Dërgohen për ekspertizë dollarët e sekuestruar në Tiranë
TIRANË - Shuma prej 700 dollarësh që u sekuestrua një ditë më parë nga policia e Tiranës, do t'i nënshtrohet ekspertizës në Laboratorin Qendror Kriminalistik, bënë të ditur dje për gazetën “Albania” burime zyrtare nga policia. Sipas këtyre burimeve, përmes kësaj ekspertize, specialistët do të dalin në një konkluzion përfundimtar nëse dollarët janë apo jo të falsifikuara. Kjo sasi dollarësh u bllokua nga forcat e policisë së Tiranës gjatë një operacioni antidroge, ku u arrestuan shtetasit Bilal Hasani, 47 vjeç, Veprim Kaja, 22 vjeç, Emiljano Sinani, 19 vjeç dhe Pranvera Nasto, 34 vjeç, banues në Tiranë. Këta persona u kapën në flagrancë, teksa shkëmbenin sasinë prej 154 gramë lëndë narkotike e llojit “canabis sativa”, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Materialet hetimore në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “shitje të narkotikëve” dhe “falsifikim të kartëmonedhave”.
Pranga katër personave për mashtrim me kartat rimbushëse
TIRANË - Katër persona janë arrestuar të enjten nga policia e Tiranës, pasi dyshohen për mashtrim me kartat rimbushëse telefonike, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Burime zyrtare nga policia bënë të ditur, se në kuadër të operacionit të koduar “Mashtrimi” u realizua arrestimi në flagrancë i shtetasve, Bashkim Baja, 52 vjeç, Naim Gjoklaj, 27 vjeç, Petrit Sheta, 34 vjeç, Esat Baja, 42 vjeç, ndërsa do të hetohet në gjendje të lirë shtetasi Gjin Ndoi, 31 vjeç, banues në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, këta persona, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, dyshohet se kanë mashtruar njerëz të ndryshëm në lidhje me kartat rimbushëse të kompanive celulare. Gjatë kontrollit të banesave, atyre iu sekuestruan aparate dhe numra të telefonave celularë, me të cilat dyshohen se kanë kryer mashtrimin, si dhe një armë zjarri dhe 350 copë fishekë. Nga të njëjtat burime mësohet se shtetasit e sipërcituar ishin nën hetim disamujor. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan për kompetencë Njësisë së përbashkët hetimore Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor
23 Maj 2008