projekti dhe i është shpjeguar situata emergjente dhe domosdoshmëria e këtij investimi. Për shkak të mungesës së digës përmbyten me qindra shtëpi dhe rrezikohen me dhjetëra të tjera për shkak të gërryerve që krijohen nga prurjet e ngurta të përroit. Mendohet që ky projekt të kushtojë rreth 200 milionë lekë të reja ku përfshihet diga, pastrimi i shtratit dhe riparimi i traseve të kanalit që grumbullon ujërat e përroit të rrezikshëm. Nisur nga situata e përmbytjeve ALUIZNI Elbasan ka marrë vendim për të përjashtuar nga procesi rreth 100 familje që kanë bërë vetëdeklarimin për legalizimin e objekteve pa leje. Sipas agjencisë, përjashtimi i tyre bëhet për shkak se ndodhen në një territor që përmbytet shpesh nga Zaranika dhe se banorët nuk mund të jetojnë përgjatë shtratit të Zaranikës. E vetmja zgjidhje për këta banorë është ndërtimi i digës dhe thellimi i shtratit në të kundërt kjo zonë që përfshin jo pak, por mbi 100 familje do të mbetet informale pa legalizime dhe pa një infrastrukturë të denjë për qytetin. Prefekti Deliallisi tha se pret një përgjigje pozitive nga ana e ministrit Ruli, por deri atëherë në rast shirash e gjithë zona përgjatë përroit rrezikohet nga përmbytjet e vazhdueshme dhe nëse nuk ndërhyhet përroi rrezikon përmbytjen e një pjese të mirë të qytetit dhe të dëmeve të pariparueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›