E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, riciklim të mbetjeve urbane përmes pamfleteve



Zgjimin e qytetarisë dhe ndërveprimin për një qytet të pastër, Bashkia e Tiranës kërkon ta bëjë përmes pamfleteve dhe informacioneve të përgjithshme për reduktimin dhe riciklimin e mbetjeve urbane. Kjo e fundit ka nisur një fushatë e cila do të zgjasë tre muaj. Përmes saj synohet të zgjohet interesi i komunitetit për mjedisin. Fushata përmban aktivitete të larmishme që do të zhvillohen duke u përqendruar tek tema e mjedisit, me nëntema: riciklimi i mbetjeve urbane, reduktimi i mbeturinave, gjelbërimi dhe përmirësimi i ajrit.

Ajo që vihet re në këtë fushatë, është mungesa e koshave të veçantë në mënyrë që çdo qytetar të ketë mundësi të bëjë në realitet procesin e riciklimit. Bashkia e Tiranës nuk e ka konsideruar si element dhe pjesë të domosdoshme shtimin e koshave dhe ndarjen e tyre, veç për plastikën, veç për letrën dhe për qelqin.

Fushata

Paraqitjen e parë të fushatës mjedisore, kryebashkiaku Edi Rama nisi kështu: “Bashkia e Tiranës, e vetëdijshme për rolin e saj të rëndësishëm në ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit të qytetit, për të qenë më afër me nevojat e të tashmes pa rrezikuar aftësinë e brezave të ardhshëm, të jetë afër nevojave të tyre, promovon Fushatën Mjedisore për Reduktimin e Mbetjeve”. Më tej vijon: “Duke iu drejtuar grupeve të ndryshme, aktivitetet e të cilëve prekin, ndryshojnë apo ndikojnë në mjedis, Bashkia e Tiranës orienton së është detyrim të mbrojë dhe kultivojë një mjedis të shëndetshëm dhe se duhet punuar së bashku për të siguruar qëllimin e përbashkët”.

Por realisht çfarë synon fushata dhe cilat janë projektet konkrete që synojnë uljen e nivelit të ndotjes dhe reduktim të mbetjeve urbane?

Siç përcaktohet edhe në fushatë, puna fillimisht do të nisë përmes ekspozimit të informacioneve të përgjithshme për reduktimin e mbetjeve urbane dhe riciklimin e tyre në pavijonin e xhamtë në sheshin “Skënderbej”. Kjo do të jetë një pikë takimi ku përveçse do të shpërndahen informacione, do të rrihen ide dhe do të organizohen leksione për temën e qytetit dhe mjedisit. Materialet e shkruara do të jenë të pranishme aty, në forma të ndryshme, si fletëpalosje informative apo tabela krahasuese, me qëllim sensibilizimin e grupeve të ndryshme komunitare. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me grupin studentor SIFE do të jetë një instrument i fuqishëm për të sensibilizuar të rinjtë e shkollave të mesme.

Një tjetër element i kësaj fushate është vullnetarizmi. Gjatë kësaj fushate parashikohen aksione vullnetare për pastrimin e territorit, grupe riciklimi e shumë aktivitete të tjera komunitare.

Në fushatë do të përfshihen edhe më të vegjlit, për të cilët mjedisi dhe mbrojtja e tij do të vijnë nëpërmjet argëtimit dhe lojërave ndërvepruese. Brenda pavijonit të xhamtë bashkia ka krijuar një kënd të veçantë për fëmijët dhe animatorë të specializuar që do t’i sensibilizojnë ata përmes lojërave ndëraktive.

Reduktimi

Të gjithë elementët e sipërpërmendur pritet të ndryshojnë situatën në të cilën gjendet kryeqyteti ynë. Duke bërë një përmbledhje se si ka qenë puna e bashkisë vitin e kaluar, ajo jep edhe disa pritshmëri për të ardhmen. Kështu, bazuar në të dhënat e Bashkisë së Tiranës, përgjatë vitit 2008 janë depozituar 590,000 tonë prej tyre, mbetje të riciklueshme 52 për qind. Ndërkohë që rezulton se mjedisi i përbashkët shpesh është i ndotur. Më tej të dhënat vlerësojnë se ajo çka mbetet problematike, është se riciklimi nuk ka nisma të qëndrueshme. Gjithmonë sipas bashkisë, informimi mjedisor është i ulët, duke u shoqëruar me pjesëmarrje qytetare të ulët. Përmes fushatës mjedisore, bashkia synon që për të ardhmen t’i reduktojë mbetjet urbane me 100kg/banorë/vit, duke reduktuar gjithashtu ndotjet nga mbetjet e çastit me 20 për qind, ndërsa mbetjet e rrezikshme nga veprimtaritë shtëpiake reduktim me 15 për qind. Një rëndësi tejet të veçantë kreu i bashkisë i jep informimit në shkolla dhe komunitet, duke rritur informimin me 15 për qind, nga ku pret që angazhimi aktiv i komunitetit të rritet me 15 për qind, duke rritur në këtë mënyrë njohuritë dhe veprimtaritë e qytetarëve me 20 për qind dhe duke rritur riciklimin e mbetjeve urbane me 10 për qind.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›