E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia të rishohë hapësirën publike në plazh

28/05/2009  Drejtues të qarkut pritet të kenë takim me bashkiakët: Shqetësues zaptimi i rërës

DURRES- Qarku i Durrësit ka vendosur të kërkojë në Bashkinë e Durrësit një informacion të detajuar lidhur me numrin e plazheve private dhe hapësirave të rërës që do të jenë në shërbim të pushuesve. Një vit më parë tërë bregdeti në Durrës nga Ura e Dajlanit deri tek Përroi i Agait, duke përfshinë në këtë mënyrë territorin e Bashkisë së Durrësit dhe të komunës së Rrashbullit u ngushtua së tepërmi hapësira për plazhet publike.

Shqetësimi

Ndërsa një situatë e tillë është cilësuar shqetësuese për qarkun nisur edhe nga numri shumë i madh i ankesave qytetare, bashkia këtë vit ka vendosur të bëjë të njëjtin veprim. Deklarimi nga krerët e bashkisë se numri i plazheve private dhe shtrirja e tyre do të jetë ajo e një viti më parë. Ka sjellë edhe reagimin e qarkut. Mësohet se bashkia për të fituar 10 milionë lekë në tre muaj, shumë e cila nuk është thënë asnjëherë nëse është arkëtuar dhe për sa plazhe private e sipërfaqe të zënë është arkëtuar, nuk ka “kursyer lejet”. Nga Ura e Dajlanit deri në Plepa vetëm 4 plazhe janë publike, ndërkohë që vit pas viti hapësira e tyre ka ardhur duke u ngushtuar. Këtë vit situata pritet të shfaqë probleme edhe në bregdetin e Currilave, plazhin e vjetër të banorëve të qytetit. Paraprakisht është thënë se do të ketë një takim mes kreut të qarkut dhe kryetarit të bashkisë për të diskutuar lidhur me këtë çështje, e cila një vit më parë solli konfrontime në bregdet. Dhjetëra pushues vendës, kosovarë, por edhe familjarë që kanë apartamentet e tyre të banimit në anë të rërës kanë nënshkruar peticione, protesta, marshime lidhur me presionin drejtuar bashkisë për të vënë dorë në këtë drejtim. Heshtja e bashkisë si dhe deklarimi i kreut të saj se këtë vit asgjë nuk do të ndryshojë me sipërfaqet e zëna nga privatët, ka sjellë reagime nga pjesa më e madhe e komunitetit. Ndërkohë dhe pjesa më e frekuentuar nga pushuesit nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem është i zaptuar nga privatët, të cilët kanë ngritur hotele dhe lokale në bregun e detit. Shumica e familjarëve nuk kanë se ku të ngrenë çadrat e tyre pasi asnjë pëllëmbë rërë nuk është e lirë. Kështu që ata që duan të frekuentojnë këtë plazh minimumi u duhet të shpenzojnë deri në 300 lekë për shezlongjet dhe çadrat që ua ofrojnë privatët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›