E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e qenve të rrugës, ankth për qytetarët

28/05/2009  Bashkiakët qëllojnë mjetin

KORÇE- Gjatë ditëve të fundit një grup punonjës i bashkisë Korçë është vënë në ndjekje të qenve për eliminimin e tyre. Për net të tëra me radhë, Korça ka qenë e pushtuar nga lehje qensh dhe krisma çiftesh, ndërsa duket se kjo gjendje do të përjetohet edhe për ditë të tjera në vijim. Megjithatë, duket se eliminimi i qenve nuk është dhe kaq i lehtë, pasi ata tashmë kanë zbritur nga periferia dhe kanë pushtuar gjithë hapësirat e këtij qyteti. Rreziku i përhapjes së sëmundjes së qenit ose siç njihet ndryshe me emrin shkencor “Ekinokoku” ka detyruar bashkinë t’i përgjigjet në kohë situatës së krijuar, pasi ditët e nxehta të verës mund të sillnin dhe ndonjë epidemi të mundshme. Një aksident ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës, ku punonjësit e bashkisë duke qenë në ndjekje të qenve kanë qëlluar me çifte mbi një automjet të parkuar pranë një shtëpie, duke e dëmtuar atë. Fatmirësisht në atë çast, në automjet nuk kishte pasur njerëz brenda. Kjo ngjarje është bërë e ditur nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së qarkut Korçë, ku kjo e fundit pas kryerjes së hetimeve arriti në përfundimin se dëmtimi i automjetit kishte ardhur si pasojë e goditjes së saj me armë zjarri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›