E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria nuk ka para për buxhetorët, paga e dhjetorit do t’u jepet në janar 2009



Ervin Koçi

Qeveria është kapur nga “ngërçi” i mungesës së parave për të paguar rrogat e administratës shtetërore në këtë fundviti. Sasia e pamjaftueshme e parave kesh për të gjitha këto shpenzime ka detyruar qeverinë që, ashtu siç ndodh rëndom me bizneset private që rrezikohen nga falimentimi, të vonojë jo pak por një muaj pagën e fundit të vitit 2008 përreth 105 mijë buxhetorë. E gjithë kjo “armatë” nëpunësish të shtetit do të mund t’i marrin pagat e tyre vetëm pas festave të fundvitit. Ndryshe sikundër ka ndodhur që pagat kaloheshin në dy ditët e fundit të dhjetorit, qeveria ka vendosur me anë të një urdhri të Ministrisë së Financave kalimin e fondit pas festave. Urdhri i lëshuar këto ditë ndalon aktivitetin e degës së thesarit pas datës 26 dhjetor, duke pezulluar të gjitha transaksionet financiare. I gjithë fondi i pagave për buxhetorët në muajin dhjetor shkon në rreth 5,3 miliardë lekë. Vetë Ministria e Financave ka pranuar ekzistencën e urdhrit për ndalimin e degës së thesarit, por nga ana tjetër ka sqaruar se buxhetorët i kanë marrë pagat gjithnjë pas muajit dhjetor.

Vonesa zyrtarizohet

Fondi i përcaktuar nga qeveria për shpërblimet e pensionistëve dhe të vetë administratës është bërë arsyeja kryesore për bllokimin e dhënies së pagës së muajit dhjetor nëpunësve të shtetit që po e prisnin me padurim. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë sqaruar dje për mediat se mosfunksionimi i degës së thesarit pas 26 dhjetorit nuk mund të rrezikojë procesin e shpërndarjes së shpërblimeve për pensionistët dhe buxhetorët. "Fondi i miratuar javën që shkoi nga qeveria ka kaluar në thesar, i cili po kryen transaksionet. Brenda datës 26 dhjetor do të bëhet e mundur që i gjithë fondi për shpërblimet të derdhet nëpër degët e bankave", - sqaroi Ministria e Financave. Shpërblimi i vendosur nga qeveria për buxhetorët dhe pensionistët ka një kosto financiare prej 7 miliardë lekësh. Buxhetorët duhet të marrin nga 10 mijë lekë secili, ndërsa pensionistët nga 5 mijë lekë. Aktualisht, me këtë urdhër të fundit të gjithë punonjësit e administratës shtetërore do të duhet që të sajohen për festën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri me ato para që kanë mundur të heqin mënjanë gjatë kësaj periudhe për të pritur më pas ditët e para të muajit janar.

Kursimi “i detyrueshëm”

Ndonëse të nisësh Vitin e Ri me rrogën e paprekur nuk tingëllon keq, më e trishtueshme ngjan festa përmbyllëse e një viti me kursime. Për një pjesë të punonjësve të administratës, kryesisht për ata që kanë rroga relativisht të mira dhe shumë të mira, marrja e rrogës në janar nuk është edhe ndonjë lajm fort i keq. Por nuk dihet ende se si do ta presin këtë urdhër të Financave të gjithë ata punonjës që me atë pak rrogë kanë ëndërruar të kalojnë të paktën një mbrëmje ndryshe nga të tjerat, duke hequr dorë nga kursimi i përditshëm. Pse jo, edhe duke menduar për një dhuratë për festa për fëmijët apo nipërit e mbesat. Një shpërblim prej 10 mijë lekësh, qofshin këto edhe të reja, zor se mund të përmbushë pritshmëritë e atyre mijëra buxhetorëve siç janë arsimtarët, ushtarakët, mjekët dhe infermierët që presin me mundim datën e rrogave.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›