E Diel, 1 Nëntor 2026

Lohan inauguron gjykatën: Dialog në Kuvend për reformën në Drejtësi

 TIRANE – Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan apeloi dje për dialog politik mes palëve në Kuvend. Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së inaugurimit të ndërtesës së re të Gjykatës për Krimet e Rënda tha se për realizimin e ligjeve të rëndësishme duhen votat e dy palëve në Kuvend. “Nuk ka shtet ligjor të pakicës apo shumicës. Shumica e ligjeve të rëndësishme duhet të kalojnë në Kuvend, në dialog dhe shumicë të cilësuar votash. Shqipëria ka shansin ta bëjë një gjë të tillë në muajt në vijim. Nevojitet një strategji e plotë dhe gjithëpërfshirëse, bazuar në vullnetin politik për kapërcimin e problemeve të mëdha në gjyqësor”, u shpreh Lohan. Sipas kreut të delegacionit të KE në Tiranë, sfidë kryesore për Shqipërinë është pavarësia e Gjyqësorit dhe për këtë arsye duhet vullnet nga të gjitha palët. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani u shpreh në ceremoni, se disa nisma të fundit ligjore, ndihmojnë për një luftë më efikase ndaj krimit të organizuar. Ne ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë edhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ambasadori amerikan në Shqipëri, John ëithers, si edhe përfaqësues të tjerë të njësive diplomatike në vendin tonë. Ndërtimi i godinës së Gjykatës për Krimet e Rënda, është mundësuar nga një investim prej 6.5 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›