E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lehtësia mashtruese e gjetjes së fajtorit

07/02/2005  Është shumë interesante të vëresh në shtypin shqiptar, se me ç’lehtësi të parezistueshme, disa analistë, identifikojnë burimet e problemeve të vendit në nivelin politik. E kam fjalën për ata të cilët kanë arritur në përfundimin se, e keqja e politikës shqiptare e ka zanafillën tek drejtimi i politikës shqiptare, nga disa figura të “konsumuara”. Sa qartë, sa thjesht, sa lehtë! Por në fakt, të thuash se largimi i disa “figurave” do të zgjidhë problemet si me shkop magjik, kjo është e tepruar.

Duke shkruar këtë shkrim, marr përsipër rrezikun që të keqkuptohem. Sidoqoftë, do të desha të sqaroj që në fillim se, nuk është aspak qëllimi im të mbroj apo sulmoj cilëndo “figurë”. Qëllimi është thjesht të bëhet një përgënjeshtrim i thjeshtësisë së kësaj kategorie argumentesh.

Do t’ia nis me rolin që u caktohet elitave nga këta analistë.

Një nga paradigmat më të njohura në politikë është ajo se, çdo popull ka qeverinë që meriton. Në fakt, është edhe një nga paradigmat “tabu” të politikës, sepse përgjegjësinë për gjendjen politike të një vendi, ia kalon automatikisht qytetarëve të tij duke eklipsuar paksa rolin e elitave. Kjo paradigmë harrohet plotësisht në analizat e politikës shqiptare. Elitat politike janë funksionalisht dhe strukturalisht të lidhura me nivelin e zhvillimit politik të qytetarit. Kemi të drejtë të dyshojmë se francezët, gjermanët apo edhe kinezët, nuk do të ndiheshin rehat me një qeverisje si e jona. Nga ana tjetër, as ne nuk do ta konsideronim të përshtatshme një qeverisje si ajo e Fidel Kastros. Elitat politike nuk vijnë nga qielli dhe megjithëse luajnë një funksion organizues e drejtues në një vend, nuk janë të shkëputura nga mentaliteti i vetë atyre që i kanë zgjedhur. Politikanët tanë janë rritur nga prindër shqiptarë, janë edukuar nga mësues shqiptarë, kanë mësuar nga kolegë shqiptarë e kështu me rradhë. Niveli i elitave mund të jetë i ndryshëm nga ai i qytetarit votues, vetëm kur këto elita e marrin ose e mbajnë pushtetin në mënyrë jodemokratike, p.sh. përmes zgjedhjeve të pandershme ose përmes një regjimi diktatorial. Kemi edhe një rast tjetër përjashtues, atë të “despotit të ndriçuar”, por megjithatë, edhe ky rast bën pjesë në anomalitë e përfaqësimit.

Le të flasim konkretisht për gjendjen aktuale. Kërkesën për largimin e “figurave” të vjetra (si një lloj kërkesë për dorëheqje morale), do të mund ta arsyetonim vetëm nëse këto “figura” kanë dëmtuar procesin e përfaqësimit përmes zgjedhjeve. Në Shqipëri, kjo akuzë mund t’i bëhet Nanos (madje duke e mbështetur sidomos në raportet ndërkombëtare për zgjedhjet e fundit dhe parafundit). Nga ana tjetër e frontit, analiza për Berishën mund të bëhet vetëm pasi PD-ja të vijë në pushtet verën e ardhshme. Përsa i përket epitetit “të vjetra”, nuk më duket se ka kuptim: shumica e personazheve më të përfolur të qeverisjes aktuale, janë nga brezi i ri i politikanë. Pa përmendur shembuj si ai i presidentëve francezë, Miteran dhe Shirak, të cilët përpara se të arrinin pushtetin, iu desh të punonin politikisht për mbi 30 vjet.

