E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie ndjeshëm fuqia blerëse para festave të fundvitit me gjithë çmimet e parritura



Në tregjet ushqimore të vendit këtë vit nuk po ndihet aspak atmosfera e festave të fundvitit, edhe pse çmimet nuk janë rritur si në vitet e mëparshme. Sipas shitësve ka një rritje të ofertës në vend pasi ka shumë mall të prodhuar, por edhe të importuar. Për këtë arsye, tregtarët e shumicës nuk kanë filluar të lëvizin ende vlerën e produkteve. Ata shpresojnë të mbetet i njëjti nivel edhe për ditët në vazhdim deri në festa, por nga ana tjetër konstatojnë fuqinë e paktë blerëse të konsumatorit. Ndërkohë, shitja e gjelave të detit apo dhe e kafshëve të tjera po pëson rënie dita-ditës. Sipas shitësve, “tregtia sidomos e gjelave po ulet po ta krahasosh me një vit më parë”. Por tregtarët shprehen të pakënaqur për shitjet e sivjetme pasi edhe me një çmim të lirë prapë qytetarët refuzojnë blerjen e tyre. Shumica e blerësve pranojnë nga ana tjetër se “xhepat e tyre nuk janë njësoj si një vit më parë”, por edhe pse çmimet janë shumë të mira ata nuk kanë mundësi që të blejnë. Vlera e një gjeli deti varion nga 550 deri në 600 lekë kilogrami, ndërsa e pulave dhe gjelave të zakonshëm është më e lirë. Shumë nga shitësit e tyre thonë se nuk janë të kënaqur as me fitimin që nxjerrin nga shitjet, pasi vetë kostoja e rritjes së një gjeli deti është pothuajse e barabartë me çmimin që ata e shesin. Deri tani, çmimet nuk kanë ndryshuar. Para disa kohësh, INSTAT-i botoi një raport ku thuhej se në krahasim me një 3-mujor më parë dega e tregtisë u rrit me 1.3 për qind dhe 2.2 në krahasim me të njëjtin 3-mujor të vitit 2007. Sipas BSH-së, në gjysmën e dytë të vitit, indeksi i çmimeve të konsumit ka regjistruar rënie të ndjeshme vjetore, duke zbritur në muajin nëntor 2008 në nivelin 2.6 për qind, kundrejt një muaji më parë. BSH-ja vëren se matje të tjera të inflacionit, si inflacioni bazë apo i mallrave të tregtueshëm e të patregtueshëm, dëshmojnë për rënie të intensitetit të presioneve inflacioniste në vend.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›