Kriza financiare, BSH-ja apelon që sistemi bankar të rrisë kreditimin
Banka e Shqipërisë vëren se ashtu sikurse dhe në vitet e fundit sektori bankar ka mbështetur aktivitetin ekonomik dhe kërkesën konsumatore me kredi duke siguruar në këtë mënyrë stimuj të shumtë për një rritje të qëndrueshme të vendit. Sipas BSH-së, ecuria pozitive në nivel ekonomik dhe sektorësh, ku veçohen ato të tregtisë dhe të ndërtimit, është nxitur nga ritmet pozitive të kërkesës së brendshme në vend. Ndërkohë që kredidhënia ka ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 42 për qind, edhe raporti i kredisë ndaj PBB-së dhe aktiveve të sistemit ka shënuar rritje të mëtejshme duke arritur respektivisht në 36 për qind dhe në 41 për qind. Sipas BSH-së, përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare kanë qenë bizneset, duke ndikuar me 66 për qind në zgjerimin e portofolit të kredisë. Në kushtet e krizës financiare ndërkombëtare, BSH-ja apelon që sistemi bankar të rrisë kreditimin ndaj biznesit për të përballuar kështu efektet e kësaj situate në ekonominë shqiptare.
Doganat, në 10 muaj importohen 366.4 milionë lekë mallra
Në periudhën janar-tetor 2008 u importuan gjithsej 366 486 milionë lekë mallra, - bënë të ditur burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Referuar këtyre të dhënave, importet shqiptare nga vendet e tjera gjatë kësaj periudhe u rritën me 16 për qind. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, në total gjatë periudhës janar-tetor 2008, volumi i importit vlerësohet në vlerën prej 366 486 milionë lekë, kundrejt 316 496 milionë lekë të realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 49 990 milionë lekë ose 16 për qind më shumë.
21 Dhjetor 2008