E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i klandestinëve, arrestohet kontrollori i Rinasit



TIRANË – Prangat e SHKB-së nuk janë kursyer as për oficerin e Policisë në Aeroportin e Rinasit. Arrestimi i tij është kryer vetëm pak minuta pasi një person kishte hipur në aeroplanin e linjës ajrore Tiranë-Beograd kur kishte kaluar mrekullisht me dokumente të falsifikuara kontrollin e Policisë Kufitare. Elton Hazizi, deri dje kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, dhe Mahmut Bekteshi u arrestuan falë operacionit “Kalimi i fundit”.
Operacioni
Burime nga Policia e Tiranës sqaruan për gazetën “Albania” se pas një operacioni të shpejtë kanë arrestuan dy persona, njëri prej tyre punonjës policie në Rinas, me akuzat e “korrupsionit”, “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “falsifikim të dokumenteve zyrtare”. Sipas të njëjtave burime, mbi bazën e të dhënave operative të siguruara nga Sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me sektorin e Hetimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, u realizua arrestimi në kushtet e flagrancës në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas i Elton Hazizit, me detyrë kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas dhe Mahmut Bekteshi, lindur dhe banues në Tiranë.
Hetimet
Nga hetimet e kryera, sqaruan burimet policore, rezultoi se shtetasi Mahmut Bekteshi kishte siguruar nga një person i dyshuar për trafiqe të paligjshme, një pasaportë të falsifikuar me vizë “Shengen” dhe me ndihmën e oficerit të policisë, Elton Hazizi, kishte kryer të gjitha procedurat e kontrollit kufitar në Rinas duke u imbarkuar në bordin e një avioni qe udhëtonte për në Beograd me destinacion përfundimtar Francën. Nga të njëjtat burime mësohet se shtetasi Mahmut Bektashi kishte paguar një shumë prej 3500 eurosh, në këmbim të mbërritjes së tij në Francë duke përdorur pasaportë të falsifikuar. Ndërkohë, aktet procedurale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›