“Krishti u ngjall!” Pashkët festohen në gjithë vendin
Në të gjithë vendin është kremtuar dje festa e Pashkëve. Qindra persona ishin mbledhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Kishën e Ungjillizimit në Tiranë për të ndjekur ceremoninë fetare të udhëhequr nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastasi. Në fjalën e tij ai u bëri thirrje besimtarëve të mos kenë frikë. Duke cekur edhe krizën ekonomike, ai deklaroi se besimi te Zoti dhe shembulli i Jezu Krishtit është një mësim që të mos kemi frikë, pasi u mposht frika nga vdekja. “Krishti u ngjall!” Në të gjithë vendin është kremtuar kjo festë, ndërkohë që edhe krerët e shtetit kanë uruar besimtarët ortodoksë.
Korçë
Besimtarët ortodoksë të qytetit të Korçës përcjellin me madhështi festën e Pashkës. Java e aktiviteteve fetare me rastin e kësaj feste është mbyllur mesnatën e dy ditëve më parë me ceremoninë që simbolizon ngjalljen e Krishtit, dhe përhapjen e dritës si ngazëllim i jetës dhe shpresës. Mijëra banorë të Korçës marrin pjesë në këtë ceremoni, ku menjëherë pas fjalës së Mitropolitit, Imzot Johani, shpërndahet drita e qirinjve që mbush këtë shesh. "Këndojmë kanonin e Pashkës, duke shprehur gëzimin dhe ngazëllimin e madh për fitoren e Perëndinjeriut mbi mëkatin, errësirën, prishjen dhe vdekjen, e cila është gjithashtu fitorja e të gjithë njerëzve dhe e gjithë krijimit, sepse Zoti duke marrë natyrën tonë e ringriti atë përsëri, duke i kthyer asaj bukurinë dhe shkëlqimin e parë", - tha në fjalën e tij të përshëndetjes së Pashkës Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, Imzot Johani. Kreu i kishës ortodokse për rajonin e Korçës shtoi: "Krizat e mëdha materiale dhe morale që kanë përfshirë të gjithë planetin, të shkaktuara nga lakmia dhe etja për pushtet, e rëndojnë akoma më shumë jetën e njeriut, duke e shtyrë shpesh atë në dëshpërim. Për këtë arsye ngjallja e Zotit është fitorja e të gjithëve, sepse duke mundur vdekjen i dha njeriut dritë dhe gëzim". Festa e Pashkës vazhdoi dje me urimet dhe vizitat e besimtarëve në selinë e Mitropolisë së Shenjtë në Korçë.
Gjirokastër
Besimtarët ortodoksë në jug të vendit kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, ringjalljen e Jezu Krishtit, Pashkët. Festa e Pashkëve ka mbledhur në kishën e Shën Mëhillit në lagjen “Varosh”, si dhe në kishën Shën Sotiri, në lagjen “Pazari i Vjetër”, mijëra besimtarë ortodoksë, të cilët mbanin në duart lule dhe qirinj, simbol i paqes dhe i Pashkëve. At Theodhori Nikolla, udhëheqësi i meshës në kishën e Shën Mëhillit, lexoi mesazhin e urimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse-Autoqefale, Hirësia e Tij, Anastasios Janullatos. At Nikolla falënderoj besimtarët ortodoksë të Gjirokastrës dhe kreu më pas ritualin për ringjalljes së Jezu Krishtit. Gjithashtu, edhe në rrethet e Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, besimtarët ortodoksë dhe të krishterë kanë festuar Ringjalljen e Krishtit.
Elbasan
Kisha e Shelcanit, rreth 8 kilometra larg qytetit të Elbasanit, një ndër më të vjetrat në Shqipëri, buçet nga zërat e besimtarëve që kanë ardhur pas mesnate për të kremtuar ditën më të shënuar të ortodoksisë, Pashkët. Mes besimtarëve të zë syri të moshuar, nuse të reja me veshje karakteristike të zonës dhe ato që bëhen gjithnjë e më të përhershëm, të rinjtë. Paradhoma e kishës ndriçon e tëra nga qindra qirinj. Procesin e festës e udhëheq Atë Pal Qosja. Kanë ardhur në këtë të kremte nga fshatra të ndryshëm që nga Kryezjarthi, Mliza, Shushica etj., fshatra të zonës së Shpatit. Festa e Pashkëve çdo vit fton drejt kishave përherë e më shumë besimtarë dhe më e rëndësishmja, gjithnjë e më shumë të rinj. Këtë e vumë re edhe dje në kishën e Shelcanit, muret e së cilës mbajnë prej qindra vjetësh afreske të Onufrit dhe Kostandinit. Nën tingujt e kambanës këndohen psalme e pjesë të tjera nga Bibla në përkujtim të kësaj dite të shënuar që lidhet me ringjalljen e Krishtit. I njëjti ritual, e njëjta atmosferë është krijuar edhe në kishën “Shën Maria” brenda lagjes “Kala” në qytetin e Elbasanit. Edhe këtu me qindra besimtarë kanë marrë pjesë në meshën e mbajtur nga Atë Nikolla Marku, i cili ka ftuar të gjithë besimtarët, të krishterë, ortodoksë e myslimanë, që të jenë të bashkuar dhe të kenë më shumë mirësi e dashuri vëllazërore me njëri-tjetrin.
