Bashkia e Tiranës përcakton procedurat për nxënësit që aplikojnë për bursë
Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës njofton të gjithë nxënësit e shkollave të kryeqytetit për nisjen e procedurave për ata që duan të përfitojnë bursë shtetërore studimi. Drejtoria e Menaxhimit të Strehimit dhe Shërbimit Social do të shqyrtojë kërkesat e të gjithë nxënësve, të cilët dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar bursë shtetërore. Bashkia ka vendosur si afat të fundit të dorëzimit të dokumenteve datën 20 tetor, të cilat do të dorëzohen pranë Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë që ka përcaktuar kriteret, procedurat dhe dokumentacionin që duhet të ndjekin të gjithë nxënësit për të përfituar të drejtën e marrjes së bursës. Në përfitimin e bursës kriter kryesor është pamundësia ekonomike, si dhe largësia e shkollës nga një zonë në tjetrën. Po kështu, përfitojnë bursë të gjithë ata nxënës që mbarojnë shkollën me të gjitha notat 10, si dhe për ata nxënës të shkollave profesionale që mbarojnë me mesataren mbi 8.
Afati
Bashkia e Tiranës publikon afatin e përfundimit të procedurave dhe të dorëzimit të dokumentacionit pranë zyrave të saj. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit për nxënësit është data 20 tetor. Pas përfundimit të këtij afati asnjë nga nxënësit nuk ka të drejtë të aplikojë dhe detyrimisht humbet të drejtën e përfitimit të bursës për këtë vit, 2008-2009. Kështu, aplikantët që kalojnë afatin e dorëzimit të dokumentacionit të plotë, kanë të drejtë të aplikojnë vitin e ardhshëm duke nisur procedurat dhe plotësimin e dokumentacionit nga e para. Vetëm 190 nxënës dhe 1600 studentë do të përfitojnë bursë për vitin e ri arsimor. Qeveria, para pak ditësh ka përcaktuar kategoritë që do të marrin ndihmë nga shteti vitin shkollor 2008-2009. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 dhjetor 2008, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart, është data 30 nëntor 2008. Në raste të veçanta, kur këshilli i bashkisë apo i komunës nuk mund ta miratojë, brenda këtij afati, numrin e bursave të dhëna, mbetet kompetencë e Ministrisë së Arsimit shqyrtimi i këtyre vendimeve, rast pas rasti. Bursat e nxënësve, për vitet e dyta e lart, rishqyrtohen dhe miratohen, çdo vit, nga këshilli i bashkisë dhe komunës, sipas vendndodhjes, territoriale e administrative të konvikteve, ku janë vendosur nxënësit konviktorë. Nxënësit, që në vitin e parë kanë përfituar bursë, me vendim të këshillit të bashkisë apo komunës, ku kanë vendbanimin e përhershëm, e marrin këtë bursë deri në përfundim të viteve të shkollimit, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës. Bursat për nxënësit, të cilët studiojnë në shkollat profesionale, në degët parësore për zhvillimin e ekonomisë, si në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart, dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të, planifikohen dhe shpërndahen nga Ministria e Arsimit.
Kriteret
Për përfitimin e bursës janë vendosur disa kritere nëpërmjet të cilave disa nxënës mund të përzgjidhen dhe mjaft të tjerë ngelen jashtë skemës së përfitimit. Një ndër kriteret kryesore është kriteri ekonomik. Kështu, kur një nxënës vazhdon shkollën larg vendbanimit të tij në një largësi mbi 5 kilometra dhe plotëson kriterin ekonomik, atëherë ai ka të drejtë të përfitojë bursë sipas rregullores së përcaktuar me ligj. Të drejtë përfitimi të trajtimit me bursë kanë nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 kilometrash dhe që vendosen në konvikt publik. Një ndër kriteret që bën që një nxënës të trajtohet me bursë shtetërore është për nxënësit që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Po kështu, kjo e drejtë i jepet edhe atyre nxënësve që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Në të njëjtën kategori përfitimi vendosen edhe nxënësit që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik. Pjesë e skemës së përfitimit mund të bëhen edhe fëmijët e punonjësit të policisë, që ka humbur jetën për shkak të detyrës. Në këtë rast nuk merret parasysh kriteri ekonomik. Nxënësit përfitojnë bursë studimi edhe në bazë të rezultateve të arritura gjatë viteve të shkollës, kur notat janë të gjitha dhjeta.
