E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulka: Rama premton ato që ka realizuar qeveria



Personat me aftësi të kufizuara dëgjuan dy ditë më parë programin e Partisë Socialiste për kategorinë e tyre, por vështirë se kuptuan ndryshimin që do të sillte ky program, pasi premtimet e Ramës janë kthyer prej një viti në realitet nga qeveria. Ministria e Çështjeve Sociale është kundërpërgjigjur dje ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Socialiste, z. Edi Rama, se do të përcaktonte një fond të posaçëm për karburantin dhe do t’u paguante shoqëruesve të invalidëve sigurimet shoqërore. Sipas zëvendësministrit Sulka, premtimet e kryesocialistit janë demagogji, pasi ato që z. Rama premton se do të kryejë pas 28 qershorit, në fakt janë realitet.

Në një konferencë për shtyp, z. Kastriot Sulka deklaroi se duhet “të kuptohet nga të gjithë shqiptarët se nuk mund të premtohen për t`u bërë ato gjëra që tashmë janë bërë”.

“Konkretisht, sot të gjithë personave shoqërues për paraplegjikët dhe tetraplegjikët u njihet koha e shërbimit pranë të sëmurëve si kohë punësimi dhe janë të siguruar plotësisht: pension pleqërie, barrë-lindje, sëmundjet e ndryshme, aksidentet, periudhën e papunësisë etj.”, – deklaroi Sulka.

Zëvendësministri parashtroi argumentet e qeverisë së djathtë ndaj deklaratave të Partisë Socialiste. Duke iu referuar vendimeve të Këshillit të Ministrave, Sulka krahasoi masat e përfitimit të invalidëve gjatë qeverisë socialiste të vitit 2005 me ato që përfitojnë sot. Në këtë mënyrë paketa higjenike sot është 16,000 lekë të reja në muaj, ndërkohë që në vitin 2005, nuk jepej asnjë lekë për këtë shërbim. Në të njëjtën mënyrë, numri i atyre që përfitojnë statusin e PAK është rritur me 42 për qind, duke arritur në 128 mijë nga 90 mijë që ishin në vitin 2005.

Për premtimin tjetër të kryetarit të opozitës, i cili deklaroi se do të përcaktonte fond për karburantin, Sulka parashtroi ndryshimin e kuotës që ka çdo invalid, paraplegjik apo tetraoplegjik. “Karburanti për një person në vitin 2005 ka qenë 4000 lekë/muaj dhe në vitin 2009 është 6000 lekë/muaj pra kemi një rritje në masën 50%”, – tha Sulka.

Personat me aftësi të kufizuara sot marrin pension 87 mijë lekësh të vjetra në muaj nga 68 mijë që merrnin në vitin 2005, ndërkohë që kujdestarët e tyre përfitojnë 92 mijë lekë të vjetra nga 68 mijë lekë, pa përfshirë kontributin e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore dhe rritjen e numrit të shoqëruesve në 14 mijë nga 10 mijë që ka pasur tre vjet më parë.

Përveç këtyre përfitimeve, invalidët përfitojnë edhe pagesën e invaliditetit, që është rritur me 35 për qind. Sulka deklaroi se në total “fondi për Paaftësinë e Kufizuar në vitin 2005 ka qenë 6.12 miliardë lekë dhe në vitin 2009 është 9.3 miliardë lekë, pra kemi një rritje me 50%”.

Kryetari i opozitës, Edi Rama, u kishte premtuar dy ditë më parë personave me aftësi të kufizuara se do t’u rriste fondin e karburantit dhe se do t’u njihte si periudhë vjetërsie për efekt pensioni shoqëruesve të invalidëve, premtime të cilat i ka kthyer prej një viti në realitet Këshilli i Ministrave.

Parku i Liqenit Artificial

Bashkia mbjell 500 mimoza

Bashkia e Tiranës ka nisur procesin e rivitalizimit të parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Në hapësirat e këtij parku janë mbjellë dje rreth 500 pemë mimoza, të cilat do të rritin përmasën e gjelbër të parkut. Kreu i bashkisë, Edi Rama, tha se kjo është pjesë e një projekti të madh për parkun e Tiranës, një pjesë e fondeve për të cilën janë siguruar nga qeveria kuvajtiane, por që pengohen nga qeveria për qëllime elektorale.

“Përpjekjet që ne po bëjmë për parkun e liqenit, janë vetëm një pjesë e një përpjekjeje të madhe që do ta konkretizojmë me qeverinë që do të dalë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, duke investuar të gjithë atë fond që kemi siguruar nga miqtë tanë kuvajtianë dhe që kjo qeveri e pengon thjesht dhe vetëm për qëllime elektorale”, - theksoi Rama. Duke e konsideruar transformimin e parkut të liqenit si një model të ekuilibrit të qytetit me natyrën, Rama u shpreh se Liqeni Artificial do të shndërrohet në një hapësirë ku qytetarët e të gjitha moshave të kenë mundësi të shpenzojnë në mënyrën më të shkëlqyer kohën e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›