NJË BOTIM UNIKAL NË LLOJIN E VET
Prof. As. Dr. Pandeli Taçi
Më në fund, lexuesi shqiptar (sidomos ai profesionist), pas kaq e kaq kohësh pritjeje, ka në duar një punim komplementar për vetëvrasjet. Ky botim është veçanërisht i kërkuar nga juristët, sociologët, kriminologët, punonjësit e strukturave policore dhe një sërë njerëzish të tjerë të interesuar për kuptimin, interpretimin dhe përmasat reale të njërit prej fenomeneve më të dhimbshëm e më të zakonshëm të kësaj kohe apo periudhe të pazakontë.
Ajo që ndodh sot tek ne, por edhe rreth nesh, është shpesh herë dramatike. Humbasim jetë njerëzore me motive për gjakmarrje apo hakmarrje, vetëvrasje, vrasje pa dashje apo vdekje aksidentale etj.
Gjatë viteve të mia jo të pakta si studiues në fushën e kriminologjisë dhe lëvrues i problematikave që lidhen me efikasitetin e politikave në fushën e rendit, sigurisë dhe luftës ndaj krimit, më kanë rënë në dorë punime të ndryshme të karakterit politik, sociologjik, psikologjik etj., me trajtime të kësaj fushe. Por është e para herë që një autor brenda vendit tenton të trajtojë problematikat e njërit prej fenomeneve të dhimbshëm të shoqërisë shqiptare me të tërë gjerësinë dhe aspektet përbërës të tij, pikërisht atë të vetëvrasjeve. Për ta bërë sa më konkret, të kapshëm dhe prezent me përmasat dhe problematikën aktuale, autori ka zgjedhur rrugën më të efektshme, atë të parashtrimit sa metodik e global, aq dhe nominativ e gradual.
Por, ç’është, ç’përmasa ka ky fenomen dhe pse e ndërmerr këtë punim autori? Ne thelb, “vetëvrasja është vdekja e dëshiruar, e kërkuar, e lakmuar dhe e realizuar nga vetë personi, i cili, për arsye të ndryshme ka vendosur t’i japë fund jetës së vet.” Si e tillë, ajo (vetëvrasja) vlerësohet si një veprim i kryer nga njerëzit me karakter te dobët e te pazakonshëm, si një akt i papajtueshëm, me të cilin historia është ndeshur jo vetëm herët, por dhe në të gjitha etapat e zhvillimit të saj. Pikërisht prej këtij fenomeni kriminal (ashtu sikurse dhe prej fenomeneve të tjera të këtij karakteri, si gjakmarrja, vdekjet aksidentale, krimet kundër jetës e shëndetit), vuan tmerrësisht shoqëria jonë. Shifrat janë tepër tronditëse. Ndaj edhe s’ka se si të mos ngarkohesh me ndjesi negative kur mëson se: ne vitin 2001 kanë ndodhur 146 vetëvrasje, në vitin 2002 - 144, në vitin 2003 - 170, në vitin 2004 - 173 dhe në vitin 2005 kanë ndodhur 214 të tilla, ndërsa gjatë pesë viteve te marrë së bashku, të trondit fakti se numri i vetëvrasjeve të ndodhura është më i madh nga ai i vrasjeve kriminale. Përmasat e këtyre ndodhive në vendin tonë janë të frikshme. Ato dalin më të qarta gjatë periudhës së tranzicionit, ku, për 5 vite (2001-2005), të marrë së bashku, kanë ndodhur gjithsej 847 vetëvrasje. Ndërkohë që kurba apo numri i vetëvrasjeve nga njëri vit në tjetrin vjen në rritje, aq sa viti 2005 rezulton me rreth 50 për qind më shumë vetëvrasje se viti 2001. Ose, për pesë vjetët e marrë së bashku, kanë ndodhur gjithsej 847 vetëvrasje, 724 vrasje (pra 123 vetëvrasje më shumë se vrasje) dhe 1492 vdekje nga aksidentet automobilistike.
I përmenda shifrat e mësipërme, të cilat i mora prej punimit, për të theksuar edhe faktin që metoda dhe gjuha e përdorur nga autori është e drejtpërdrejtë. Ai nuk i fsheh realitetin dhe rrjedhojat negative për individin, familjen dhe shoqërinë. Duke e ekspozuar realisht gjendjen, lexuesi arrin lehtësisht në përfundimin se vetëvrasjet janë dhe përbëjnë për Shqipërinë një dukuri tronditëse, një fenomen social të patolerueshëm.
