Shkolla e Policisë, ja datat për testimin fizik për fituesit
Në ambientet e Qendrës së Formimit Policor u zhvillua dje testimi me shkrim i kandidatëve nga qarqet Tiranë, Durrës dhe Dibër, që kanë aplikuar për të ndjekur studimet në shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë të Përgjithshme”. Këtij testimi iu nënshtruan 364 aplikantë nga këto qarqe, të ndarë në dy grupe. Grupi i parë iu nënshtrua testimit në orën 07:00 dhe grupi i dytë në orën 11:00. Në përfundim të konkurrimit të ditës së djeshme u shpallën fitues të testimit me shkrim 143 aplikantë, të cilët arritën të grumbullonin mbi 60 pikë. Ashtu sikundër dhe në vitet e mëparshme, korrigjimi i testimit u realizua me skaner dhe kandidatët u njohën me rezultatin brenda ditës. 143 kandidatët e shpallur fitues të testimit me shkrim do t’u nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurrimit. Aplikantët që rezultuan fitues nga grupi i parë i konkurrimit (nga numri rendor 1-72 në listë), do t’i nënshtrohen testimit fizik me datën 22.04.2009, në orën 08:00 në Qendrën e Formimit Policor (ish-Akademia e Policisë). Ndërkohë, aplikantët që rezultuan fitues nga grupi i dytë i konkurrimit (nga numri rendor 1-71 në listë), do t’i nënshtrohen testimit fizik me datën 23.04.2009, në orën 08:00 në Qendrën e Formimit Policor (ish-Akademia e Policisë). Aplikantët duhet të paraqiten ditën dhe orën e përcaktuar për testimin fizik të veshur me uniformë sportive.