E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia shpall dhjetë personalitetet e vitit 2008

Fituesit kanë dhënë kontributin e tyre për komunitetin e Tiranës. Vlerësohen personazhe të artit, medias, sportit dhe institucionet

Emanuela Sako
Bashkia e Tiranës përzgjedh dhjetë personalitetet e vitit 2008, të cilët kanë kontribuar me punën e tyre për komunitetin. Në një mbrëmje festive, kryebashkiaku Edi Rama ka prezantuar dhjetë njerëzit që janë votuar nga vetë qytetarët, të cilët kanë vlerësuar punën e tyre për këtë vit. Të përzgjedhurit vijnë nga fusha të ndryshme, ku punojnë dhe kryejnë aktivitet në ndihmë të qytetarëve, secili sipas mënyrës së vet. Personalitetet e përzgjedhura i përkasin botës së medias, artit, njerëz të thjeshtë që kontribuojnë për njerëzit në nevojë, apo institucione të ndryshme. Ky është vitit i dytë që Bashkia ka bërë një organizim të tillë, ndërsa këtë vit ka pasur më shumë kandidatë, ku u përzgjodhën vetëm dhjetë prej tyre nga një juri e përbërë nga Fidel Ylli, Pirro Misha, Luiza Xhuvani, Artan Shkreli dhe Kiço Londo.
Personalitetet
Në krye të qytetarëve të nderuar për kryeqytetin për këtë vit do të jetë emri i Margarita Xhepës, e cila është vlerësuar për kontributin shumëvjeçar që ka dhënë në skenën e teatrit. Me këtë çmim është vlerësuar edhe presidenti i Top-Medias, Dritan Hoxha, për revolucionarizimin që ka bërë në mediat shqiptare dhe standardet e krijuara. Romela Bega është vlerësuar me titullin “Personalitetet i vitit 2008”, për rezultatet e arritura gjatë këtij viti në sportin e peshëngritjes. Juria ka vlerësuar me çmim qendrën “Emanuel” për mbështetjen që u ka dhënë të rinjve për të dalë nga rruga e drogës. Një çmim i është akorduar edhe arkitektit, artistit Maks Velo, për rezultatet që ka dhënë dhe po jep në përpilimin e serisë së botimeve kushtuar konkurseve ndërkombëtare dhe arkitekturës së të ardhmes në Tiranë. Një emër i panjohur për qytetarët, por jo për komunitetin rom, është ai i Anisa Haxhijës, e cila kryen punë vullnetare në ndihmë të këtij komuniteti. Rama vlerëson me çmim dhe Bankën Kombëtare Tregtare për dhurimin e pemëve që po mbillen në çdo kënd të kryeqytetit.
Dr. prof. Gudar Beqiraj merr këtë çmim për punë humanitare që kryen si president i Fondacionit Rider, së bashku me stafin mjekësor. Ndërsa shtëpia botuese ”Dudaj” është vlerësuar për kontributin e dhënë në botimin e disa veprave të rëndësishme, si ai i shkrimtarit italian Saviano, që flet për mafien, si dhe për librin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Qytetarët kanë dhënë votat e tyre për Arbër Çepanin, që me burime financiare personale ka mbjellë 26 fidanë dhe ka hapur një kopsht në zonën e Gërdecit.
Përzgjedhja
Të përzgjedhurit janë propozuar nga vetë qytetarët e Tiranës. Bashkia e Tiranës e hapi konkursin më datën 10 dhjetor dhe votimi u bë me postë apo nëpërmjet internetit, ku të gjithë qytetarët mund të propozonin një emër të njohur ose jo, por që ka dhënë një kontribut të çmuar për komunitetin. Një vit më parë personat që fituan këtë titull u përzgjodhën direkt nga qytetarët e Tiranës. Ata ishin emra të njohur ose personalitete që kanë dhënë ndihmë vullnetare për njerëzit në nevojë. Vitin e kaluar në krye të listës së personave që kontribuojnë për Tiranën u renditën personazhe, si: Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko.

Dhjetë personalitetet
Margarita Xhepa
Dritan Hoxha
Romela Begaj
Qendra “Emanuel”
Maks Velo
Anisa Haxhija
Banka Kombëtare Tregtare
Dr. prof. Gudar Beqiraj
Shtëpia botuese ”Dudaj”
Arbër Çepani

27 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›