Veliaj: “Kjo qeveri i varfëroi shqiptarët”
Drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj, akuzon qeverinë dhe kryeministrin Berisha se me politikat e tyre korruptive i kanë shtyrë shqiptarët gjithnjë e më shumë drejt mjerimit dhe varfërisë. "Tavolinat e shqiptarëve këtë Vit të Ri do të jenë më të varfra. Sot kemi dy realitete: një Shqipëri që ofron oportunitete për shumë pak njerëz për të cilët rritja ekonomike është vërtet dyshifrore; dhe një Shqipëri tjetër, atë të prindërve dhe familjarëve tanë, që gjithë ditën vrasin mendjet se me çfarë do t’i mbushin tavolinat e tyre të festave", - tha Erion Veliaj në një vizitë në pazarin ushqimor pranë sheshit “Avni Rustemi”. Veliaj foli si me disa nga shitësit, ashtu dhe me konsumatorë, të cilët u ankuan se niveli në rritje i varfërisë si dhe rënia e fuqisë blerëse kishte sjellë ulje në konsum dhe në shitje. Veliaj tha se debati publik është i mbushur me çështje të nxehta politike, si dosjet dhe Prokuroria, në një kohë kur për njerëzit shqetësimi kryesor është ai ekonomik. "Ndërkohë që mund të mendojmë se do ta shtyjmë edhe këtë fundviti me remitancat që emigrantët sakrifikues shqiptarë vazhdojnë të dërgojnë, mungon krejtësisht debati dhe sugjerimet se çfarë do të bëhet për të përballuar krizën ekonomike, që do të ndihet në fillim të 2009. Jemi të shqetësuar për të gjithë njerëzit, festat e të cilëve do të jenë një stres ekonomik për të sjellë në tavolina ato që mezi përballohen me të ardhurat e zakonshme të shqiptarëve të ndershëm", - tha Veliaj.
27 Dhjetor 2008