E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e OSSH-së rrezikon dështimin, qeveria nuk gjen konsensus me çekët



Negociatat e lodhshme dhe të vështira për kontratën e shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë kanë hyrë në fazën më të nxehtë të tyre. Qeveria pohon se për disa çështje është arritur konsensusi me kompaninë çeke, por për pikat më delikate bisedimet vazhdojnë intensivisht dhe palët duket se mbrojnë interesa të ndryshme. “Janë pika që kanë të bëjnë me borxhet e këqija që popullata dhe institucionet buxhetore i kanë KESH-it. Janë pika që kanë të bëjnë me investitorin, i cili do të negociojë me faktin se gjatë periudhës së parë të veprimit do të ketë edhe humbje”, - ka deklaruar ministri i Energjetikës, Genc Ruli. Shpërndarja konsiderohet si hallka më problematike e sektorit të energjisë në Shqipëri. Prej gati 20 vjetësh, gati gjysma e energjisë së prodhuar humbet në rrjet, vidhet ose nuk arkëtohet si pasojë e keqmenaxhimit që i është bërë koorporatës edhe nga politika. Kjo situatë ka ngritur shqetësime tek çekët, të cilët kërkojnë tashmë garanci më të mëdha duke përfshirë në bisedime edhe ndërkombëtarët. “Negociimi vazhdon paralelisht, sepse krahas qeverisë shqiptare po bëhen negociata edhe me Bankën Botërore, e cila do të japë një fond garancie për shoqërinë çeke”, - ka sqaruar Ruli. Tenderi për shitjen e OSSH-së u zhvillua në shtator dhe në të u shpall fituese shoqëria çeke “CEZ”, e cila ofroi 102 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve.

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›