E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia u prishi shtëpitë, familjet të ndara për së gjalli



Sa herë shfaqet në ekranin e televizorit kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, 4-vjeçarja thotë të njëjtën shprehje: “Ja xhaxhi që më prishi shtëpinë”. Këto fjalë i janë kthyer në refren. Madje edhe televizorin nuk ka dëshirë ta ndjekë më, pasi aty shfaqet herë pas here “xhaxhi”. Ai xhaxhi që i ndau prindërit, që e la pa shtëpi dhe sot bëri që ky fëmijë bashkë me motrat dhe vëllezërit e tjerë të rriten të pastrehë. Është mbesa e Ruzhdie Metës, e një prej banorëve të Laprakës që një vit më parë Policia Ndërtimore me vendim të Bashkisë së Tiranës i prishi shtëpinë.

Strehimi

Kthehemi pas më shumë se një viti në Laprakë. Në hyrje të kësaj zone të bie në sy rehabilitimi. Por më shumë se kaq, ajo çka të bie në sy janë ndërtimet buzë rrugës, një pjesë e të cilave formojnë një zigzag. Disa shtëpi fare afër rrugës as nuk janë prekur me dorë, ndërsa të tjera deri në disa dhjetëra metra larg rrugës kryesore janë fshirë nga sipërfaqja e dheut. Rrugëtimi vazhdon. Pasi kemi parë përreth, kërkojmë të dimë më shumë rreth fatit të disa prej banorëve, shtëpitë e të cilave u prishën nga bashkia, megjithëse ishin në proces legalizimi, gjatë zbatimit të projektit rregullues të Tiranës, që administrohet nga Banka Botërore. Ndërkohë që mësojmë se të gjithë këta banorë ende vazhdojnë të jenë të pastrehë dhe të padëmshpërblyer, ndonëse Banka Botërore ka deklaruar për raste të tjera se do të dëmshpërblejë ata, të cilëve u prishën shtëpitë.

Gjetja e këtyre banorëve është e vështirë. Për një pjesë nuk dihet fati i tyre. Siç e pohojnë fqinjët, pas prishjes së shtëpive, shumë familje janë detyruar të ndahen, njëri bashkëshort jeton tek një i afërm në Shqipëri, ndërsa tjetri ka emigruar për tek fëmija që ka në emigracion. Të tjerë kanë ikur fare nga Lapraka dhe nuk dihet se ku jetojnë. Ndërkohë, ka edhe nga ata që kanë gjetur strehim tek të afërmit e tyre po në këtë zonë. Dhe të tjerë që jetojnë me qera. Ruzhdie Meta është njëra prej banorëve që i është prishur shtëpia vitin e kaluar. Pasi kemi mësuar se ku gjendet, i afrohemi. E gjejmë teksa shet në një tezgë, gjëra ambulatore. I prezantohemi dhe e pyesim për fatin e saj dhe çfarë ka ndodhur me të dhe familjen pas prishjes së shtëpisë. Ajo hesht. Pas pak çastesh merr forcë dhe me sytë të përlotur bën me dorë për nga tezga. “Siç po e shikon edhe vetë, në mes të katër rrugëve. Mbeta pa shtëpi, familja m’u përça, më mbetën nipërit rrugëve”. Ndërsa fshin lotët, ndër dhëmbë thotë: “Më prishën shtëpinë 120 m katrorë, mezi e kisha ndërtuar, edhe atë me ndihmën e djalit në emigracion. Më nxorën nga shtëpia shtatë familjarë. Unë me bashkëshortin dhe djali me gruan dhe tre fëmijët. Pas prishjes së shtëpisë, djali u nda nga bashkëshortja, ajo mori fëmijët dhe aktualisht jeton tek shtëpia e prindërve të saj. Pas ndarjes, djali u detyrua të shkonte sërish në emigracion. Ndërsa unë bashkë me bashkëshortin jetojmë tek motra e burrit pa qera. Burri punon me një rrogë mujore prej 100 mijë lekësh të vjetra. Kurse mua më kanë liruar këtë cepin këtu dhe mundohem të punoj. Ne tashmë jemi të vjetër, e kemi të pamundur që të punojmë, pasi unë jam 53 dhe burri 55 vjeç, nuk mundemi të ngremë shtëpinë nga fillimi”.

Përpjekjet e saj për të gjetur strehim kanë qenë të vazhdueshme. Ajo e quan të padrejtë prishjen e shtëpisë, pasi ishte në proces legalizimi dhe dosja e saj ishte e rregullt. Nga ana tjetër, Ruzhdia thotë se ka aplikuar për strehim në minibashki, por deri tani nuk është bërë asgjë. Ndërkohë që shpreson që të paktën të kompensohen shtëpitë e prishura, pasi ishin në proces legalizimi.

