E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo njeh drejtorët me reformat e reja



Ministria e Arsimit ka planifikuar reforma të tjera për sistemin arsimor, që sipas saj, synojnë një hap më përpara në konsolidimin e këtij sistemi. Pikërisht për këtë çështje, ministri i Arsimit Genc Pollo, organizoi dje, në qytetin e Durrësit, konferencën e IV-ët gjashtëmujore për rishikimin e reformës së projektit “Cilësi dhe Barazi në Arsim”. Në kuadër të kësaj reforme, kreu i Arsimit ka sqaruar dhe strategjinë në të cilën do të bazohet realizimi i saj. Për këtë ai ka bërë të ditur se po instalohen mentalitete dhe praktika bashkëkohore që karakterizohen nga menaxhimi: Mbi bazën e paraqitjes (objektiva minimale të arritjeve të nxënësve për mësuesit, objektiva të matshme në planet vjetore të shkollave, tregues të paraqitjes për institucionet); Mbi bazën e treguesve të suksesit (treguesit e shkollës së suksesshme janë të hartuar e pilotuara tashmë); Mbi bazën e standardeve profesionale (janë në përfundim standardet e drejtorit të shkollës, të mësuesit, trajnerit, të inspektorit dhe specialistit të DAR-it, si dhe kodi etik i mësuesit); Mbi bazën e një procedure sitematike të raportimit, monitorimit, vlerësimit e vetëvlerësimit (raportimet mujore të performancës nga drejtoritë e Ministrisë dhe institucionet qendrore të varësisë që janë kthyer në rutinore, është në përfundim drafti për ristrukturimin e inspektoriatit, formati i vetëvlerësimit në nivel shkolle, është në veprim një task force i cili siguron informacion plotësues për cilësinë e zbatimit të akteve reformuese dhe përmirësimin e tyre). Në takim morën pjesë përfaqësues të Bankës Botërore, PNUD, Banka Evropiane për Zhvillim, Banka e Europiane e Investime, donatorë të tjerë të arsimit dhe drejtorë të Drejtorive Arsimore.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›