E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia zbardh detajet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës zbardh detajet për ndërtimin e Unazës së Madhe, që do të përshkojë zonat kryesore të kryeqytetit. Pjesë e këtij projekti janë dhe disa vepra madhore që do të shërbejnë për shmangien e trafikut në kryeqytet dhe do të kenë vlera estetike që do të përmirësojnë infrastrukturën rrugore. Unaza e Madhe është përcaktuar si një nga arteriet kryesore të sistemit rrugor të Tiranës. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe, që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës, me një gjatësi 2.2 kilometra, është përfunduar në vitin 1999. Pjesa tjetër do të financohet në fazën e dytë të projektit, nga Rruga e Kavajës deri te Rruga e Elbasanit. Projekti i Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e Unazës së Madhe prek atë pjesë të kryeqytetit që nis që nga Shkolla Teknologjike deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet është rreth 35 hektarë. Përveç tokës së bukës janë parashikuar të shpronësohen rreth 180 banesa private, plotësisht apo pjesërisht.
Trafiku
Sipas Bashkisë së Tiranës, qëllimi kryesor i këtij projekti është lidhja e rrugëve hyrëse të qytetit të Tiranës (rruga e Durrësit, rruga e Kavajës dhe rruga e Elbasanit) midis tyre pa kaluar nëpërmjet rrugëve urbane të qendrës së qytetit, si për mjetet e rënda të transportit dhe për autoveturat. Rruga e re është parashikuar që të përballojë një trafik me 20 mijë automjete në ditë dhe më pas do të pësojë një rritje me 7 për qind çdo vit. Kjo rrugë do të shmangë një pjesë të madhe të trafikut që kalon në qendrën e qytetit ose në Unazën ekzistuese. Në orët e pikut, si rezultat i trafikut të madh dhe i kapacitetit të rrugëve, në Unazë dhe në Rrugën e Elbasanit shpejtësia mesatare është 5 kilometra në orë.
Segmentet
Segmenti i parë, nga Rruga e Kavajës deri te diga e Liqenit Artificial, apo pranë Kopshtit Botanik, është parashikuar të jetë një rrugë me tri vija kalimi nga 3.50 metra në secilin drejtim të lëvizjes. Drejtimet e lëvizjes do të ndahen midis tyre me një brez të gjelbër, ku do të instalohet dhe ndriçimi i lartë. Vetëm në pjesën e brendshme të Unazës është parashikuar ndërtimi i një rruge sekondare me gjerësi 8 metra. Kjo rrugë do jetë paralel me rrugën kryesore dhe do të shërbejë për banorët e zonave përreth dhe për kalimin e automjeteve për qëllime tregtare. Në të dyja anët e Unazës së Madhe do të ndërtohen trotuaret për kalimin e këmbësorëve. Segmenti i dytë i kësaj rruge është diga e Liqenit Artificial deri te Rruga e Elbasanit, dhe do të jetë me dy vija kalimi nga 3.50 metra për secilin drejtim të lëvizjes. Drejtimet e lëvizjes dhe në këtë aks do të ndahen me brez të gjelbër, ku do të vendoset dhe ndriçimi. Ndërsa në të dyja anët e rrugës do të ndërtohen trotuare nga 3 metra të gjera. Në bazë të këtij projekti gjerësia totale e rrugës, duke përfshirë gjithë komponentët e saj, do të jetë 23.5 metra. Shtresat e rrugës do të bëhen në mënyrë të tillë që të përballojnë kapacitetin për një periudhë 20-vjeçare. Në zonën kodrinore të Saukut rruga do të jetë pjerrësi për shkak të kodrave. Pjesa më problematike e bazamentit të rrugës parashikohet të jetë në zonën mbrapa Liqenit Artificial, të cilat shkaktohen si rezultat i ujërave të Liqenit dhe rrjedhjes së ujërave të tjerë në drejtim të tij.
Mbikalimet
Projekti i Unazës së Madhe parashikon ndërtimin e mbikalimeve të rëndësishme në gjatësinë e saj. Si pjesë e rëndësishme e këtyre veprave të artit është ndërtimi i mbikalimit në kryqëzim me rrugën “Komuna e Parisit”. Mbikalimi tjetër do të ndërtohet në Sauk, atje ku Unaza e Madhe ndërpritet me rrugën ekzistuese të fshatit. Në zonën kodrinore të Saukut janë parashikuar të ndërtohen dhe disa ura në vendet e kryqëzimeve të rrugës ku ka rrjedhje ujore.

box
Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në:
Selitë
Kopshtin Botanik dhe Zoologjik
Kodrat e Saukut
Rrugën e Elbasanit, pranë Akademisë së Rendit Publik

Shpronësimet
Sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet është rreth 35 hektarë
Parashikohet të shpronësohen rreth 180 banesa private, plotësisht apo pjesërisht

Mbikalimet
Komuna e Parisit
Sauk
Ura ndërmjetëse në Sauk

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›