Bashkia propozon që një rrugë në Tiranë të marrë emrin Dritan Hoxha
Në nderim të njeriut që bëri revolucion në botën e medias vizive, pronarit të Top Medias, Dritan Hoxha, një rrugë në kryeqytet pritet të marrë emrin e tij. Bashkia e Tiranës ka hartuar një projektvendim në të cilin thuhet se një nga rrugët e kryeqytetit do të marrë emrin e Dritan Hoxhës, i cili humbi jetën në një aksident tragjik me makinë. Përderisa jeta e tij përfundoi tragjikisht në një nga rrugët e kryeqytetit, atëherë në respekt të kontributit të tij, rruga duhet të marrë emrin e tij. Ditën e hënë, Këshilli Bashkiak i Tiranës do ta shqyrtojë këtë çështje dhe në fund anëtarët do të votojnë pro ose kundër. Bashkia e Tiranës synon të përkujtojë dhe të shprehë nderim dhe respekt për të gjithë ata qytetarë të Tiranës që kanë dhënë kontributin e tyre për komunitetin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Një prej këtyre emrave është edhe pronari i Top-Channel, i cili, nëpërmjet drejtimit të televizionit, ka dhënë një ndihmesë të madhe, duke mos nxitur anshmëri politike apo raciale. Teknika e re dhe bashkëkohore si dhe mënyra në dhënien e informacioneve, spektakleve, teknologjia më e fundit, u promovuan për herë të parë nga ai. Nëpërmjet Top-Medias, zoti Hoxha i dha Shqipërisë një imazh të ri, një traditë të re dhe një hapësirë të re për botën e informacionit. Pronari i Top Medias, Dritan Hoxha, ishte themelues i “Top Albania Radio”, “Top Channel” dhe “DigitAlb”, i cili humbi jetën pas një aksidenti automobilistik në orët e para të mëngjesit të 23 majit. Ai është vlerësuar nga mjaft zyrtarë dhe intelektualë nga vendi dhe nga Europa, të cilët e vlerësojnë për gjithçka që ka bërë për vendin e tij dhe frymën e re që u përcolli mediave në Shqipëri.
27 Shtator 2008