Box
Kriteret e përfitimit të bursës janë si më poshtë:
A. Kriteri ekonomik për nxënësit kur:
a. Nxënësit, që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km dhe plotësojnë kriterin ekonomik, sipas pasqyrës nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b. Nxënësit që banojnë në fshat, të cilët nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, e që vendosen në konvikt publik.
c. Nxënësit dhe studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
ç. Nxënësit dhe studentët të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
d. Secili nga studentët bashkëshortë që ka fëmijë, që plotëson kriterin ekonomik dhe vendoset në konvikt publik.
dh. Fëmijët (nxënësit apo studentët) që kanë statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut dhe që plotësojnë kriterin ekonomik.
B. Jashtë kriterit ekonomik
Fëmija i punonjësit të policisë, që ka humbur jetën për shkak të detyrës.
C. Sipas rezultateve të arritura nxënësit
a. Nxënësit e arsimit të mesëm profesional, të cilët kanë mbaruar vitin shkollor paraardhës me të gjitha notat 10- ta.
b. Studentët, të cilët regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë, e që kanë mbaruar shkollën e mesme me Medalje të Artë.
c. Studentët që regjistrohen në vitin e parë të shkollës së lartë e që janë shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës më të mirët e Maturës Shtetërore, numri i të cilëve për vitin 2008 është 30 ( tridhjetë). Kjo kategori studentësh përfiton bursë vetëm për vitin shkollor 2008-2009.
ç. Studentët të cilët kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me të gjitha notat 10 – ta.
d. Studentët që vazhdojnë studimet në degët matematikë dhe fizikë, për vitet e dyta e lartë e që kanë mbaruar vitin akademik paraardhës me notën mesatare mbi 8-të.
D. Sipas degëve përparësore për zhvillimin e ekonomisë (nxënës)
Nxënësit të cilët vazhdojnë studimet në shkollat profesionale, në degët bujqësore, veterinare, pyjore dhe në ndërtim, në vitet e dyta e lart dhe që kanë mbaruar vitin akademik, pararendës, me notën mesatare mbi 8-të.
Bazuar në pikën 6 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1211 datë 27.08.2008, bursat e nxënësve për vitet e dyta e lart rishqyrtohen për çdo vit nga Këshilli i Bashkisë dhe Komunës sipas vendndodhjes territoriale dhe administrative të konvikteve në të cilin janë vendosur nxënësit konviktorë.
Bazuar në pikën 8 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 1211, date 27.08.2008 për vitin shkollor 2008 – 2009 Bashkia e Tiranës do të trajtojë me bursë shteti, studentët që vijnë nga familje me të ardhura të pakta, për rastet e invalidëve, paraplegjikëve, tetraplegjikëve, etj, duke i përjashtuar nga kriteri për të vazhduar studimet jashtë vendbanimit të tyre.
box
Dokumentacioni për bursa shteti
Kërkesë me shkrim nga nxënësi, studenti ose prindi
Certifikatë e përbërjes familjare të nxënësit apo studentit
Vërtetim që është nxënës i vitit të parë të shkollës së mesme apo të lartë
Vërtetim banimi nga Njësia Bashkiake ku jeton
Fotokopje të noterizuar të statusit të jetimit, në ato raste që e gëzojnë këtë status
Vërtetim që janë fëmijë të punonjësve të policisë ose ushtarakë, të cilët kanë humbur jetën në detyrë ose për shkak të detyrës
Vendim të gjykatës për ato raste që kanë kujdestarinë prindërore.
Fotokopje të noterizuar të medaljes së artë, të fituar në mbarim të shkollës së mesme.
Statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut etj.
Certifikatë për më të mirët e maturës shtetërore, për vitin 2008 nga M.A.SH.
Deklarata ekonomike
Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e trungut familjar.
Vërtetim page mujore, si dhe shtesat për pagesën familjare, për prindërit që janë në marrëdhënie pune.
Në rast se nuk janë në marrëdhënie pune, vërtetim nga zyra e përkrahjes sociale për ndihmë sociale dhe kompensime për anëtarët në ngarkim.
Vërtetim nga zyra e punësimit, nëse figuron i regjistruar si i papunë, si dhe vërtetim nga zyra e përkrahjes sociale nëse nuk merr kompensime për çdo person të certifikatës familjare që ka mbushur moshën 18-vjeç. Vërtetimet të kenë numrin e kartelës së personit.
Në rast se prindërit janë në pension, vërtetim nga Dega e Sigurimeve Shoqërore duke përcaktuar pensionin dhe shtesat e tjera. Vërtetimi i pensionit të ketë dhe numrin e kartelës së personit.
Vërtetim nga zyra e tatimeve nëse ka veprimtari private.
Vërtetim nga shkolla për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë në marrëdhënie shkolle.
Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zotërim prone fitimprurëse.
Vërtetim nga institucionet përkatëse për pjesëtarë të familjes, të cilët janë ushtar, jashtë shtetit, etj.
26 Shtator 2008