E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngordhja e cironkave nga sëmundja e mykotikut

28/05/2009  Fenomeni u konstatua të martën. Analizat në 3 vende, gati masat për parandalimin

KORÇE- Shërbimi veteriner pranë Drejtorisë së Bujqësisë Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Korçës bëri të mundur që brenda një kohe relativisht të shkurtër të përcaktojë përfundimisht shkakun që solli ngordhjen e cironkave në liqenin e Prespës. Nga burime zyrtare të kësaj drejtorie mësohet se shkak i këtij fenomeni ka qenë sëmundja e mykotikut, madje ka qenë vetë përgjegjësi i laboratorit veteriner në Korçë Beniamin Napuçe, i cli përmes bërjes së njohur të rezultateve të analizave ka hequr përfundimisht dilemat dhe ankthin e banorëve të fshatrave për rreth liqenit të Prespës.

Shkaku

Sipas Napuçes, analizat e mostrave u kryen jo vetëm në laboratorin e Korçës, por edhe në laboratorët e dy vendeve fqinj, në Greqi dhe Maqedoni, ku rezultatet e tre laboratorëve arrinin në të njëjtin përfundim: ngordhja e cironjve ishte shkaktuar nga mykotiku. Paraprakisht mendohet se ky infeksion ka prekur gjithë hapësirën e ujërave të liqenit, pasi edhe ngordhja e cironjve është evidentuar në gjithë gjatësinë e bregliqenit, duke përfshirë këtu edhe brigjet e dy vendeve të tjera kufitarë. Është pikërisht kjo sëmundje u shprehën specialistët veterinerë që sjell edhe ngordhjen në masë të cironjve, madje konkluzionet e nxjerra nga këto analiza konfirmojnë faktin se edhe gjatë viteve të mëparshme, (siç ishte ajo e para tre vjetëve, ku sasi të mëdha peshqish u gjetën të ngordhur në gjithë bregliqenin) ishte shkaktuar nga e njëjta sëmundje. Nëse i referohemi këtij dëmi të shkaktuar të përsëritur, atëherë mund të thuhet se dëmi ka ardhur në rritje nga viti në vit, ku ndërkohë ka ndikuar edhe në mbarështimin e peshkut tashmë kur shkak i ngordhjes është bërë i njohur, burime pranë shërbimit veteriner në Korçë konfirmuan se do të merren të gjitha masat për eliminimin e kësaj sëmundje që ka pushtuar ujërat e liqenit të Prespës, por megjithatë duhen gjetur mënyra të tilla që të mos sjellin dëmtimin e specieve të tjera. Gjithsesi pritet që shumë shpejt të nisë dezinfektimi i liqenit, konfirmojnë të njëjtët burime. Ndërkaq, kryetari i komunës Liqenas Edmont Themelko bëri të ditur se nën kujdesin e komunës banorët e zonës, duke synuar ruajtjen dhe pastërtinë e saj, po vazhdojnë të mbledhin dhe po groposin cironkat e ngordhura, duke mos lënë që ata të dekompozohen dhe të bëhen shkak për ndonjë epidemi të mundshme. Fenomeni u konstatua mëngjesin e ditës së martë në liqenin e Prespës. Ujërat e këtij liqeni kanë nxjerrë në breg sasi të mëdha cironjsh të ngordhur. Ende nuk dihet sasia e saktë e cironjve të helmuar, por paraprakisht bëhet fjalë për sasi tepër të konsiderueshme. Të parët që kanë dhënë alarmin për këtë dukuri që po përsëritet herë pas here, kanë qenë banorët e fshatrave të Prespës, të cilët kanë qenë tepër të shqetësuar për atë çka po ndodh me liqenin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›