Fier
Qindra besimtarë ortodoksë, të mbledhur në kishën e Shën Gjergjit në Fier, festuan festën e Pashkëve dhe ringjalljen e Krishtit me ceremonitë dhe ritet fetare, të cilat nisën mbrëmjen e kaluar dhe vijuan dhe gjatë ditës së djeshme. Dje, paradite, përfaqësues të pushtetit vendor dhe komuniteteve fetare uruan Atë Ilia Bita për këtë festë. Prefekti i qarkut Fier, Shahi Bejdaj, duke uruar gjithë besimtarët ortodoksë në këtë ditë të shënuar, vlerësoi: "Kjo është një ditë e nderuar, ditë e lavdëruar, ditë që bën apel për më shumë paqe, dashuri e harmoni mes njerëzve. Le të jetë kjo ditë simbol, dita e ringjalljes së shpresës, dëshirës dhe sakrificës për ditë më të mira, ku të mbretërojë harmonia, humanizmi dhe mirësia". Pas ceremonive që nisin në kishë me lutje, falje e ndezje qirinjsh, festimet vazhdojnë në mënyrën tradicionale në Fier, me vizitat e ndërsjella në familjet e besimtarëve.
Vlorë
Qindra besimtarë të krishterë ortodoksë, por edhe të besimeve të tjera fetare, morën pjesë në ceremoninë e ringjalljes së Krishtit, e cila u zhvillua në kishën e Shën Theodhorit, në qytetin e Vlorës. Ata u mblodhën në orët e vona të natës, në mjediset e kësaj kishe ku ndezën qirinj dhe uruan njëri-tjetrin për festën e Pashkëve. Ceremonia e ringjalljes së Krishtit, e drejtuar nga Atë Konstandini, shënoi momentin më të rëndësishëm të kësaj nate. Të pranishmit në këtë ceremoni, që u zhvillua në sheshin përpara kishës së Shën Theodhorit, përcollën emocione të veçanta në orën 24:00, kur, në bazë të ritit besimtar ortodoks, Krishti ringjallet e vjen mes njerëzve. Atë Konstandini lexoi pjesë nga Libri i Shenjtë. Në këtë ditë të shenjtë përcillen mesazhet e shenjta të ringjalljes, të shpresës për të nesërmen. Çdokush që është në këtë tokë, beson në Zot, në shpirtin e përjetësisë. Besimi se Krishti u ngjall dhe ai është sfiduesi i vdekjes, forcon optimizmin tek njerëzit, nxit shpresën se e mira do të mundë të keqen. Besimtarët e pranishëm uruan njëri-tjetrin për më shumë paqe, begati e mirësi. Gjatë ceremonisë u shpërnda flaka e shenjtë, e cila përmes qindra qirinjve të ndezur u përhap në familjet e besimtarëve. Dhjetëra fishekzjarre shtuan emocionet e kësaj nate festive, në qytetin e Vlorës. Festa e Pashkëve, që ka nisur dy ditë më parë, do të vazhdonte dje me të tjera ceremoni në kishën e Shën Theodhorit dhe kisha të tjera të rrethit të Vlorës, ndërkohë që besimtarët ortodoksë do ta përcjellin atë në banesat e tyre.
Berisha
Gëzuar Pashkët, ditën e bekuar të ringjalljes së Krishtit, ditën e përjetësisë, ditën e shpresës dhe të besimit tek Zoti, besimit tek vetvetja dhe tek njëri-tjetri, ditën e besimit tek vendi ynë. Këtë vit, ne i festojmë këto Pashkë si një komb dhe një vend anëtar i NATO-s. Le të urojmë së bashku që Pashkët e ardhshme t`i kremtojmë më mirë, në harmoni me njëri-tjetrin dhe në prosperitetin që shqiptarët meritojnë. Gëzuar të gjithëve!
Topi
Gëzuar dhe për shumë vjet! Gëzuar Pashkët! Erdha këtu në Korçë për të festuar këtë ditë të shënuar, erdha për komunitetin fetar ortodoks. Natyrisht erdha këtu sot, sepse Korça ka një atmosferë të veçantë, të cilën e kemi parë edhe viteve të tjera, e kemi parë edhe mbrëmë nëpërmjet pamjeve televizive, një atmosferë që zor se e gjen diku tjetër, kështu që ndava me ju këtë gëzim, me qytetarët e Korçës. Dëshiroj të ritheksoj edhe një herë atë që konstatova edhe këtu, harmoninë e përsosur fetare, që ekziston si kudo në të gjithë Shqipërinë, edhe në Korçë! E shikon këtë në komunitetet fetare, e shikon tek shoqëria, tek qytetarët e thjeshtë. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një ripërtëritje e asaj tradite që kemi pasur gjithmonë. Paçim sa më shumë ditë të tilla kaq të bukura!
Topalli
Dita e ringjalljes është një ditë e një simbolike të thellë. Në fakt, ringjallja është dritë, është shpresë, është besim për çdo individ, për çdo familje, është besim për vendin. Është ringjallje për kombin dhe kjo ditë koincidon me ngjarje të mëdha të ringjalljes së Shqipërisë. Jam shumë e kënaqur që do të kem mundësinë brenda këtij mandati, të kalojmë ligjin “Për financimin e të gjitha besimeve fetare”. Dhe kjo është diçka e mirë për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur në punën e tyre, sepse janë përcjellësit më të mëdhenj dhe më të çmuar të vlerave morale, për të cilat ne kemi gjithmonë nevojë. Dhe një herë, Gëzuar Pashkët!