E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet vuajnë mungesën e ambienteve

20/04/2009  Ndonëse çdo vit shtohen kuotat e pranimeve, kapacitetet mbeten po të njëjtat

Shtohen kuotat e pranimeve në fakultete, por kapacitetet pritëse (ambientet fizike) mbeten në të njëjtat hapësira. Vëzhgimet e bëra pranë institucioneve të arsimit të lartë në lidhje me kapacitetet kanë treguar se në shumë prej tyre përkundrejt kuotave të caktuara shtrohet detyra emergjente e gjetjes së hapësirave të domosdoshme për të realizuar procesin mësimor. Më problematike situata është në Universitetin e Tiranës, ku pjesa dërrmuese e fakulteteve i kanë ezauruar tashmë ambientet fizike për shkak të fluksit të lartë të studentëve që i frekuentojnë.

Vëzhgimet tregojnë se auditorët shqiptarë janë të mbipopulluar, çka ndikon negativisht në cilësinë akademike që nxirret prej tyre.

Situata

Me dorëzimin e shkresave për kuotat e pranimeve që vetë universitetet kanë propozuar pranë Ministrisë së Arsimit, janë dërguar të detajuara edhe raportet mbi shfrytëzimin e kapacitete të këtyre institucioneve. Sipas të dhënave, për Universitetin e Politeknikut (UPT) rezulton se ky tregues është disi më i përmirësuar në krahasim me universitete e tjera. Pranë UPT-së rezulton se raporti sipërfaqe në metër katror për studentë luhatet në kufijtë nga 1.1 metër katror në 3.3 metra katrorë për student. Ndërsa pranë fakulteteve evropiane është përcaktuar se hapësira që duhet të gëzojë një student në auditorë duhet të jetë rreth 3.5 metra katrorë. Kjo shifër për universitetet shqiptare duket e pamundur të arrihet, pasi të dhënat janë edhe më shqetësuese, po t’i referohemi Universitetit të Tiranës, ku hapësirat janë disa herë më të kufizuara se ato që u përmendën më lart.

Monitorimi i kryer pranë tyre pak kohë më parë ka treguar se “për fakultetin e Shkencave Sociale ky tregues arrin në 0.4 metra katror për student, për Gjuhët e Huaja 0.5 dhe për Juridikun 0.6 metër katror për student”.

Stafet/bibliotekat

Ajo çfarë ka arritur përmirësime gjatë këtyre viteve është shtimi i stafeve akademike në përballimin e këtyre nevojave. Sipas raportit të UPT-së, për realizimin e procesit të mësimdhënies 1 pedagog angazhohet me rreth 27 studentë. Njëkohësisht në shkresën e dërguar Ministrisë së Arsimit në lidhje me pranimet që do të bëhen gjatë vitit të ardhshëm në Universitetin Politeknik janë evidentuar edhe problemet që kanë të bëjnë me bazën didaktike mësimore. Konkretisht në raport thuhet se gjendja e bibliotekës shkencore nuk u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës. “Kërkesat për përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit janë në rritje. Një pjesë e pajisjeve kanë pasur konsum moral, ato nuk mund të përdoren për të suportuar softe të fuqishme llogaritëse.”

Universiteti Politeknik i Tiranës

Vijon bashkëpunimi me universitetin gjerman të Siegenit

Vazhdon bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Politeknik dhe atij të Siegenit në Gjermani. Këtë vit bashkëpunimi është shtrirë edhe më tej në fushën e mësimdhënies. Konkretisht, në kuadër të realizimit të procesit të Bolonjës, është krijuar mundësia që profesorë të Universiteti të Siegenit dhe të Politeknikut të Barit të vijnë e të zhvillojnë një modul leksionesh në kurset e ciklit të parë të Bolonjës. Në këto dy javë të fundit prof. Thomas Carolus (pala gjermane) po zhvillon një cikël leksionesh me studentë të vitit të parë të sistemit DND, të degës mekanike të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në lëndën “Makinat me fluid, 2” dhe “Sistemet e energjisë”. Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe së bashku me studentët shqiptarë dhe profesorët gjermanë janë zhvilluar edhe praktika mësimore si ajo në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ku studentët u njohën si me anën hidroteknike të veprës, ashtu edhe me pajisjet mekanike. Drejtuesit e këtyre universiteteve pohojnë se futja e Shqipërisë në NATO do të krijojë mundësi për zgjerim të këtyre formave të bashkëpunimit. Natyrisht, ky bashkëpunim do të kërkojë një angazhim më të plotë të strukturave akademike Universitare, por dhe një përgatitje e angazhim serioz të masës së studentëve për një përgatitje më cilësore në të gjitha drejtimet e procesit mësimor.

