E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia punëson 15 të sapodiplomuar për 6 muaj



Bashkia e Tiranës iu jep mundësinë të rinjve të sapodiplomuar për t’u praktikuar pranë ambienteve të saj, sipas sektorëve përkatës. Në bazë të programit të ri të praktikave profesionale, 15 të sapodiplomuar kanë filluar punë me të drejtë page dhe duke iu paguar sigurimet shoqërore. Kjo praktikë, iu siguron të sapodiplomuarve vënien në jetë të dijeve që kanë marrë në fakultet dhe të mësojnë se si punohet në administratën lokale, ku do të njihen me procedurat vendimmarrëse. Në vijim të eksperiencës së krijuar tashmë në vite, për punësimin e të rinjve për sezonin veror, këtë herë Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Punësimit, po fillon aplikimin e një programi të ri për punësim të punëkërkuesve, të cilët kanë mbaruar shkollat e tyre, brenda apo jashtë vendit. Këta studentë të sapodiplomuar do të kryejnë praktikat profesionale, sipas specialiteteve dhe profesioneve përkatëse, duke siguruar kështu mundësi për rritjen e aftësive të tyre praktike profesionale dhe duke i bërë ata të gatshëm dhe të aftë në treg. Sipas Kryebashkiakut Edi Rama, kjo nismë do të shërbejë si një model kombëtar për të gjithë të diplomuarit që kanë ambicien për t’i shërbyer shtetit shqiptar në një prej niveleve të organizimit të tij dhe nuk mundet të mbeten rrugëve të papunë. Bashkia e Tiranës, mbështetur në kontributin dhe punën e gjithsecilit prej tyre, pas kësaj periudhe 6-mujore do të ketë prioritet punësimin e tyre definitiv, brenda strukturës së saj.

Masa për shtimin e jodit nëpërmjet kripës së gjellës

Në bazë të studimeve të bëra nga Ministria e Shëndetësisë për mungesën e jodit tek njerëzit, janë vendosur një sërë masash për mënyrën e marrjes së jodit. Ministria e Shëndetësisë, hartoi një projektligj për marrjen e jodit nga njerëzit, duke e propozuar në qeveri. Kjo e fundit ka vendosur që jodi të merret nëpërmjet kripës së gjellës, duke ia shtuar sasinë e jodit në përbërjen e saj. Në këtë mënyrë do të parandalohen të gjitha çrregullimet të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut. Kështu, kripa e jodizuar do të përdoret nga njerëzit në konsumimin e përditshëm. Njëkohësisht, kripa e jodizuar do të përdoret edhe për kafshët. Mungesa e sasisë s jodit në organizëm, sjell çrregullime fizike dhe intelektuale te njerëzit. Ajo mund të shkaktojë prapambetje mendore, defekte fizike, strumë etj.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›