Edhe shtëpia e Bilbil Dodës ishte në proces legalizimi. Ai thotë se shtëpinë e kishte ndërtuar 30 m larg rrugës kryesore dhe se nuk kishte projekt urbanistik që të mund të kapte aq larg. “Dy ditë përpara sollën vendimin, dorë pas dore, më pas erdhi Policia Ndërtimore dhe prishi shtëpinë. Nuk kemi pasur kohë as të heqim rrobat, gjithçka është rrënuar bashkë me shtëpinë”, - thotë Doda. Teksa pohon se prishjet nga ana e bashkisë janë bërë selektive, Bilbil Doda tregon edhe fyerjen e djersës dhe mundit 12-vjeçar. “Kam hedhur 12 vjet djersë dhe mund në atë shtëpi dhe ma kanë shembur para syve për dy minuta. Nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, madje është thënë të pastrojmë mbeturinat”.

Sipas Dodës, shtëpia ishte e ndërtuar në rreshtin e dytë, ndërkohë ai thotë se ka pasur shtëpi dhe subjekte tregtare që në rreshtin e parë nuk janë prekur fare. Aktualisht, Bilbili, një vit pas prishjes së shtëpisë, gjendet mes katër rrugëve, i pastrehë, i papunë. Ai aktualisht jeton me të ëmën, bashkëshorten dhe dy fëmijët tek një familjar i tij.

Kompensimi

Tre banorë të zonës së Laprakës, shtëpia e të cilëve është prishur nga Policia Ndërtimore, kanë hedhur në gjyq Bashkinë e Tiranës. Sipas Dodës, procesi vazhdon. Deri tani është kryer vetëm seanca e parë, pasi mungonin specialistët e ALUIZNI-t, ndërsa seanca tjetër mbahet më 23 maj. Ndonëse banorët vazhdojnë të jenë të pastrehë, ende nuk është vendosur për kompensimin e tyre. Ndërkohë që Banka Botërore ka administruar gratin për hartimin e Planit Rregullues Urbanistik të Tiranës. Plani Rregullues i Tiranës nuk është miratuar ende dhe kjo e mban Bankën Botërore ende palë në procesin e Planit të Tiranës. Deri tani këta banorë nuk kanë marrë mbështetje financiare as nga Bashkia e Tiranës as nga BB-ja.

Mustafa: Bashkia e Tiranës bëri prishje selektive

Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, Haki Mustafa, pohon se Policia Ndërtimore ka kryer prishje deri në 50 m larg aksit të rrugës. Sipas ligjit, duhej të ishte shprehur ALUIZNI dhe jo Bashkia e Tiranës. Sipas Mustafës: “Në total janë prishur 42 banesa prej të cilëve 3 qytetarë janë në proces gjyqësor me Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë që sipas projektit të Kooperacionit Italian, parashikohej që për infrastrukturën e Laprakës të prisheshin ndërtesat e vetëm 10 familjeve dhe këto cenoheshin nga 1-2 m dhe të tjerat nuk kapeshin.

Meqë këto kishin shkruar një formular vetëdeklarimi dhe derisa të mbaronte legalizimi, pasi kështu parashikohet edhe në ligj që fillimisht duhet bërë legalizimi dhe pastaj urbanizimi, këto ndërtesa nuk duhej të prisheshin. Efektivisht, deri në këto momente asnjë lloj fondi nuk ka për to, vetëm në rast se fitojnë gjyqin me Bashkinë e Tiranës. Juristi i njësisë bashkiake nr. 11 është vënë në dispozicion të tyre dhe juristi i ALUIZNI-t po i ndihmon gjithashtu në lidhje me bazën ligjore dhe mënyrën e procedimit për procesin gjyqësor. Banesat që kanë vetëdeklaruar ishin në proces legalizimi. Ndërkohë që ne si njësi i kemi kërkuar Bashkisë së Tiranës projektin për të ditur se ku ka studime që edhe ne t’i lajmërojmë banorët, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Kryebashkiaku Edi Rama në zonën e Laprakës ka punuar me dy variante, diku ka prishur dhe diku jo, përgjatë rrugës “Lord Bajron”. Ligji e shpreh mirë se kompetenca për vendosjen e prishjes ose jo të një ndërtesë është kompetencë e ALUIZNI-t dhe jo e Bashkisë së Tiranës. Prandaj, edhe prishja e ndërtesave në Laprakë është në kundërshtim me ligjin”, - shprehet Mustafa.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›