Ina Rama kundër projektligjit për Prokurorinë: “Institucioni i Prokurorit bëhet politik”
Eljona Ballhysa
Kryeprokurorja Ina Rama ka shprehur dje në Komisionin e Ligjeve kundërshtimet për ligjin për Prokurorinë. E gjendur përballë një konsensusi politik të dy partive të mëdha për të miratuar këtë draft, Ina Rama ishte zëri i vetëm kundër këtij projekti. Megjithatë, ajo parashtroi kundërshtitë dhe argumentet kundër përsa i përket, veçanërisht dy neneve të këtij projekti. Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë u shpreh kundër heqjes së nenit 36, që lidhet me imunitetin e prokurorëve, dhe kundër nenit 28 të projektligjit, sipas të cilit ministri i Drejtësisë raporton në Kuvend mbi punën e Prokurorisë dhe ka të drejtë të rekomandojë masa disiplinore.
Argumentet
“Nuk dua të zgjatem me vlerësime, pasi nuk dua të përsëris ato që tha dhe ministri i Drejtësisë, por dua të ndalem në dy momente për të cilat ne nuk ndajmë qëndrim të njëjtë për ligjin. E para ka të bëjë me imunitetin e prokurorëve, me ndryshimet që bëhet në Ligjin 56, e dyta me kontrollin që i bëhet Prokurorisë nga Ministria e Drejtësisë dhe e treta ka të bëjë me raportin që ministri i Drejtësisë do të paraqesë në Kuvend”, - është shprehur Rama. Duke iu referuar shfuqizimit të nenit 36, i cili parashikon mbrojtjen e prokurorëve nga procedimi penal, i cili quhet ndryshe imunitetit i prokurorëve, Rama tha se shfuqizimi i këtij neni do të krijojë imazh negativ. “Në fakt ky nuk është imunitet i ngjashëm me atë të deputetëve, por është vetëm mbrojtje nga procedimi penal. Dhe shfuqizimi i këtij neni, që parashikonte që prokurorët të mos ndalohen apo të arrestohen pa lejen e prokurorit të Përgjithshëm, vetëm në raste flagrance. Mendoj se shfuqizimi i këtij neni do të japë impakt negativ, pasi i nxjerr prokurorët përballë abuzivitetit të rrugës kur janë në krye të detyrës. Në rast se shfuqizohet ky nen do të kemi një gjendje arresti për prokurorët, e cila, edhe nëse ndreqet nga prokurori i Përgjithshëm, do të bëhej publike dhe do të sillte një imazh negativ në opinionin publik”, - është shprehur Ina Rama. Përsa i përket nenit 28, në bazë të të cilit ministri i Drejtësisë raporton në Kuvend mbi punën e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme, kryeprokurorja u shpreh se ky nen e bën institucionin e Prokurorisë politike dhe e vë në qendër të sulmeve politike, në kundërshtim me Kushtetutën. “Përsa i përket raportit që ministri i Drejtësisë do të mbajë në Kuvend, unë doja të bëja një pyetje: Për çfarë do të vlejë raportimi në Kuvend i konkluzioneve të ministrit? Duhet që në këtë rast prokurori i Përgjithshëm të përgjigjet me një raport të dytë. Në rast se dilet me dy raporte, Kuvendit i duhet të votojë vetëm njërin dhe unë mendoj se Parlamenti do të miratojë raportin e paraqitur nga ministri i Drejtësisë. Pikërisht ky nen është një vegël që kërkon ta vërë prokurorin e Përgjithshëm në mes të një debati politik dhe publik, ku ky institucion do të gjendet nën presionin e qeverisë. Me këtë nen dalim jashtë Kushtetutës, e cila e parashikon institucionin e Prokurorisë si apolitik, të pavarur dhe që kontrollon veten”, - është shprehur Rama. Më tej ajo shtoi se arsyeja e dytë pse kundërshtohet ky nën është dhe fakti se gjatë raportimit në Kuvend, ministri i Drejtësisë do të bëjë publike disa hetime që janë sekrete dhe do të cenojë procedime penale të ndryshme, që mund të rihapen në të ardhmen. Rama është shprehur kundër përmbajtjes së nenit 28 në rastin kur ministrit të Drejtësisë i jepet e drejta e dhënies së masës disiplinore. “Jemi kundër termit të përdorur në nenin 28, masës disiplinore që jep ministri i Drejtësisë. Në këtë nen hiqet e drejta e mundësisë që prokurori i Përgjithshëm të vlerësojë nëse ka vend për masë disiplinore ose jo. Do të ishte më e saktë që kjo të korrigjohej në mënyrë që ministri i Drejtësisë të nisë procedurën e masës disiplinore, dhe kjo më pas të shqyrtohej nga Këshilli i Prokurorisë dhe vendimi të jepej në fund nga prokurori i Përgjithshëm, pasi të verifikohej ka apo jo kushte të procedimit disiplinor”, - ka argumentuar kryeprokurorja. Në përfundim, duke iu referuar nenit 17, që lidhet me prokurorët, të cilët, pasi dalin të pafajshëm nga gjykata, t’i jepet një shpërblim i drejtë financiar, Rama propozoi vendosjen e një standardi dyshemeve përsa i përket masës së këtij shpërblimi, i cili, sipas saj, mund të jetë jo më pak se paga e një viti pune.
27 Dhjetor 2008