Uniformat blu të Tiranës trajnohen për marrëdhëniet me median dhe publikun
TIRANË - “Policia-Media-Komuniteti” ishte tema e diskutuar në trajnimin njëditor të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë të enjten paradite me punonjësit e Policisë së Rendit dhe të Sallave Operative, të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Ky trajnim u zhvillua me nismën e drejtuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe ne të u trajtua rëndësia e ndërtimit të marrëdhënieve të mira që duhet të kenë strukturat policore me publikun në tërësi dhe median në veçanti, si një nga arsyet për të pasur një veprimtari të suksesshme të policisë në shërbim të komunitetit. Disa nga temat kryesore që u trajtuan në këtë bashkëbisedim, ishin: E drejta e informimit si një e drejtë Kushtetuese, Kufizimet e vendosura në aktet normative, që duhet të kihen parasysh në komunikimin me median dhe publikun e gjerë. Gjithashtu, u diskutua edhe hartimi i një sërë programesh dhe fushatash sensibilizuese dhe lançimi i tyre nëpërmjet mediave mbi luftën kundër drogës, zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor, rritjen e sigurisë në shkolla.
23 Maj 2008