Kurime jashtë shtetit, mbërrijnë në ministri 75 kërkesa
Emanuela Sako
Numri i pacientëve shqiptarë që kërkojnë të kurohen jashtë vendit, deri tani ka shkuar në 75. Listës së vendeve që do të presin pacientët shqiptar prej pak kohësh i është shtuar edhe Italia. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë ka nënshkruar një marrëveshje me shtetin Italian, për të lejuar në rrugë zyrtare kurimin e pacientëve në disa spitale të Italisë. Kështu, pacientët që kanë probleme shëndetësore dhe që nuk mund të kurohen në spitalet e vendit, do të kenë më tepër mundësi të kurohen në një nga spitalet e një tjetër shteti të huaj. Numri i pacientëve që kërkojnë të shkojnë për kurim jashtë vendit do të rritet, pasi në vendet që do të presin pacientë tani e tutje i shtohen edhe spitalet italiane. Nuk ka ende një shifër të saktë se sa do të jetë numri i tyre, që do të shkojnë në spitalet italiane. Ministria e Shëndetësisë po shqyrton rastet e kërkesave që janë depozituar aktualisht, të cilat do të lejohen të shkojnë në një nga spitalet e huaja, ku shpenzimet do të mbulohen nga shteti.
Kërkesat
Numrin më të lartë të kërkesave e ka shteti Turk, ku deri tani janë rreth 50 kërkesa nga pacientë me sëmundje të ndryshme. Turqia pret çdo vit rreth 100 pacientë, të cilët i çon në spitale të ndryshme të vendit në varësi të sëmundjes që ka. Ndërsa, vendin e dytë për numrin e kërkesave e zë Greqia, ku deri tani janë dorëzuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë 16 kërkesa. Spitalet greke pranojnë çdo vit rreth 30 pacientë. Për shkak se marrëveshja me Italinë është nënshkruar rreth dy muaj më parë edhe numri i kërkesave është më i ulët. Janë vetëm 9 kërkesa të pacientëve shqiptarë që kanë paraqitur dokumentet për t’u kuruar në shtetin fqinj Italian. Ministria e Shëndetësisë ka detyrë që t’u krijojë pacientëve të gjitha mundësitë për të shkuar deri në spitalin e caktuar nga shteti pritës, duke kontaktuar vazhdimisht me autoritetet vendase. Një pjesë e pacientëve, vendosin të shkojnë me shpenzimet e veta për kurim jashtë vendit. Ndërsa, Ministria e Shëndetësisë ndërhyn për t’u mundësuar lehtësimin e vizave.
Procedurat
Për të shkuar jashtë vendit, pacientët duhet t’iu nënshtrohen një sërë procedurave dhe të kenë me vete një dokumentacion të detajuar për sëmundjen. Për të vendosur nëse pacienti duhet të shkojë në një nga spitalet e huaja, mjeku që e ka kuruar mbledh një komision të posaçëm për shqyrtimin e sëmundjes. Më pas jepet epikriza, e cila i dorëzohet palës pritëse. Nëse spitalet e huaja vendosin që të presin pacientin, atëherë kontaktojnë me Ministrinë e Shëndetësisë për ta dërguar jashtë vendit të sëmurin. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ndihmon për nxjerrjen e dokumenteve të vizës për pacientin.
23 Maj 2008