Universitetet, më shumë kuota se një vit më parë
Të gjitha universitetet në vend kanë përgatitur tashmë propozimet e tyre në lidhje me kuotat e pranimeve për vitin e ardhshëm shkollor. Në krahasim me një vit më parë, vihet re një rritje e konsiderueshme e kuotave të propozuara, më së shumti për shkak të rritjes së mundësisë së pranimit të vetë universiteteve. Ndërkaq, numri përfundimtar i kuotave, që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, pritet të ketë një rritje me rreth 10 për qind, sipas burimeve.
Propozimet
Drejtuesit e institucioneve publike të arsimit të lartë kanë përcaktuar këtë vit më shumë kuota pranimi, që variojnë nga disa qindra deri në afërsisht 1 mijë kuota më shumë për universitetet e mëdha. Burime nga Universiteti i Tiranës dhe ai Politeknik bëjnë të ditur se propozimet e dorëzuara në Ministrinë e Arsimit ndryshojnë në krahasim me vitin e kaluar, më së shumti për shkak të rritjes së kapaciteteve të këtyre institucioneve.
Burime nga Universiteti i Tiranës thonë se kjo rritje ka të bëjë me numrin e pedagogëve dhe të mjediseve të universitetit. Ata deklarojnë se “këtë vit kemi propozuar 7100 kuota, pra rreth 800 kuota më shumë se një vit më parë. Kjo rritje vjen si rezultat i numrit të pedagogëve që i është shtuar organikës së universitetit si edhe mjediseve të reja që do të krijohen për fakultetet e universitetit”.
Ndërkaq, edhe Universiteti Politeknik dhe ai Bujqësor kanë rritur kërkesat e tyre për studentë në krahasim me një vit më parë, për të njëjtat arsye. Këto propozime tashmë janë dorëzuar pranë Ministrisë së Arsimit, e cila do të vendosë kuotat që do të propozohen në Këshillin e Ministrave. Qeveria është institucioni i vetëm që ka kompetencën e përcaktimit të kuotave për institucionet publike të arsimit të lartë.
Pranimet
Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se për shkak të rritjes së numrit të pedagogëve, në të gjitha universitetet publike edhe numri i studentëve që do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik do të jetë më i lartë. Vitin e kaluar universitetet publike shtuan në strukturën e tyre qindra pedagogë të rinj, si rezultat i vendimit përkatës të qeverisë.
Kjo pritet të reflektohet edhe në numrin total të studentëve që do të pranohen gjatë vitit të ardhshëm akademik. Vendimi në fjalë pritet të merret pas përfundimit të provimeve të detyrueshme të Maturës Shtetërore dhe në të do të përcaktohen edhe kuotat e sistemit me kohë të pjesshme, si edhe kuotat për shqiptarët e Kosovës, Preshevës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.