E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëmbi i Kavajës, ujërat e zeza derdhen në det



Deti, tek një pjesë e mirë e vijës turistike tek Shkëmbi i Kavajës, ka nisur të pësojë ndotje masive, nga derdhja e ujërave të zeza vend e pa vend, madje me rrjet tubacioni të veçantë nëntokësor nga objektet e shërbimit. Duket se disa pronarë objektesh turistike si lokale, motele e hotele, duke mos përjashtuar edhe ndonjë pallat banimi, po i shkarkojnë në det ujërat e zeza të grumbulluara në gropat septike të hoteleve apo shtëpive të pushimit që kanë në pronësi.

E ndërsa sezoni veror, i cili pritet të shoqërohet me temperatura të larta këtë vit, ka nisur të trokasë, banorë të zonës së plazhit e konkretisht të Shkëmbit të Kavajës janë ankuar për ndotjen e bregut të detit që po ngjet këto ditë për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza brenda në det.

Rrjeti i ndotjes

Duke ecur përgjatë vijës bregdetare, nga Plepat deri tek Shkëmbi i Kavajës, do të shikosh të ndërtuar një numër të madh hotelesh dhe kompleksesh turistike. Për shkak të mungesës së kanalizimeve të ujërave të zeza, ky sistem objektesh funksionon me gropa septike. Sipas ligjit, ujërat e zeza të grumbulluara në këto gropa më pas duhen thithur me autobote e duhen shkarkuar në kanalin e madh të ujërave të zeza të qytetit.

Gjatë këtyre ditëve, pronarët e komplekseve turistike kanë nisur nga puna përgatitore për të pritur sezonin turistik që po afron. Pjesë e punës është edhe pastrimi i gropave septike apo shkarkimi i tyre, por disa prej tyre kanë preferuar që të hapin në rërën e plazhit kanale të përkohshme, nëpërmjet të cilëve po shkarkojnë ujërat e zeza në vend që t’i thithin ato me autobote. Shumë pronarë hotelesh janë shqetësuar dhe kanë ngritur zërin në komunë për këtë dukuri, e cila vetëm sa largon pushuesit që mund të kenë planifikuar të kalojnë disa ditë vere në këtë pjesë të bregdetit.

Kanalet

Deri tani janë të evidentuara disa kanale të improvizuara që vazhdojnë të derdhen në det gjatë ditëve të fundjavës. Në pranverën e vitit 2008 dhe pikërisht në prag të sezonit veror, organet e mbrojtjes së shëndetit patën gjobitur disa persona juridikë, pasi patën kryer një shkelje të tillë.

Banorët, por edhe një pjesë e mirë e pronarëve që janë lidhur me ndërmarrjen e kanalizimeve, shprehen se “strukturat e pushtetit vendor duhet të marrin masa të ndërpresin veprimtarinë antiligjore që kryejnë dhjetëra e dhjetëra subjekte private, duke ngritur rrjete tubacionesh që shkarkojnë gropat e tyre septike në det. Ata duhet të ndalin këtë masakër që po i bëhet detit, aq më tepër tani në prag të sezonit të ri turistik”.

Dogana e Durrësit: Kontrabanda është minimizuar

Dogana e Durrësit ka mundur që të rrisë me 40 milionë euro të ardhurat nga zhdoganimet përgjatë tri viteve të fundit. Zyrtarët e doganës deklarojnë se tashmë evazioni fiskal është ulur në minimum, për shkak të uljes së kontrabandës. Shifrat pozitive të planit të doganës së Durrësit kanë mundur të jenë të tilla pas bllokimit të kontrabandës së disa mallrave që dikur hynin me dokumentacion të tjetërsuar. Punonjës në doganën e Durrësit kanë deklaruar për “standard” se “mënyra e vetme për të realizuar planin e Ministrisë së Financave, i cili është dërguar që në dhjetorin e vitit të kaluar, ishte lufta ndaj kontrabandës. Janë disa lloje mallrash të cilat nëse do të hyjnë në rrugë ligjore dhe do t’u nënshtrohen zhdoganimeve, atëherë plani jo vetëm që mund të realizohet, por edhe tejkalohet”. Cigaret dhe floriri ishin ndër mallrat që dikur hynin pa doganë, çka sillte edhe humbje të konsiderueshme në arkën e shtetit. Po ashtu, edhe aparatet e telefonisë celulare, objekte zbukurimi, prodhimet e miellit, të konfeksionit etj. Prej afro 4 vitesh, bllokimi i kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizën, por edhe mallrave të tjera, i ka sjellë shtetit fitime që llogariten në afro 40 milionë dollarë dhe ka vendosur rregullin dhe ligjin mbi cilindo që punon si biznes i madh eksport-import, duke realizuar si asnjëherë tjetër edhe planin e caktuar nga dikasteri i Financave dhe DPD-ja. Tashmë, në doganën e Durrësit, veç Antikontrabandës, vepron edhe një tjetër grup i Task-Forcës, e cila mbështet doganën dhe levat e saj për parandalimin dhe bllokimin e veprimtarive të paligjshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›