Kartat e identitetit

UT siguron 4600 kuponët e nevojshëm për studentët

Universiteti i Tiranës ka siguruar tashmë sasinë e duhur të kuponëve, që do t’u shpërndahen studentëve duke filluar nga dita e nesërme, për të aplikuar më pas për marrjen e kartës së identitetit. Drejtuesit e këtij institucioni kanë pohuar se pas rishikimit të situatës janë siguruar 4600 kuponët, të cilët do të lejojnë studentët që nuk kanë pasaportë të aplikojnë për kartën deri në datën 1 maj 2009. Shpërndarja e këtyre kuponëve do të bëhet kundrejt pagesës prej 200 lekësh të reja, që studentët duhet të paguajnë pranë fakultetit. “Universiteti i Tiranës i ka marrë të gjitha masat që studentët pa pasaportë të pajisen me karta identiteti deri më datën 1 maj. Gjatë tri ditëve Universiteti realizoi identifikimin dhe blerjen e kuponëve për të gjithë studentët që nuk kanë pasaportë. Këta studentë do të mund t’i blejnë kartat vetëm me 200 lekë pranë universitetit, nga 1200 lekë që është kostoja reale e kartës”, - ka pohuar dje kancelari i UT-së Robert Skënderi. Ndërsa studentët e tjerë, të cilët tashmë kanë aplikuar për marrjen e kartës duke e blerë atë me çmimin fillestar, do të kthehen pranë fakulteteve të tyre për të tërhequr pjesën e rimbusimit. Për këtë ata duhet të plotësojnë një formular, nëpërmjet të cilit do të evidentohen se cili nga studentët ka kryer deri tani aplikimet e që duhet të tërheqë 10000-lekëshin e kartës së paguar.

Udhëzohen shkollat

Fushatë për largimin e fëmijëve nga puna e rrugës

Punësimi i fëmijëve në vendin tonë mbetet ende në shifra tepër të larta dhe shqetësuese. Pjesa dërrmuese e moshave të mitura, për shkak të kushteve të vështira të jetesës, detyrohen të radhiten në forcat e punës, çka i detyron ata të braktisin bankat e shkollës. Për t’u ardhur në ndihmë sadopak këtyre fëmijëve, drejtoria arsimore ka udhëzuar mësuesit e shkollave të mesme që së bashku me nxënësit e shkollave të zhvillojnë një sërë aktivitetesh sensibilizuese për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie, për të cilën është bërë shumë pak deri më sot. Ndërkohë nga të dhënat e raportuara prej sindikatave të arsimit raportohet se jo pak, por rreth 7 mijë fëmijë braktisin shkollën. "Duke u nisur nga evidentimi i nxënësve që nuk paraqiten në shkollë në periudha të gjata deri në dy vjet, rezultoi se numri i fëmijëve llogaritet në 7000, ndërsa numri i nxënësve që janë në rrezik për ta braktisur shkollën është 40 mijë nxënës, që janë të punësuar në sektorë të ndryshëm”, - thuhet nga drejtuesit e sindikatës. Situata më problematike ka rezultuar të jetë në rrethe, duke qenë se pranë tyre evidentimi i këtyre rasteve shumë herë mbetet në heshtje. Më problematiket për sa i përket këtij fenomeni rezultojnë të jenë Tirana, Durrësi dhe Shkodra, ku është evidentuar dhe numri më i madh i fëmijëve që braktisin arsimin për shkak të punësimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›