E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkia shpërndan formularët,pa përcaktuar zonat informale

07/02/2005  VLORË/ Banorët kundërshtojnë ligjin e legalizimeve

Bashkia e Vlorës, ende nuk ka studiuar plotësisht zonat informale. Sipas kryebashkiakut Shpëtim Gjika, mësohet se kjo gjë do të bëhet sapo të mbarojë procesi i regjistrimit të ndërtimeve pa leje dhe vetëm atëherë do të jetësohen, pse, dhe kush do të quhet zonë informale. Megjithë mospërcaktimin e zonave informale, nga ana e bashkisë së Vlorës, mësohet se është miratuar komisioni i shqyrtimit të gjithë ndërtimeve pa leje.

Ndërkohë, mjaft qytetarë, pasi kanë dëgjuar për ligjin dhe procesin e legalizimit, kanë vrapuar në zyrat e ngritura enkas në bashki, për të deklaruar pronën e zënë si dhe ndërtesën e tyre, por janë shtangur kur kanë mësuar aty, se ende nuk janë shpallur zonat informale.

Arjan Hyseni, njëri prej qytetarëve të shumtë që ka ndërtuar një banesë pa leje, tregon se: “Kam ndërtuar një shtëpi të vogël tek isha fusha e aviacionit dhe erdha të regjistroj atë, duke menduar se do të përfitoj pronësinë e saj. Në bashki u çudita, sepse sipas zyrtarëve të bashkisë, jo të gjithë zonat me ndërtime të paligjhshme do të quhen zona informale. Për këtë arsye nuk e bëra regjistrimin pasi, ka shumë zëra, se kjo zonë me mijëra ndërtime pa leje, nuk do të futet në ato që do të ligjërohen. Si mua, ka shumë qytetarë që janë zhgënjyer me këtë ligj falls, do ta quaja unë”, tregon Arjani.

Sipas shefit të kabinetit të bashkisë, Arben Beqiri, mësohet se: “Deri tanimë, rreth 12 mijë qytetarë kanë tërhequr dokumentin ose formularin përkatës dhe jemi ende në pritje të shtimit të numrit, pasi, sipas një përllogaritjeje, ky numër mund të shkojë deri në 30 mijë por edhe më shumë”, bën të ditur Beqiri.

Historia

Harta e shtrirjes së zonave informale

Si në të gjithë vendin, edhe në Vlorë, pas ndryshimeve, në vitin 1990, filloi edhe ndërtimi i banesave pa leje. Zonat e para që u prekën nga ky virus i ri, ishte zona e ish-fabrikës së sodës, një vend mjaft i ndotur nga mbetjet toksike e kimike pasi, aty nuk kishte pretendime për tokën, më pas, ndërtimet u shtrinë te ish-këneta në lagjen “Çole”. Pas kësaj edhe ish-fusha e aviacionit, deri te Pusi i Mezinit, u rrethua nga këto ndërtime pa leje. Edhe zona turistike e Ujit të Ftohtë nuk ngeli mbrapa, duke krijuar një rreth të mbyllur të ndërtimeve pa leje. Sot mund të thuhet pa frikë se, qyteti i Vlorës rrethohet pikërisht nga zona informale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›