E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani i maxhorancës. Në 2009-n, ndërhyrje në gjykatat kushtetuese, në Gjykatën e Lartë dhe KLD



Laureta Rryçi

Tiranë - Maxhoranca e djathtë ka ndër mend të reformojë institucionet më të rëndësishme kushtetuese. Drejtoria e Hartimit të Projektligjeve në Ministrinë e Drejtësisë ka marrë për detyrë përgjatë vitit 2009 të hartojë 3 projektligjet më të rëndësishme, që pritet të sjellin më shumë debate. Ato janë për ndryshime në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan dje për gazetën “Albania” se tashmë janë përcaktuar afatet kur duhet të jenë gati këto projektligje dhe ku do të fokusohen për ndryshimet që do të bëhen ndaj tyre.
Plani
Drejtoria e Hartimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë e ka paraqitur planin për vitin 2009 në zyrën e ministrit Alibeaj. Ndër projektligjet e shumta që pritet të hartohen gjatë këtij viti janë shënuar si institucione në të cilat duhet të ndërhyhet edhe për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Madje me një projektligj më vete për funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionin për të cilin ka pasur herë pas here debate. Ministria ka përcaktuar që projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, ta përfundojë në maj të këtij viti. Sipas specialistëve, qëllimi i hartimit të këtij projektligji synon në harmonizimin e kuadrit ligjor në sistemin gjyqësor, duke implementuar raportin TWINING. Gjithashtu, ky projektligj synon të përcaktojë qartësisht dhe saktësisht kompetencat e Inspektoratit të KLD-së.
Për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” është përcaktuar të përfundojë në muajin dhjetor të po këtij viti. Sipas specialistëve, projektligji do të shërbejë për përmirësimin e ligjit ekzistues për ta përputhur me zhvillimet e sjella me ligjet e draftuara deri tani në ligjet për operatorët e sistemit të drejtësisë. Po kështu, i njëjti afat është vendosur edhe për projektligjin “Për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Edhe në këtë rast, për specialistët, ky projektligj do të ketë të njëjtin efekt, pra për të shërbyer për përmirësimin e ligjit ekzistues për ta përputhur me zhvillimet e sjella me ligjet e draftuara deri tani në ligjet për operatorët e sistemit të drejtësisë.
Gjyqtarët
Sa i takon çështjes së imunitetit të gjyqtarëve, ministri ka rikonfirmuar idenë për ridimensionimin e konceptit të imunitetit të funksionarëve. “Sigurisht që një hap është bërë”, - është shprehur ministri Alibeaj, duke përmendur ligjin për Prokurorinë, ku koncepti i imunitetit tashmë është shfuqizuar. Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila është një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët, koncepti i imuniteti është i shkruar në Kushtetutë, çka do të thotë se nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë, për ridimensionimin e konceptit të imunitetit është e domosdoshme që kjo të reflektohet në ligjet respektive.

Boc

Nismat që do të ndërmerren gjatë 2009-s

Alibeaj tregoi edhe strategjinë e kësaj ministrie dhe nismat ligjore që do të ndërmerren për vitin në vijim, duke deklaruar se ndryshe nga viti i kaluar, ku nismat ligjore ishin fokusuar përgjithësisht në statusin e zyrtarit si gjyqtar, prokuror, avokat, iniciativat e reja ligjore do të përqendrohen te statuti i shërbimit të strukturave të këtij sistemi. Si për ta ilustruar këtë, ministri Alibeaj përmendi ndër ligjet që do të reformohen atë për Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, që, siç theksoi ai, do ta bëjnë sistemin e drejtësisë më të prekshëm për publikun, duke rritur kësisoj transparencën e tij. Duke bërë një ekspoze të shkurtër të punës së bërë në këtë drejtim dhe asaj që po bëhet, ministri theksoi se një pjesë e ligjeve janë draftuar, të tjerë janë depozituar në Parlament, si ligji për gjykatat administrative. Si nisma të reja ligjore ai veçoi ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo ligjin për bashkëpunimin ndërgjyqësor mes Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet e tjera për ekstradimet dhe njohjet e vendimeve penale. Gjithashtu përmendi nismën për reformimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, një sektor tepër i rëndësishëm.

Boc

Për Alibeajn, 2008-a ishte e suksesshme

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, bëri vetëm pak kohë më parë publike vazhdimin dhe thellimin e reformës në sistemin e drejtësisë në funksion të realizimit të standardeve bashkëkohore. Ministri Alibeaj vlerësoi ecurinë e deritanishme të kësaj reforme duke konfirmuar se nisma të tjera ligjore do të ndërmerren nga dikasteri që drejton për mirëfunksionimin e sistemit. Për të, ndër arritjet e kësaj reforme janë miratimi gjatë vitit që sapo lamë pas i një sërë ligjesh shumë të rëndësishme, si ai për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor apo ligji për Prokurorinë, të cilat, theksoi ai, “janë ligje serioze, tepër të rëndësishme dhe të dobishme për sistemin e drejtësisë”. Në këtë drejtim, ministri shtoi se “procesi ishte i tillë, që pati edhe një moral të përbashkët politik. Që një reformë të konsiderohet serioze dhe jetëgjatë, si dhe për të qenë e suksesshme, duhet të ketë jo vetëm sofistikimin teknik, por edhe këtë moral, pra të gjithëpranimit të frymës së re reformuese”. Lidhur me këtë reformë, jetike për interesat e vendit në proceset integruese në strukturat euroatlantike, ministri Alibeaj, duke theksuar se është vetëm fillimi, shprehu besimin që fryma e re e saj është injektuar si në ambientin politik, edhe në atë juridik. “Vetëm kështu reforma në këtë sistem do të mund të arrijë standardet e kërkuara”, - tha Alibeaj.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›