Kjo tematikë, natyrisht jo në këto përmasa, është trajtuar edhe nga autorë të tjerë, sipas konceptit dhe arsyetimeve të tyre. Kështu për shembull, janë të shumtë autorët e huaj që e kanë trajtuar këtë problematikë, por punimet e tyre edhe pse të arrira teorikisht, gjithsesi janë e mbeten për ta, për vendet dhe për problematikat e tyre. Ndaj dhe nëse do të bënim një rreshtim të vlerave, punimi i Dr. Sofokli Dukës, vlerën e parë e kryesore të tij e merr nga fakti se është ndër punimet që, për nga “skanimi” që iu bën problematikave thellësisht sociale e kriminologjike të shoqërisë shqiptare të këtij tranzicioni, veçon vetëvrasjet, të cilat çdo vit marrin qindra jetë njerëzish, veçanërisht të rinj, të reja e adoleshente.
Botimi i Dr. Dukës është i pari punim komplementar që i kushtohet vetëvrasjeve në Shqipëri. Është e vështirë të përshkruash gjithanshmërinë e çështjeve që trajtohen në të, por, duke u ndalur gjerësisht në morinë e problematikave që ngërthen ky fenomen kriminal, në karakterin e dhimbshëm të pasojave tërësisht sociale e familjare, ky botim është unikal për nga vlerat dhe i papërsëritshëm për nga efektet që përcjell tek të interesuarit. Në këtë mënyrë, punimi i ndihmon lexuesit të gjejnë shpjegime për të gjitha njoftimet e medias së shkruar e vizive mbi shkaqet, rrethanat dhe faktorët që nxisin apo shkaktojnë vetëvrasjet, si dhe të nxjerrin detyra për shmangien dhe parandalimin e tyre.
Në përgjithësi, për realizimin e një punimi, veçanërisht të një studimi me karakter social-kriminologjik, hapi i parë e kryesor për studiuesin apo autorin është disponimi i shifrave dhe fakteve mbi të cilat do të punojë. Kjo gjë, natyrisht që realizohet me ndihmën dhe mbështetjen e organizmave dhe institucioneve zyrtare. Por, për fat të keq, ajo që duhej të ishte puna më e lehtë u bë më e vështira. Për autorin (por jo vetëm për të), dyert e zyrave që kanë shifrat, faktet dhe statistikat ishin dhe mbeten të mbyllura, faqet e INTERNET-it të institucioneve - gjithnjë bosh dhe veshët e zyrtarëve apo autoriteteve përgjegjës vazhdimisht te shurdhër. Ne “sit-in” zyrtar te Ministrisë së Brendshme apo të Policisë së Shtetit, gjen me shumicë fotografi apo kronika për veprimtari te drejtuesve te organit, por nuk gjen absolutisht raporte, komunikata, shifra apo statistika për ngjarjet a veprat kriminale. Por, autori ka ditur që mungesën e informacionit dhe shifrave të pas 2005-ës, ta kapërceje nëpërmjet analizës së ecurisë shumëvjeçare të fenomenit, për të dalë në përfundime mbi prirjen e fenomenit të vetëvrasjes në të ardhmen.
Larg pompozitetit, punimi vjen i qetë, pa bujë e pa zhurmë, mbase dhe me drojën se u prish rehatinë apo gjumin politikanëve e qarqeve qeverisëse, institucioneve dhe organeve e organizmave publike e civile, të cilët edhe pa telashet e vetëvrasjeve, boll janë të “lodhur e të sfilitur”. Por, nëse ata janë të lodhur e duan qetësi, është “një takëm personash”, “një kategori njerëzish”, janë disa studiues te kallëpit te Dr. Sofokli Dukës, të cilët, pa marrë në konsideratë ç’telashe iu nxjerrin të tjerëve, “nuk shohin punët e tyre”, por fillojnë të mendojnë, të flasin apo shkruajnë për hallet, problemet apo shqetësimet që kanë shumica e njerëzve të thjeshtë, të ndershëm e të pambrojtur në vendin tonë. Shembulli më tipik është ky botim, i cili, tematikën e vet e gjen tek njeri nga shumë problemet e këtij tranzicioni të vështirë dhe pashpjegueshmërisht të gjatë. Pikërisht tek vetëvrasjet, si një ndër plagët më të rënda, më të dhimbshme, ndoshta dhe më therëse se gjakmarrja apo vrasjet kriminale, fenomene prej të cilëve vuan shoqëria shqiptare në këtë kapërcyell tepër të lodhshëm e të ngatërruar sistemesh.
Duke dashur të ruaj të paprekur dëshirën e lexuesit për t’u njohur dhe për të arsyetuar vetë rreth punimit, dëshiroj të theksoj se, pas leximit, do të keni përftuar një perceptim të ri për fenomenin, përmasat dhe pasojat e tij. Do të njihni veçanërisht shkaqet e vetëvrasjeve, rreth të cilave ka pasur vazhdimisht mendime të ndryshme. Koleget e mi i këshilloj të shtojnë njohuritë dhe bibliotekën e tyre me një nga titujt më të mirë të viteve të fundit.
23 Maj 2008