Legalizimi i banesave, nis shqyrtimi i kërkesave për privatizimin
Emanuela Sako
Banorët e Tiranës, që nuk kanë kryer regjistrimin e banesës së tyre pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. Janë mjaft familje që në mbledhjen e së hënës do të marrin një përgjigje për privatizimin e banesave dhe lidhjen e kontratave para noterit. Burime pranë këtij këshilli shprehen se bëhet fjalë për banesa shtetërore që janë ndërtuar para viteve ’90 dhe gjatë kësaj kohe nuk kanë përfunduar procesin e legalizimit. Ndërkohë, pranë Bashkisë janë paraqitur mjaft kërkesa nga një numër i madh qytetarësh që kërkojnë legalizimin e banesave pranë Bashkisë së Tiranës, të cilat do të shqyrtohen nga Këshilli Bashkiak rast pas rasti. Por këtë herë janë përzgjedhur, 23 familje, të cilat kanë përfunduar procedurat e diskutimit në komisionet përkatëse në bashki dhe tashmë do të jepet e drejta përfundimtare nga Këshilli Bashkiak për përfundimin e procedurave dhe privatizimin e banesave të tyre.
Procesi
Këshilli Bashkiak do të caktojë njësinë përgjegjëse për përfundimin e procedurave. Nga sa është diskutuar në komisionet e posaçme në bashki, njësia që do të merret me këtë çështje është Drejtoria Nr. 3 e punëtorëve të qytetit, e cila do të marrë në shqyrtim të gjitha rastet e banesave që kanë qenë shtetërore dhe tani do të legalizohen nga familjet që kanë paraqitur kërkesën dhe kanë nisur procedurat e legalizimit. Për përcaktimin e njësisë përkatëse për përfundimin e procedurave të legalizimit është vendosur që të përcaktohet nga Bashkia e Tiranës. Sipas burimeve të Këshillit Bashkiak, ligji për privatizimin e banesave shtetërore e ka humbur fuqinë dhe Këshilli i Ministrave nxori ligjin e ri. Në bazë të këtij ligji, kompetencat për përcaktimin e njësisë për përfundimin e procedurave për privatizimin e banesave shtetërore do të merret Bashkia e Tiranës. Këshilli Bashkiak i Tiranës ngarkon kryetarin e Bashkisë me detyrën e përcaktimit të njësisë përkatëse.
Qytetarët
Me nisjen e privatizimit dhe zënien pa leje të banesave apo të territoreve në pronësi të dikujt ose jo, pas viteve ’90, bënë që çështja e pronësisë apo legalizimit të jetë një çështje tepër e komplikuar dhe çon në krijimin e një situate që do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Kështu, të gjitha banesat dhe objektet e kthyera në banesa do të shqyrtohen për t’u vendosur përfundimisht nën pronësinë e të gjithë atyre familjarëve që prej shumë vitesh jetojnë në atë strehë që kërkojnë të legalizojnë.
Tarifë e veçantë për hipotekimin para shitjes
Nuk mund të ketë hipotekim të pronës nëse nuk ke paguar taksën e truallit. Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme e paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që “fitim kapital i realizuar” nënkupton diferencën ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë, ndërtesë apo tokë. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.
Truall
Një objekt, i cili ka një vlerë monetare që varion nga 1 milion deri në 3 milionë lekë dhe kjo banesë do të shitet nga pronari, ky i fundit do të bëjë një akt noterial, i cili do të kushtojë 3500 deri në 7 mijë lekë. Por, me rritjen e vlerës së objektit apo të tokës, rritet edhe tarifa e pagimit të një kontratë apo akti noterial. Kështu, nëse vlera e një objekti varion nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë, tarifa e aktit shkon deri në 8500 lekë. Ndërkohë, në rast se ky çmim i objektit arrin nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë, atëherë vlera e një pasurie të paluajtshme noteriale është 23 mijë lekë. Nëse varion nga 70 milionë deri në 100 milionë tarifa e aktit noterial shkon deri në 100 mijë lekë. Për një shumë të madhe, pronarit të truallit, apo të një objekti dhe nëse vlera e këtij të fundit shkon në mbi 100 milionë lekë, i duhet të paguajë aktin noterial 150 mijë lekë. Këto janë tarifa bazë dhe të gjitha këto shuma llogariten përpjesëtimisht.
Këshilli Bashkiak vendos për privatizimin e banesave për 23 familje
Rreth 23 familje të kryeqytetit do të marrin përgjigje përfundimtare për privatizimin e banesave të tyre. Çështja e këtyre familjeve do të diskutohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës ditën e hënë, ku anëtarët do të japin vlerësimin e tyre për çështjen e privatizimit të banesave të tyre. Të gjithë aplikuesit për privatizimin e banesave prej disa vitesh janë endur dyerve të institucioneve për të gjetur një zgjidhje konkrete. Burime nga Këshilli Bashkiak shprehen se situata e tyre është diskutuar në Komisionet e posaçme në bashki dhe tashmë mbetet të merret vetëm vendimi përfundimtar dhe mbyllja e procedurave të hershme. Mjaft qytetarë shpeshherë janë ankuar pranë bashkisë për zvarritje të procedurave. Pritet që në seancat e tjera të Këshillit Bashkiak të diskutohet për një numër tjetër familjarësh që kërkojnë të kryejnë procedurat e privatizimit.
27 Shtator 2008