Kryeministri shqiptar e mbështet hapur legjitimitetin e tij, me faktin se është votuar nga shumica. Në fakt, procesi i përfaqësimit që e ka ngritur në majë të qeverisjes, është më shumë se problematik. Së pari, që në nivelin fillestar, tek zgjedhjet e viteve 1997-2000-2001-2003, që mbetën larg të qenit të lira e të ndershme. Së dyti, vështirë të konsiderohet i pranueshëm një legjitimitet si ai i ngritur mbi votat e “kongresmenëve” klientelistë të PS-së. Këtë gjë e ka shumë të qartë, sidomos, Ilir Meta.

Nuk më duket e nevojshme të dokumentoj anomalitë e përfaqësimit. Por, duhet thënë se megjithatë, nuk jemi teknikisht në një regjim diktatorial (por as demokraci), dhe mund të themi me saktësi relative se një pjesë e mirë e shqiptarëve votojnë prej vitesh për të njëjtat “figura”, duke iu dhuruar legjitimitet. Kjo ështe demokracia.

Prandaj, një përfaqësim i tillë zgjedhor që është gjysëm i devijuar dhe gjysëm i vërtetë, në fakt, na çon në një të mesme mes dy qëndrimeve kryesore. Për një pjesë të votuesve shqiptarë që kanë votuar realisht për politikanët aktualë, vlen teoria se, “çdo popull ka qeverinë që meriton”, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Për pjesën tjetër mund të themi se, tani vetë kjo qeveri e ka prishur ekuilibrin dhe natyrisht nuk mund ta ngrejë legjitimitetin e saj mbi votues fantazmë. Në këtë rast, nuk mund ta gjejmë fajin tek niveli i kulturës politike të qytetarit, por tek fantazia manipuluese zgjedhore.

Pra, nëse arrijmë në përfundimin se politika jonë duhet të ndryshojë për mirë, atëherë është e qartë se kemi dy nivele të problemit. I pari, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e elektoratit që voton për përfaqësues të paaftë, të korruptuar, etj. I dyti, është përgjegjësi e vetë këtyre politikanëve që kanë ndërtuar një sistem të vetëmjaftueshëm, për të siguruar riprodhimin e pushtetit të tyre, pavarësisht nga realiteti i votës, që në fakt e kanë manipuluar sipas qejfit.

Kemi dy probleme të ndryshme, por një zgjidhje të vetme me një kusht të madh. Kushti i madh është që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të ndershme dhe sinqerisht, deri në këtë moment, mund të konstatohet, përkundrazi, një vullnet i hekurt i PS-së, për t’i “futur në xhep” ende pa u bërë. Aq i hekurt është ky vullnet për tjetërsimin e votës, sa i bën përfaqësuesit e PS-së të dalin haptazi kundër OSBE-së, në rastin e përcaktimit të zonave zgjedhore, megjithë faktin se politika shqiptare e nxjerr legjitimitetin e saj, pikërisht nga organizmat ndërkombëtarë. Në fakt, nuk do të ishte hera e parë për PS-në, e cila e ka humbur virgjërinë zgjedhore prej kohësh, pa e vrarë shumë mendjen për kritikat dhe vërejtjet ndërkombëtare. Nga ana e saj, PD-ja me përjashtimin e zgjedhjeve të 1996-s, pati guximin politik të organizojë votim të lirë në vitet 1992 dhe 1994 (Referendumi për Kushtetutën). Nga ana e saj, PS-ja ende nuk ka bërë zgjedhje të pastra, një fakt ky që nuk jep ndonjë garanci të mirë për të ardhmen e afërt. Në rast të devijimit të votave në zgjedhjet e ardhshme, qeverisja e Shqipërisë do të shkëpuste çdo lidhje me qytetarin, duke shtuar potencialin e përplasjeve sociale dhe politike. Përmasat e paparashikuara të protestave të një viti më parë, duket se konfirmojnë këtë hipotezë.

