E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, projekt veror për nxënësit që duan të braktisin shkollat



Bashkia e Tiranës kërkon të ndërgjegjësojë të rinjtë për vazhdimin e shkollës dhe integrimin e tyre në shoqëri, pavarësisht problemeve sociale që ata mund të kenë. Për këtë arsye, bashkia ka organizuar veprimtari të ndryshme me nxënës nga 10 shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit nën moton “ Të mësojmë duke vepruar”. Gjithçka është përgatitur në bazë të aktiviteteve verore, ku të gjithë mund të mësojnë të pikturojnë, të këndojnë apo të kryejnë aktivitete fizike. Kështu, Drejtoria e Kujdesit Social dhe Sektori i Standardeve Arsimore, është e angazhuar që këtë verë të mbështesë me projekte social-arsimore grupe fëmijësh, të cilët shfaqin tendencë për braktisjen e shkollës. Ky projekt, organizohet çdo vit, por këtë herë ka përfshirë nxënës nga më shumë shkolla. Të gjitha këto shkolla, kanë nxënës me probleme të theksuara social-ekonomike. Sipas të dhënave të bashkisë, mjaft prej familjeve të nxënësve janë kufirin minimal të varfërisë dhe janë më të ekspozuara ndaj divorcit, dhunës brenda familjes, papunësisë, krimit etj. Ndër këto komunitete një numër i konsiderueshëm i këtyre fëmijëve janë Rom dhe vuajnë nga përjashtimet sociale dhe arsimore. Projekti synon të nxisë tË mësuarit nëpërmjet lodrave, ekskursioneve, dhe aktiviteteve sportive dhe artistike, si dhe të plotësojë të drejtat e fëmijëve për mësim argëtim dhe edukim qytetar. Një ndër objektivat kryesore të bashkisë është që të stimulojë talentet e fëmijëve dhe të nxisë formimin e tyre intelektual. Shkollat që do të zhvillohet pritet të zhvillohet projekti veror janë: “Kushtrimi i Lirisë”, ”Ibrahim Brahja”, “Bajram Curri”, “Gjon Buzuku”, “Shyqyri Peza”, “Qazim Turdiu”, “Hasan Vogli”, “Kolë Jakova”, “Isa Boletini” dhe “28 Nëntori”. Këto shkolla janë të përzgjedhura nga bashkia me bashkëpunimin e Drejtorisë Arsimore Rajonale të Tiranës për të për të mbështetur fëmijët dhe familjet në nevojë në zonat periferike të kryeqytetit. Përfshirja në projektin “ të mësojmë duke luajtur”, përfshin rreth 1600 fëmijë të zonave periferike. Nga zbatimi i këtij projekti në dhjetë shkolla 9- vjeçare do të përfitojnë fëmijë të moshave nga 10-14 vjeç, familjet dhe komuniteti i zonave periferike, Shkozë, Sauk, Kinostudio, Kombinat, Don Bosko, Kodër Kamëz, Bregu i Lumit dhe Laprakë. Kohëzgjatja e këtij projekti është parashikuar të realizohet në 4 javë mësimore, nga e hëna në të premte. Njëkohësisht do të zhvillohet në periudhën më të nxehtë të verës, në muajt korrik dhe gusht. Fondi i bashkisë për këtë projekt është parashikuar të jetë 3 691 500 lekë. Pritet që projekti të marrë formën e prerë edhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

2 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›