Një nga qëllimet e këtij shkrimi, është të verë në dukje përgjegjësinë e votuesve në cilësinë e politikës shqiptare. Mundësia e manipulimit apo paracaktimit të rezultatit të zgjedhjeve, natyrisht e zbeh këtë përgjegjësi, por nuk e tret plotësisht. Në rast se zgjedhjet do të jenë të lira e të ndershme, do të mund të testojmë plotësisht “figurat e vjetra” të politikës shqiptare, si dhe akuzat ndaj tyre.

Tani, le të shohim argumentin për mungesën e demokracisë, brenda partive politike. Në të vërtetë, ky nuk është aspak argument. Edhe nëse demokracia brenda tyre nuk kënaq kriteret e analistëve tanë, partitë politike janë organizime vullnetare (njësoj si bizneset, etj.) që qeverisen nga raporte të brendshme seleksionuese pushteti. Pushtetin e ushtron ai që ka mbështetjen më të madhe dhe aftësinë për të udhëhequr. Le të mos ngatërrojmë pra, institucionet shtetërore me strukturat partiake. Në fund të fundit, partitë politike që qeverisen demokratikisht, janë ende një specie e panjohur në politikën moderne dhe ne nuk mund të kërkojmë në Shqipëri, atë që nuk u ka shkuar në mend as idealistëve më të mirë demokratë në botë.

Nga ana tjetër, kërkesa publike nga këta analistë për largimin e “figurave të vjetra”, përputhet plotësisht me strategjinë elektorale të PS-së, për t’i trajtuar të gjithë politikanët njësoj. Në llumin e përbashkët ku PS-ja dëshiron të fusë të gjithë politikën, dallimet nuk do të dalloheshin më aspak. Nga ana tjetër, kjo kërkesë mund të shihet edhe si një “demaskim” i tipit të “fletërrufesë”, që forca apo individë të dalë vonë në skenë (si LSI-ja apo Edi Rama) i bëjnë politikës së deritanishme, për të ridrejtuar votat drejt tyre.

Sidoqoftë, nëse arrijmë në përfundimin se nuk meritojmë këta politikanë, atëherë nuk ka kuptim tu kërkojmë atyre të largohen në emër të interesave të vendit: është njësoj si t’i sugjerosh një aspirinë, një të dënuari me prerje koke në gijotinë. Së pari, pse do ta bënin ? Përse dikush që bën të pamundurën për të fituar zgjedhjet me lloj-lloj hilesh, do të hiqte dorë nga pushteti vullnetarisht? Aq më tepër, kur gjatë këtyre 7 viteve ka krijuar shumë interesa ekonomikë, që tani duhen mbrojtur në nivel politik? Së dyti, për të qenë të ndershëm me veten, zgjidhja e vërtetë do të duhej të ishte ngritja e nivelit të kulturës politike të vetë votuesve. Një votues që e njeh dhe kupton më mirë politikën, do të ishte më kërkues ndaj saj dhe rrjedhimisht, do të kërkonte më tepër prej saj. Do të ishte gjithashtu, më pak i gënjyeshëm, gjatë fushatave elektorale. Dhe, mënyrat për ta bërë këtë gjë, janë të shumta: pavarësimi i mediave nga kontrolli dhe ndikimi i qeverisë (duke nisur nga televizioni publik), edukimi më cilësor i brezit të ri në nivel shkollor e akademik, etj.

Edukimi politik i votuesit dhe qytetarit, është në fakt, një zgjidhje perspektive. Por, problemet tona janë më urgjente. Duhet t’i kthejmë votuesit votën. Duhet të rifusim procedurën e përfaqësimit demokratik në politikën shqiptare. Duke e kthyer mbrapsht paradigmën tonë fillestare, le të themi se “duhet t’i japim mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverinë që meritojnë, cilado qoftë ajo”. Vota e lirë dhe e ndershme, është filtruesi më efikas për të gjitha figurat, të vjetra apo të reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›